Në Prevallë Nuk Ndalen Ndërtimet

Rreth dy muaj më parë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  ka vendosur për ndërprejen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës.

Vendimi i publikuar më 3 maj të këtij viti vjen pas “degradimit të mjedisit, gjegjësisht tejkalimit të kushteve dhe kritereve për ndërtim” thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Një javë më pas, më 11 maj, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se ndërtimet në Prevallë vazhdonin, përkundër vendimit të MMPH-së. http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,5518

Në javen e fundit të qershorit gazeta ka bërë fotografi në Prevallë dhe i ka krahasuar më fotot e bëra para dy muajsh ku shihet se ndërtimet vazhdojnë.

Vazhdimi i ndërtimeve në fshatin turistik të Prevallës ka shtyrë Ministrinë e Mjedisit të ushtrojë pesë kallëzime penale në Prokurorinë Publike Themelore në Prizren. 

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit Sylë Hoxha konfirmoi se kallëzimet penale janë dorëzuar nga MMPH-ja dhe sipas tij prokurorët do t’u japin prioritet këtyre lëndëve. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me dy biznesmenë ndaj të cilëve është ushtruar kallëzim penal. 

Restoranti “Koha” dhe kompania “Fanaj Inginering” akuzohen nga ministria se nuk kanë zbatuar vendimin e ministrit për ndaljen e ndërtimeve dhe se “kanë hequr shiritat e vënë përreth objekteve të tyre nga inspektorët e MMPH-së”. 

“Rastet kanë të bëjnë me ndërtime krejtësisht pa leje dhe njëra për heqje shiriti të vendosur nga inspektorët”, tha Kreshnik Berisha, këshilltar politik i ministrit të mjedisit.“Kemi nisur me ata që fillimisht nuk e kanë përfillë vendimin për ndalimin e punimeve dhe më pas vijnë të tjerët, siç është rasti me ata që kanë ndërtuar krejtësisht pa leje”.

Pronari i restorantit “Koha”, Burim Sallauka thotë se nuk është e vërtetë që ka hequr shiritat.

“Nuk i kemi hequr shiritat, ato i ka hequr fryma. Që një muaj është mot me shi sa që edhe kulmet e disa shtëpive kanë lëvizur” tha Sallauka.

Sallauka thotë se ka 12 vjet që mban restorant në Prevallë dhe se ka paguar të gjitha tatimet. “Nuk e kam shkelur vendimin e ministrit, sepse nuk kam ndërtuar asgjë. Vetëm i kam përfunduar diçka, por nuk kam ndërtuar”

“Tash do të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë” tha ai. 

Procedurë gjyqësore pritet të niset edhe ndaj kompanisë ndërtuese “Fanaj Inginering”.

Kjo kompani ka fituar dy herë tenderin nga Komuna e Prizrenit për ndërtimin e  bazamenteve të shtëpive në fshatin turistik në Prevallë, me kohëzgjatje nga dy vjet (2007-2009 dhe 2009-2011). 

Salajdin Fanaj, pronar i kësaj kompanie  nuk është në dijeni se ekziston një kallëzim penal kundër tij.

“Unë tash po dëgjoj se kam kallëzim penal”, thotë Fanaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se në aneks-kontratë ka të shkruar se mund të bënte marrëveshje individuale me pronarët e shtëpive për t’u ndërtuar objektet.   

Fanaj ka hedhur poshtë akuzat e ministrisë për vazhdim të punimeve.

“Firma ime nuk po ndërton, sepse unë e ndërtoj vetëm bazamentin. Nuk është në kompetencën time pjesa tjetër”, është shprehur ai.

Në Prevallë punimet ende vazhdojnë

Një muaj më parë edhe shtëpisë së familjes Demiri , inspektorët i kishin vënë shiritin duke ndaluar punimet. 

Tash shtëpia është drejt përfundimit. Florim Demiri, anëtar i familjes që është pronare e kësaj shtëpie thotë se nuk janë duke ndërtuar. 

“Nuk kemi ndërtuar, por arsyeja e vetme është se e kemi fut në punë materialin që e kemi pasur, për shkak se jemi frikësuar nga të reshurat atmosferike”, thotë Demiri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Dardan Gashi, ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ka vendosur të krijojë Taks- Forcë të Ministrisë që të merret vetëm me rastin e  ndërtimeve në fshatin turistik në Prevallë. 

Kreshnik Berisha, këshilltar politik i ministrit Gashi, e konfirmon këtë për Gazetën Jeta në Kosovë. “Task- Forca ditëve në vazhdim do të jetë e gatshme të nisë punën”, tha Berisha.

Të martën e 25 qershorit, disa  punëtorë në Prevallë ndërtonin gjithashtu mur për shtëpinë  e mjekut Alim Smajli nga Prizreni.  

Mjeku Smajli i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosvë tha se ishte në dijeni për vendimin e ministrit Gashi, që të ndërpriten të gjitha punimet në Prevallë deri në një vendim të dytë. 

“Kemi bërë vetëm një gropë septike. E di se ka vendim të ministrit mos me ndërtu, por nëse munden me kqyr mos me më denu, mirë kish qenë”, thotë  Smajli.  “Më është dasht me e ndërtu se shumë dëm më ka bë uji”.  

Mjeku tha se këto punime ia kanë lejuar vetë inspektorët e Komunës së Prizrenit. “Kanë qenë edhe inspektorët e Prizrenit, e kanë parë e më kanë lejuar”, tha Smajli.

Me këto deklarime nuk pajtohen Sadik Paçarizi, drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prizrenit dhe as Bujar Nerjovaj, drejtor i Inspektoratit në këtë komunë. 

“S’ka shansë që dikush të ketë mundësuar lejim të vazhdimit të ndërtimeve ose të ketë dhënë urdhër për diçka të tillë”, thotë Paçarizi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Drejtori i inspektoratit në Prizren, Bujar Nerjovaj, thotë se kjo nuk është e saktë. 

“Tash kompetencat për fshatin turistik në Prevallë i ka MMPH-ja. Asnjë inspektor nuk i ka thënë kujt se duhet vazhduar punimet pas vendimit të ministrit”, thotë Nerjovaj për Gazetën Jeta në Kosovë.