Në përkrahje të Joe Biden: Një mik i mirë në kohë të vështira 

Një përgjigjie ndaj shkrimit të Aidan Hehhir lidhur me Presidencën në ardhje të Joe Biden si dhe ndikimin e saj në Kosovë. 

Të hënën e lexova shkrimin e Aidan Hehir, “Biden nuk e ka shkopin magjik për ta rregulluar Kosovën,” e cila ofron një pikëpamje të një gote gjysmë të zbrazët lidhur me atë se çfarë nënkupton fitorja e të zgjedhurit President Joe Biden për Kosovën. Unë do të parapëlqeja ta shihja gotën si gjysmë të mbushur, dhe të argumentoja që z. Biden është pikërisht Presidenti i SHBA-s për të cilin Kosova ka nevojë.

Ndaj bindje të njëjta me shumë prej pikave të Hehir lidhur me politikën e jashtme të administratës Trump, politikë kjo e cila ka larguar aleatët tradicionalë të SHBA-s dhe ka trimëruar kundërshtarët e saj historikë. Me përjashtim të çështjeve ku Trump mund të arrinte marrëveshje taktike paqeje apo tregtare, që do të mund të reklamohëshin për konsum të brendshëm, Presidenti kryesisht zgjodhi që ta tërhiqte SHBA-n nga përfshirja në nismat e shumta shumëpalëshe.

Në mars të vitit 2020 Biden bëri me dije se do ti rikthejë aleancat e Amerikës dhe do ta kthejë gjithashtu rolin udhëheqës të SHBA-s në “hartimin e rregullave, bërjen e marrëveshjeve dhe gjallërimin e institucioneve që i udhëheqin marrëdhëniet midis kombeve dhe që avancojnë sigurinë dhe begatinë e përgjithshme”.

Në veçanti jam optimist për vizionin e të zgjedhurit President Biden për rolin e SHBA-s në Ballkan, dhe veçanërisht për Kosovën. Roli historik i Presidentit Biden për Kosovën është pranuar gjerësisht; ai është një nga senatorët amerikanë më mbështetës të lirisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Hehir nënvizon shumë nga kjo mbështetje, duke iu referuar një deklarate të lëshuar nga fushata Biden-Harris.

Dhe, pikërisht këtu fillojnë dallimet e mia me Hehir. Ai paralajmëron se kandidatët politikë shpesh nuk i mbajnë premtimet elektorale. Kjo sigurisht që është e vërtetë. Sidoqoftë, në këto zgjedhje shqiptaro-amerikanët u mobilizuan në mbështetje të Biden,  dhe të tjerë në mbështetje për Trump, si kurrë më parë.

Komuniteti shqiptar në SHBA ka qenë gjithmonë aktiv në mbledhjen e fondeve për politikën amerikane, pjesërisht sepse donin që udhëheqësit e zgjedhur të mbështesin vendet e tyre të origjinës: Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e tjera me popullsi të konsiderueshme etnike shqiptare.

Sidoqoftë, në këto zgjedhje, të dyja fushatat kishin grupe aktive dhe “Shqiptaro-Amerikanët për Bidenin” luajtën një rol kyç që fushata Biden të hartoi një deklaratë lidhur me vizionin e Biden për marrëdhëniet e SHBA me Kosovën dhe Shqipërinë. Rëndësia e këtij grupi dhe publikimi i kësaj deklarate japin shenjë se i zgjedhuri President do të marr me më shumë seriozitet atë që ka shkruar.

Pajtohem me vlerësimin e Hehir se Kosova është një vend që gjendet në kohë të vështira dhe mungesa e një mbështetje më të madhe për pavarësinë e Kosovës është në të vërtetë një reflektim i konstelacioneve të fuqive ndërkombëtare që nuk janë të rreshtuara në favor të saj.

Megjithatë, do të shtoja se kjo është për shkak të një shteti ku udhëheqësit politikë kryesisht nuk kanë përmbushur premtimet për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës, i janë shmangur një lufte të vërtetë kundër korrupsionit dhe ndonjëherë e kanë marrë mbështetjen e aleatëve të tyre perëndimorë si diçka të garantuar.

Kohët e fundit, Biden është kritikuar për mungesën e mbështetjes për Kosovën gjatë tetë viteve të tij si Zëvendëspresident. Hehir shprehet: “Kosova pësoi disa nga goditjet më të kushtueshme për sovranitetin e saj: marrëveshjen mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat ndodhën gjatë kësaj periudhe.” Ai shton se kjo e ka lëkundur lavjerrësin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në favor të Beogradit.

Këto pretendime kanë qenë të popullarizuara në mesin e pak kritikëve të Biden tek komuniteti shqiptaro-amerikan dhe tek disa në Kosovë, dhe ishin pika argumentimi për disa mbështetës shqiptaro-amerikanë të Trump.

Ndërkohë që është e vërtetë që të gjitha këto marrëveshje u nënshkruan gjatë mandatit të Biden si Zëvendëspresident, akterët e tjerë janë shumë më shumë përgjegjës sesa ai, apo sesa administrata e Obamës në përgjithësi. Në fund të fundit ishin udhëheqësit e Kosovës që nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit, parimet udhëzuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara.

E vërtetë është që Zëvendëspresidenti i atëhershëm Biden dhe SHBA bënë thirrje që marrëveshja e demarkacionit të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, është në interes të Kosovës që të bie dakord për kufijtë e saj me të gjithë fqinjët – dhe kjo është ajo që SHBA po mbështeste. Mospërcaktimi i  kufijve në favor të saj për Kosovën përsëri ka të bëjë më shumë me mossuksesin e udhëheqësve të saj, sesa me SHBA-n.

Ndërkohë, parimet udhëzuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe krijimi i Dhomave të Specializuara janë më shumë rezultat i presionit europian sesa atij amerikan. Dhomat e Specializuara u themeluan duke u bazuar në një raport të Këshillit të Europës, ndërkohë që procesi i dialogut i udhëhequr nga BE ka vepruar shpeshherë në favor të Serbisë.

Vlen të përmendet se ishte gjatë administratës së Obamës kur Biden vizitoi dy herë Kosovën dhe kur priti Presidentin e Kosovës në Uashington. Administrata Amerikane në mënyrë të palëkundur ndihmoi në arritjen e 60+ njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe i dha mbështetjen e saj ekipit ligjor të Kosovës për të arritur vendimin kyç të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku thuhej se deklarata e saj e pavarësisë nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Nuk do të mundet që i vetëm i zgjedhuri President Biden të jetë zgjidhje për problemet e Kosovës. Sidoqoftë, Biden e njeh Kosovën, Bosnjën dhe rajonin nga afër dhe ai mund ti rregullojë problemet e saj. Ai është i nevojshëm tani më shumë se kurrë: që të inkurajojë zhvillimin ekonomik dhe angazhimin për qeverisje të mirë, të ndihmojë në arritjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në OKB dhe të inkurajojë më tej Serbinë që ta njohë Kosovën.

Udhëheqësit e Kosovës duhet ta shohin Presidencën e Biden si një thirrje për veprim. Ata duhet që të paraqesin ide dhe propozime konkrete dhe të punojnë ngushtë me komunitetin shqiptaro-amerikan, ndikimi i të cilit është në rritje e sipër në SHBA. Së bashku, këta udhëheqës duhet të artikulojnë në mënyrë të qëllimshme dhe të vazhdueshme interesat strategjike të Kosovës, dhe të lobojnë për to, meqenëse SHBA nuk do t’i artikulojë ato interesa për Kosovën.

Megjithatë, një SHBA e udhëhequr nga Presidenti Biden – për Kosovën, një mik i mirë në kohë të vështira – mund ti përmbushë interesat e Kosovës dhe të ndihmojë integrimin e vendit ashtu siç nuk ka bërë asnjë President para tij.

Opinionet e shprehura janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Drilon S. Gashi është specialist për zhvillim ndërkombëtar me bazë në Uashington. Ai ka punuar për tre vite në sektorin publik dhe jo-fitimprurës në Kosovë si dhe ka titullin Magjistër në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Columbia në New York.