Në Lova, Ishte Fqinji Kundër Fqinjit

Zoran Tepavac dëshmoi për palën mbrojtëse, një punëtor krahu nga Lova, i cili jeton tani në Serbi, e përshkroi situatën në fshatin, të enjten në gjyqin e 14 ish-luftëtarëve serbë për krimet e luftës të kryera në Kroacinë lindore.

“U qëlluan nga të gjitha anët, nga shtëpitë, rrugët dhe kodrat. Si kroatët, ashtu dhe serbët. Para se serbët të pushtonin Lovën, një zjarr i madh kishte filluar nga ana kroate”, tha Tepavac.

“Kur ushtarët panë se dikush po qëllonte nga shtëpia, do të gjuanin prapë. Disa herë hidhnin bomba mbi shtëpitë dhe kishte kohë kur hynin në shtëpi dhe i linin bombat nëpër dhoma”, shtoi Tepavac.

Në vitin 1991, Tepavac ishte anëtar vullnetar i forcave serbe të quajtura Policia e Krajinës.

Në vitin 2003, Zyra e Prokurorisë Kroate për Krime të Luftës ngriti akuza kundër tij dhe 17 anëtarëve të tjerë të forcave ushtarake serbe për krime lufte ndaj civilëve në fshatin e Lovës.

Gjykata Kantonale e Vukovarit, aktualisht është duke u marrë me rastin Lovas, por po i liston të pandehurit, ndërsa ata janë në arrati.

Deri më sot, Kroacia ka ngritur 1400 padi për krime lufte ndaj qytetarëve serbë, por pasi që Kroacia dhe Serbia nuk patën marrëveshje ekstradimi, rastet si ky i Lovës mbesin në një boshllëk ligjor.

Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Serbisë akuzoi 14 persona – Ljuban Devetak, Milan Devcic, Milan Radojcic, Zeljko Krnjajic, Miodrag Dimitrijevic, Darko Peric, Radovan Vlajkovic, Radisav Josipovic, Jovan Dimitrijevic, Sasa Stojanovic, Dragan Bacic, Zoran Kosijer, Petronije Stevanovic dhe Aleksandar Nikolaidis për të njejtat krime lufte ndaj 70 civilëve nga fshati i Lovës, në Kroacinë lindore, të kryera në vitin 1991.

Të akuzuarit ishin anëtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), mbrojtjes lokale civile territoriale serbe dhe formacionit paramilitar “Dushani i Madh”.

Dyshohet se grupi ka vrarë 22 civilë në shtëpitë dhe oborret e tyre, 23 persona në burgje të improvizuar, ndërsa 22 burra vdiqën si rezultat se u detyruan të ecnin përmes fushave të minuara.

Lovas është një komunë në Vukovar, qyteti i parë në Evropë që u shkatërrua nga luftimi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1991, Ushtria Jugosllave dhe njësitet paramilitare serbe rrethuan qytetin, pikërisht pas deklarimit të pavarësisë së Kroacisë nga Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë.

Rreth 7 000 raketa ranë në qytet gjatë rrethimit tremujor që vijoi, duke shkatërruar rreth 85 për qind të ndërtesave. Rreth 3 000 njerëz janë vrarë dhe pas rënies së qytetit më 18 nëntor 1991, mijëra joserbë janë dëbuar.

Vukovari mbeti nën kontrollin serb deri në vitin 1995. Marrëveshja e Daytonit për Bosnjën dhe marrëveshja Erdut për Kroacinë i përfundoi luftërat në rajon, dhe Vukovari ishte nën administratën e OKB-së për dy vite para riintegrimit në Kroaci, në vitin 1998.