Në Kroaci, gratë shqiptare luftojnë paragjykimin dhe normat patriarkale

Kroacia ka qenë prej kohësh shtëpi për mijëra shqiptarë nga i gjithë Ballkani, por gratë, midis tyre, kanë luftuar kundër paragjykimeve dhe normave patriarkale për vendin e tyre në shoqëri. A po ndryshojnë gjërat?

 

Mrija Kajtazi dhe Vera Lekaj Dedaj u vendosën secila me familjet e tyre në Kroaci nga Kosova e tyre amtare, dhjetë vjet larg njëra-tjetrës.

Kajtazi u largua në vitin 1989, viti kur Sllobodan Millosheviç i hoqi autonominë krahinës së atëhershme jugore të Serbisë. Lekaj Dedaj u largua në vitin 1999, kur NATO-ja zhvilloi bombardimet për të ndaluar një valë vrasjesh dhe spastrimesh etnike nga forcat serbe që përpiqeshin të shtypnin një kryengritje guerile të shqiptarëve të Kosovës.

Kajtazi u vendos në Gospic, një qytet në male rreth 45 minuta me makinë nga bregdeti, ndërsa Lekaj Dedaj e ngriti shtëpinë e saj në qytetin portual të Rijekës.

Periudha të ndryshme, vende të ndryshme. Megjithatë, përvojat e tyre jetësore në Kroaci kanë qenë jashtëzakonisht të ngjashme, duke reflektuar një traditë kulturore konservatore midis disa familjeve shqiptare që i vendos burrat përpara dhe i mban gratë kryesisht në shtëpi, si dhe paragjykimet brenda shoqërisë kroate ndaj shqiptarëve.

“Në atë kohë, ndihmoja burrin tim dhe rrija në shtëpi”, tha 68-vjeçarja Lekaj Dedaj, tani pensioniste dhe gjyshe, bashkëshorti i së cilës kishte një dyqan argjendi në Rijeka.

“Në mëngjes, shkoja në dyqanin ku punonte burri im, pastaj kthehesha në shtëpi për të përgatitur drekën dhe pasdite vonë shkoja përsëri për të ndihmuar burrin në dyqan.”

Rrethi i saj shoqëror përbëhej nga gra të tjera shqiptare në qytet.

“E dija pak gjuhën kroate. Nuk mund të bëja një bisedë të plotë me dikë tjetër. Tani e di më mirë.”

Kajtazi, e cila kaloi 20 vjet në Kroaci para se të rikthehej në Kosovë, gjithashtu i kalonte ditët e saj duke bërë punët e shtëpisë dhe duke ndihmuar në furrën që kishte bashkëshorti i saj.

“Në mëngjes shisja. Pasdite pastroja”, tha ajo.

Ishte, dhe për disa është akoma, një mënyrë jetese që bëri që shumë gra shqiptare në Kroaci të konsideroheshin midis vendasve si “të padukshme”. Megjithatë, ka disa shenja ndryshimi.

“Burri është gjithmonë në plan të parë”, tha Shenida Bilali e shoqatës “Mbretëresha Teuta” e grave shqiptare në Kroaci. “Ai është ai që lufton dhe flet. Dhe kështu funksionon ende, pavarësisht nga fakti se ai bën gjëra bashkë dhe njësoj si gruaja e tij.”

“Deri para 10 vjetësh nuk gjeje as edhe një grua shqiptare në banak.”

Emigrimi ekonomik

Mrija Kajtazi dhe burri i saj Toni në Kosovë. Foto: BIRN/Fjori Sinoruka

Që nga regjistrimi i fundit i popullsisë, në vitin 2011, në Kroaci kishte 17,513 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në kryeqytet, Zagreb, gadishullin verior të Istrias dhe qytete të tjera përgjatë bregdetit, të tillë si Rijeka.

Por ata filluan të emigronin në Kroaci shumë më parë sesa Kajtazi dhe Lekaj Dedaj.

Ndër të parët ishin katolikë nga veriu i Shqipërisë, të cilët emigruan në qytetin bregdetar kroat të Zadarit në shekullin e 18-të për t’i shpëtuar islamizimit të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane.

Të njohur si Arbanasi ose Arbëresh, shumë prej pasardhësve të tyre jetojnë në një lagje të Zadarit të quajtur gjithashtu Arbanasi.

Disa, midis 300 dhe 500 njerëz, ende flasin një nga dialektet ose gjuhët më të rralla në Europë, një kombinim i dialektit gegë, copëza italishteje dhe të dialektit kroat që flitet në bregdetin Dalmat.

Më shumë shqiptarë emigruan në vitet 1960, këtë herë nga pjesët më të varfra të Jugosllavisë federale – Kosova dhe Maqedonia e Veriut – për të gjetur punë më të paguara në Kroaci, në atë kohë gjithashtu pjesë e Jugosllavisë.

“Këto shifra ishin relativisht konstante me kalimin e viteve”, tha profesori Besim Agusaj, i cili ka lindur në Kroaci, por është me origjinë nga shqiptarët e Kosovës. “Megjithatë, në vitet 1980 kemi lëvizje të reja që janë rezultat i krizës së madhe ekonomike si dhe i përndjekjes politike serbe.”

Marte Prekpalaj, një aktiviste për të drejtat e grave nga Kosova, tha se shumica e shqiptarëve punonin në biznese të vogla, sidomos nëpër furra buke ose argjendari.

“Në Jugosllavi ekzistonte liria për të udhëtuar. Në fillim ata shkuan në Serbi, në provincën veriore të Vojvodinës dhe, pas një farë kohe, ata filluan të shkonin në të gjithë Kroacinë”, tha Prekpalaj.

Pas luftës në Kosovë 1998-1999, “ata filluan të shkojnë atje sepse është e lehtë të marrësh vizë dhe pagat janë më të larta”, tha ajo.

Augustin Palokaj, një gazetar etnik shqiptar që jetonte në Kroaci, por që tani raporton nga Belgjika për gazetar kroate dhe kosovare, tha për BIRN: “Kroacia ishte një dritare për shqiptarët e diskriminuar. Shumë nga shqiptarët që më vonë u bënë elita shoqërore në Kosovë u arsimuan në Universitetin e Zagrebit.”

Suksese pavarësisht paragjykimeve

Familja Kajtazi drejton një muze të vogël në qytetin e tyre dedikuar jetës së shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë. Foto: BIRN/Fjori Sinoruka

Jeta nuk ishte aspak e lehtë për gratë e familjeve shqiptare që u vendosën në Kroaci, tha Prekpalaj.

“Shumica e tyre punonin gjatë gjithë kohës në furra dhe në shtëpi”, tha ajo. “Ata nuk ishin kurrë shumë të integruara në shoqëri.”

Gjuha është një pengesë e madhe, por më pak për disa të reja shqiptare, duke u hapur kështu derën disave për arsim të lartë dhe karriera të suksesshme.

Një deputete në parlamentin kroat që nga viti 2015, vajza e Lekaj Dedaj, Ermina Lekaj Prljaskaj, është provë e gjallë se sa shumë kanë ndryshuar gjërat, por rruga nuk ishte e lehtë.

“Kisha nevojë të luftoja për atë që kam arritur”, tha Lekaj Prljaskaj, 49 vjeçe, për BIRN. “Kishte shumë paragjykime.”

E diplomuar në fakultetin juridik të Rijekës, Lekaj Prljaskaj u ngrit në detyrë dhe u bë shefe ligjore në departamentin e burimeve njerëzore të kompanisë publike të ujit Vodovod, ku ajo kujtoi se e pyetën: “Jeni e sigurt që jeni shqiptare? Si jetoni? Ju nuk jeni si ata.”

“Kështu që i pyeta: ‘Ç’doni të thoni me nuk jam si ‘ata’? Unë jam ‘ata’”, tha ajo.

Shumë gra shqiptare në Kroaci kanë përjetuar paragjykime të ngjashme, tha Lekaj Prljaskaj. Shoqëria “në një farë mënyre, nuk lejon integrimin e tyre”, tha ajo. “Dhe ato stepen.”

“Ka përqeshje dhe tallje, gjë e cila nuk u jep atyre një shtysë për t’u socializuar dhe integruar më shumë në shoqërinë kroate.”

Pengesa gjuhësore

Një tjetër pengesë për gratë shqiptare është se ato nuk kanë dokumente kroate ose nuk kanë të drejtat që ato mund të të ofrojnë. Shumë fillimisht erdhën me qëllimin për të qëndruar vetëm përkohësisht dhe tani i druhen deportimit të mundshëm, tha Bilali e shoqatës “Mbretëresha Teuta”.

Ministria e brendshme kroate i tha BIRN se 290 shtetas nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë regjistruar aktualisht për të marrë shtetësinë kroate, nga të cilët 141 janë gra.

Megjithatë, aktivistët thonë se gjuha mbetet pengesa më e madhe për integrimin e grave shqiptare në shoqërinë kroate.

“Ka shumë gra shqiptare që nuk dinë asnjë fjalë në gjuhën kroate”, tha Bilali. Shoqata e saj planifikon të rifillojë mësimet e gjuhës që u ndërprenë për shkak të mungesës së burimeve, “dhe unë mendoj se do të bëjmë gjëra të mëdha me të”, tha ajo.

Mira Perlleshi e “Drita”, një shoqatë grash shqiptare, tha se kjo ishte një problem edhe për burrat shqiptarë, pasi midis punëdhënësve kroatë ekziston perceptimi se shqiptarët nuk kanë nevojë për punë, sepse ata mund të gjejnë lehtësisht një punë brenda komunitetit të tyre.

“Ajo që dëgjon më shpesh është: ‘Hë pra tani! Ti je njerëzit e tu, kështu që do të të marrin ata në punë’”, tha Perlleshi.

Lekaj Prljaskaj, e cila si deputete punon për të drejtat e pakicave kombëtare në Kroaci, tha se ajo njihte disa gra shqiptare që po punojnë intensivisht për të mësuar kroatisht, “por këta janë brezat e rinj,” tha ajo, “që duan ta zotërojnë sa më shpejt që është e mundur gjuhën dhe të mund të jenë pjesë e shoqërisë”.

Por të gjitha përballen me paragjykime. “Sikur të mund ta ndalonim disi këtë gjë”, tha Lekaj Prljaskaj, “ose të paktën ta zbusim.”