Në Kosovë, zhgënjimi në rritje e sipër lidhur me rrugën e premtuar që shpie në drejtim të Malit të Zi

Në Kosovën perëndimore, autoritetet lokale po refuzojnë ta ndryshojnë trasenë e një rruge për ta anashkaluar tokën që i është dorëzuar me urdhër gjykate një manastiri ortodoks serb të shekullit të 14-të. Gjashtë vjet pas fillimit të ndërtimit, rruga mbetet ende e papërfunduar.

Si fëmijë, Abedin Pepaj udhëtonte me kalë ose traktor për ta kaluar verën me familjen e tij në malet që shtrihen në kufirin perëndimor të Kosovës me Malin e Zi, duke e shijuar panoramën dhe ajrin e freskët malor.

Sot, ai po ndërton një shtëpi të vogël prej druri mbi themelet e strehës së vjetër që ka qenë në familjen e tij prej gjeneratash të tëra. Fqinjët po e bëjnë të njëjtën gjë po ashtu, duke i rregulluar shtëpitë që ishin shkatërruar gjatë viteve të neglizhencës.

Ata po inkurajohen nga fillimi i ndërtimit në vitin 2015 të një rruge të re që lidh komunën e Deçanit me Plavën në Mal të Zi, në anën tjetër të maleve.

Kjo rrugë do të shkurtonte ndjeshëm udhëtimin e Pepajt. Mirëpo, ai dhe fqinjët e tij janë ende në pritje të ndërtimit të kësaj rruge.

Më shumë se gjashtë vjet më vonë, ndërtimi i rrugës në fjalë është bllokuar nga kundërshtimet e Kishës Ortodokse Serbe, e cila thotë se rruga kalon shumë afër manastirit 14 shekullor të mbrojtur nga UNESCO të Deçanit dhe bie ndesh me Ligjin e Kosovës mbi Zonat e Mbrojtura të Veçanta.

Vite me negociata kanë dështuar për ta zgjidhur çështjen në fjalë.

“Rruga [e vjetër] është e vështirë për t’u vozitur dhe na kushton shumë për të ardhur këtu,” tha Pepaj. “Unë mendoj se duhet gjetur një zgjidhje për t’i anashkaluar problemet me manastirin”.

Presioni nga perëndimi

Si lokacion i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Manastiri i Deçanit është i vendosur në pyje në skaj të qytetit Deçanit. Që nga lufta e Kosovës në vitet 1998-99, kur NATO ndërhyri me sulme ajrore për t’i dëbuar forcat serbe të akuzuara për vrasjen dhe dëbimin e civilëve gjatë fushate brutale ushtarake kundër shqiptarëve kryengritës, manastiri është mbrojtur nga paqeruajtësit e NATO-s.

Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, duke premtuar se do ta mbronte pakicën e saj të vogël serbe dhe objektet e tyre fetare në territorin e konsideruar nga shumë serbë si djepi i kombit dhe besimit serb.

Që nga viti 2009, Manastri i Deçanit e ka pretenduar pronësinë e rreth 24 hektarëve tokë që thotë se janë konfiskuar nga autoritetet komuniste të epokës jugosllave; Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të saj në vitin 2016, mirëpo komuna ka refuzuar t’ia kthejë tokën Manastirit.

Në vitin 2014, plani fillestar për një rrugë 33 kilometërshe deri në Plavë parashikonte një bypass (anashkalim) për ta shmangur territorin e manastirit, mirëpo ky plan u ndryshua.

Sipas planit aktual, rruga do të kalojë në tokën që i është dorëzuar manastirit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke u larguar rreth pesë km nga manastiri.

Mbështetësit kryesorë perëndimorë të Kosovës, të cilët e njohën Kosovën si të pavarur përkundër kundërshtimeve të Serbisë dhe aleatit të saj të fuqishëm, Rusisë, u kanë kërkuar autoriteteve në Prishtinë që ta respektojnë Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili e ndalon ndërtimin e rrugëve të tilla për shkak të ndikimit të mundshëm.

Komuna lokale e Deçanit dhe shumë banorë, megjithatë, thonë se rruga e re është e rëndësishme për ekonominë lokale; rreth 70 për qind e popullsisë jeton nga prodhimet e drurit, bujqësia dhe fermat në një zonë të pasur me pyje pishe, përrenj dhe lumenj.

“Nuk ka më shanse që t’i rikthehemi planit fillestar që parashikonte një bypass për ta shmangur kalimin nëpër territorin e manastirit”, deklaron Bashkim Ramosaj, kryetar i komunës së Deçanit.

Ai tha se puna do të rifillojë në shtrirjen deri në kufi, por për sa i përket pjesës më afër Manastirit të Deçanit, “status quo-ja mbetet ende”.

BIRN e ka kontaktuar manastirin dhe dioqezën ortodokse serbe ku bën pjesë, por nuk mori asnjë përgjigje.

Frika është e tepërt, thonë banorët

Një pjesë piktoreske dhe kryesisht e egër e Bjeshkëve të Nemuna, rajoni mbi Deçan është i ndarë me gryka, kanione dhe lugina. Mirëpo pyjet po priten për t’i hapur rrugë ndërtimeve pa leje.

Ndonëse i mungojnë dokumentet e nevojshme, Muharrem Ferizaj ka filluar ta ndërtojë një vilë afër majës së malit të Belegut në një parcelë të ndërtuar fillimisht nga babai i tij, por negocimi i rrugës së vjetër malore po del të jetë i vështirë.

“Edhe duke i përdorur Jeep-a për vozitje po del të jetë e vështirë sepse rruga është e zorshme dhe e rrezikshme, veçanërisht deri në muajin maj për shkak të akullit”, tha ai për BIRN. “Ne kemi vështirësi të mëdha dhe jo të gjithë kanë automjete të mëdha për ta përdorur këtë rrugë”.

“Nuk ka infrastrukturë, nuk ka energji elektrike, nuk ka internet, asgjë”.

Megjithatë, Ferizaj shtoi se ishte dakord për marrëveshjen e autoriteteve me manastirin për rrugën, “që të ketë mirëkuptim të ndërsjellë për ta lehtësuar turizmin dhe jetën e banorëve të Deçanit”.

Disa në Deçan thonë se manastiri nuk ka pse të frikësohet.

“Rruga nuk përbën asnjë kërcënim për manastirin dhe askënd. Populli ynë e ka mbrojtur për një kohë të gjatë”, tha banori vendas Agron Demukaj, paraardhësit e të cilit shërbenin si roje të manastirit kur rajoni ishte nën sundimin osman.

Manastiri, tha ai, është pjesë e kulturës dhe historisë së zonës duke shtuar se “rruga zhvillon dhe lidh njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi. Ndihmon njerëzit, turizmin, si dhe është një urë komunikimi me njerëzit përtej kufirit. Nuk duhet penguar”.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti thotë se e mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Si kryeministër, më është kërkuar [nga bashkësia ndërkombëtare] që të mos ndërhyj në punën e institucioneve tjera. Megjithatë, kur është fjala për manastirin e Deçanit, më kërkuan që ta mbështes vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Financimi për rrugën mbetet i disponueshëm, tha për BIRN Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke shtuar se ndërtimi do të rifillojë “sapo kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme”.

Në Mal të Zi, komuna e Plavës ka deklaruar gjithashtu se po planifikon të financojë për ndërtimin e zgjatjes së rrugës nga ana e territorit malazez.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight