Në Konçul e Bërnjak Nis Zbatimi i IBM-së
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës ka përshëndetur fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar te Kufirit (IBM) mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, edhe në pikat kufitare Bërnjak dhe Dheu i Bardhë – Konçul.
“Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje synon lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave. Menaxhimi i kufijve shtetërorë është në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian dhe shënon një hap të madh në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”, thuhet në një komunikatë shtypi të MPB-së.
Në vendkalim, pos shenjave të komunikacionit nuk është vendosur asnjë simbol shtetëror. Doganierët shqiptarë, për shkak të bllokimit të rrugës, në vendkalimin që gjendet në veri të Kosovës, kanë shkuar me helikopter, raportojnë medie serbe.
Më herët, nga 10 dhjetori, kishin nisur të funksionojnë pikat e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Merdar, ashtu siç ishin marrë vesh kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, në takimin e tyre të tretë në Bruksel.
Ministria e Brendshme e Kosovës ka falënderuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, ata të Doganës së Kosovës dhe të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në përgatitjen e infrastrukturës dhe aspekteve të tjera teknike për fillimin e këtij procesi.
MPB-ja dhe agjencitë shtetërore përgjegjëse për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, mbeten të përkushtuara në përmbushjen e obligimeve të tyre në kuadër të dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, theksohet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Kosovës.