Stacioni i Autobusëve || Ilustrim: Trembelat

Në kohë pandemie, Stacioni i Autobusëve jep tender për ta vlerësuar kënaqësinë e konsumatorëve

Megjithëse linjat e autobusëve  dhe shumë biznese të tjera nuk po punojnë që nga 13 marsi, Ndërrmarja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë pritet të paguajë një kompani që do të realizojë hulumtim mbi atë se sa të kënaqur janë konsumatorët e kësaj ndërmarrjeje.

Ndërmarrja nuk ka shpjeguar se si do të realizohet hulumtimi kur momentalisht nuk kanë pasagjerë dhe konsumatorë të tjerë.

Autobusët me linja ndërurbane që hyjnë e dalin në këtë stacion nuk janë duke punuar për shkak të vendimit të qeverisë me një varg masash për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID-19. Ky vendim i qeverisë pritet të jetë në fuqi të paktën deri më 6 prill.

Ndërmarrja që menaxhohet nga komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, funksionon me të hyra vetanake. Kjo ndërmarrje më 6 mars kishte hapur tender dhe  kishte parashikuar kontratë në vlerë prej 5 mijë eurove nga mjetet vetanake të saj për realizimin e hulumtimit mbi kënaqësinë e konsumatorëve.

Më 30 mars, ndërmarrja njoftoi për dhënie të kontratës për kompaninë “Global Consulting& Deveploment Associates” nga Gjilani. Nëse procedurat e ankimimit nuk ndryshojnë procesin, kjo kontratë parashihet të nënshkruhet më 7 prill.

Në dosjen e tenderit, ndërrmarja ka treguar edhe arsyet se pse po e bën këtë matje të kënaqësisë së konsumatorëve, që sipas tyre është i bazuar në ligj.

Sipas ndërrmarjes, vlerësimi i tillë është shumë me rëndësi sepse i ndihmon në zhvillimin e objektivave strategjike në vijim.

Ndërrmarja ka shtuar se kompania e përzgjedhur do ta bëjë matjen në bazë të intervistimit me pranuesit e shërbimit, që janë udhëtarët.

Detyrat tjera për kompaninë fituese janë: Përpilimi i pyetësorit ; Të përcaktojë mostrën përfaqësuese për intervistimin e pranuesve te shërbimit; Të bëjë intervistimin e pranuesve te shërbimit përmes intervistimit direkt; Të bëjë analizimin e te dhënave me ndonjë prej programeve- softuerëve i cili përdoret për analiza dhe vlerësime të këtij lloji si dhe të përgatitë raportin final dhe ta dorëzojë deri në kohën e përcaktuar.

Ndërrmarja Publike Lokale po ashtu në njoftimin për kontratë ka shtuar se kompania e përzgjedhur do të bëjë pyetësorin i cili do të përdoret për këtë vlerësim.  Sipas tyre, pyetësorët duhen të kenë pyetje të përgatitura të cilat do të masin kualitetin e shërbimeve në mënyre sasiore dhe kualitative.

“Pra, pyetësori duhet të këtë pyetje të kombinuara me qëllim të arritjes së rezultatit të dëshiruar. Ndërmarrja do të sigurojë të gjitha aranzhimet e nevojshme logjistike për ofruesin e shërbimeve. Përfaqësuesi i ndërmarrjes do të sigurojë hapësirë të mjaftueshme të punës për ofruesin e shërbimeve”, thuhet në dokument.

Si kriter për fitimin e këtij tenderi ishte që kompania e përzgjedhur duhet te ketë përvojë se paku 5 vjeçare në lëminë të cilën duhet të angazhohet si dhe ato duhet të arsyetohen me prezantimin e portofolios së punëve të bëra ne 5 vitet e fundit.

Fituesi i tenderit kishte ofruar çmimin më të ulët

Për këtë tender të hapur me 5 mars, disa ditë para se të regjistroheshin rastet e para me coronavirus në Kosovë, ishin interesuar 5 kompani.

Por, kompania fituese e këtij tenderi është shpallur “Global Consulting& Deveploment Associates” nga Gjilani.

Për këtë aktivitet të prokurimit, ishte përdorur procedura e çmimit të kuotimit me kriter çmimi më të ulët.

Më pas, më 3o mars, Ndërmarrja Publike  “Stacioni i Autobusëve” , ka përzgjedhur kompaninë fituese, e cila kishte ofruar shërbimin me 998 euro, më lirë se të gjitha kompanitë e tjera. Kurse, nënshkrimi i kontratës është paraparë të bëhet me 7 prill.

Në dosjen e tenderit të publikuar në faqen elektronike të prokurimit, është bërë e ditur se 4 kompanitë e tjera kishin ofruar shërbimin me çmim më të lartë se kompania fituese.

Kompania N.Sh “Asixon”, kishte ofruar çmimin 1 mijë e 596 euro e 54 cent, kompania D&D Business Support 2 mijë euro, PMB Global 3 mijë e 250 euro, N.Sh “Eco Mjedisi” 4 mijë e 555 euro.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të ndërmarrjes publike për të marrë sqarime se për çfarë do t’i përdorin të dhënat si dhe si do ta bëjnë vlerësimin në kohë pandemie dhe është duke pritur përgjigje.

Historiku i ndërrmarjes

NPL “Stacioni i Autobuseve” Sh.A. Prishtinë, pas përfundimit të luftës, është administruar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

Në ndërkohë, në vitin 2015 është transformuar në ndërmarrje publike komunale, si shoqëri aksionare me Kuvendin Komunal (KK) të Prishtinës, si pronar të vetëm të ligjshëm të të gjitha aksioneve të ndërmarrjes.

Në këtë kontekst, KK i Prishtinës ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e parapara me ligjet në fuqi, por edhe me Statut dhe akte të tjera nënligjore të ndërmarrjes.

Ndërmarrja realizon të hyra vetanake dhe nuk varet nga buxheti komunal. Burimet kryesore të hyrave janë shërbimi i peronizimit (pranimi dhe përcjellja e autobusëve), shërbimi i shitjes së biletave për operatorët e transportit, shërbimi i ruajtjes së bagazhit të udhëtarëve, shërbimi i parkingut, shërbimi i poligoneve për auto shkolla, qiradhënia e lokaleve afariste në pronësi të Stacionit.