Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Në kohë pandemie, Kosova zhytet edhe më thellë në krizë politike

Pas njoftimit të djeshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) se ka marrë dritën e gjelbër për koalicion me disa parti, presidenti i vendit Hashim Thaçi u përkujdes që t’ia shkruajë edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) njëherazi kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, duke i kërkuar për të tretën herë emrin për mandatarin.

Thaçi kërkoi nga Kurti që letrës së tij t’i përgjigjet ‘brenda një periudhe të arsyeshme kohore’ sepse sipas tij në këtë situatë emergjente të krijuar pas pandemisë COVID-19 qytetarët janë duke kërkuar sa më shpejtë një qeveri të re.

“Si president i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues, që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë Qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë COVID-19, e cila kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetues”, ka shkruar mes tjerash presidenti.

Për njohësit e çështjeve politike në vend, presidenti Hashim Thaçi është bërë aleat i opozitës.

Sipas tyre,  çështja e formimit të një qeverie të re pa partinë fituese mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të ishte përbuzje e vullnetit të qytetarëve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar zëdhënësin e LVV-së, Arlind Manxhuka, për të marrë një qëndrim në lidhje me kërkesën e presidentit Thaçi si dhe paralajmërimin e LDK-së, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ai nuk është përgjigjur.

AAK pro koalicionit me LDK-në, Nisma ende pa vendim

Dje Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së votoi pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave. Nga 124 anëtarët 108 votuan për, 6 kundër si dhe 10 abstenime.

Të gatshëm për një koalicion të tillë u shprehën zyrtarë të AAK-së.

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se në situatën aktuale të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19, një koalicion i mundshëm ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe minoriteve, do ta menaxhonte më mirë sesa Qeveria aktuale.

“Ne do ta përkrahim koalicionin e tillë, në mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe minoriteteve meqë ne jemi në një situatë jo fort të favorshme për menaxhimin e krizës dhe çështjeve të tjera. nëse LDK-ja e merr përgjegjësinë, bashkë me AAK-në dhe Nismën, mendoj që do të menaxhohet shumë më mirë”, ka thënë Lekaj në një prononcim për KALLXO.com.

Ndërsa ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë dhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë biseduar me LDK-në për koalicion, pasi që sipas tij janë duke i pritur hapat që do t’i marrë presidenti.

“Ne ende nuk kemi biseduar për këtë çështje me LDK-në për arsye se ende nuk dihet se kush ka me marrë mandatin. Në bazë të Kushtetutës e ka të përcaktuar mandatarin për herë të parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka kalu afati. Pastaj ne presim veprimet e presidentit të Kosovës, pas asaj, varësisht se kujt ia jep mandatin atëherë organet kryesore të Nismës, kryesia qendrore dhe organet e saj drejtuese do të marrin vendim për çështjen e koalicionit”, tha Endrit Shala në një bisedë për KALLXO.com.

Ndonëse tani kërkon të formojë qeveri të re, ishte pikërisht LDK ajo që inicioi mocionin e mosbesimit të 25 marsit ndaj Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.

Një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve

Njohësit e çështjeve politike, Donika Emini si dhe Blerim Vela, ndajnë të njëjtin mendim se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), momentalisht është e fokusuar në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe jo në çështjen e mandatarit.

Emini e cila është drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos” ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë hezitimi i NISMA-s është tentativë për të rritur fuqinë e saj negociuese, duke shtuar se edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në heshtje do ta mbështesë këtë qeveri.

“PDK do të jetë mbështetës në hije i kësaj qeverie sado që kjo po tentohet të fshehet prej votuesve të LDK-së për arsye të krizës që pritet kjo parti të ketë me konstituencën e saj. Edhe pse këto parti janë dakorduar në parim për bashkëpunim, këtu nuk duhet harruar parti të vogla të cilat tashmë e dinë rëndësinë e tyre për të krijuar numrat, si NISMA e cila po tregon hezitim kjo veç sa për të rritur fuqinë negocuese dhe të marrë një pjesë të madhe të ministrive – diçka që e kemi të njohur tashmë si pjesë e pazareve politike”, ka thënë ajo.

Emini ka thënë se gjasat që të ndodhë skenari i Maqedonisë së Veriut – ku mandati i ka kaluar partisë së dytë fituese e jo VMRO që i kishte fituar shumicën në zgjedhjet e fundit, janë shumë të mëdha, sidomos tani kur SHBA po kërkon një qeveri për nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Krijimi i një qeverie pa përfshirjen e partisë ë cila ka marr shumicën e votave është shtrembërim i vullnetit të qytetarëve dhe do ta zhytë vendin në krizë edhe më të madhe politike dhe do të ndikonte në uljen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve dhe shtetit në një periudhë kohore tejet sensitive”, ka thënë ajo.

Sipas analistit politik Blerim Vela, LDK-së është duke iu përsëritur historia si në vitin 2014, e krejt kjo për shkak të mungesës së unitetit partiak.

“Lidershipi i LDK-së është duke ndjekur hapat e brendshme për të siguruar unitetin e brendshëm partiak lidhur me formimin e koalicionit të mundshëm. Kjo situatë i gjason shumë veprimeve të ndërmarra në vitin 2014 pak para se të formalizohej koalicioni mes LDK dhe PDK. Duhet theksuar se për shkak të statutit partiak dhe pushtetit tejet të gjerë të kryetarit të partisë që të përcaktoj anëtarësinë e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të partisë, të gjitha strukturat vendim-marrëse te LDK janë të mbushura me njerëz besnik të lidershipit aktual të partisë”, ka thënë Vela për gazetën JNK.

Sipas tij në këtë situatë deputetët kanë dy mundësi para vetes. Së pari, do të mund të votojnë shpërndarjen e Kuvendit me 2/3 e votave dhe të shkaktojnë zgjedhje të menjëhershme dhe së dyti, të afrohen me LVV-në formimin e një qeverie të re.

Ndërsa për kalkulime të tjera, Vela ka theksuar se çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Këto parti kanë gjetur aleatin e tyre më të rëndësishëm institucional, presidentin, i cili është shndërruar në pale që qartazi kundërshton propozimin e LVV dhe mbanë anën e partive tjera. Këto interpretime kundërthënëse politike se si duhet vepruar tutje duhet të sqarohen qofte me plotësimin të Kushtetutës në të ardhmen apo përmes ngritjes se çështjeve tek Gjykata Kushtetuese për interpretim te normave kushtetuese relevante”, ka thënë tutje ai.