Në Departamentin Ekonomik Lëndët Zgjidhen më Shpejt (TV)

Besard Elezaj, jurist i “Benita Company”, që ishte i përfshirë në një çështje gjyqësore, është i kënaqur me punën e Departamentit Ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ai tregon se departamenti veproi shpejt për të zgjidhur një kontest gjyqësor të lidhur me kompaninë ku punon.

“Me datë 13 shkurt kemi paraqit propozimin për përmbarim në gjykatë. Në afat prej pesë muajsh na është bërë ftesa. Më datë 11 korrik kemi arritur ujdi gjyqësore dhe jemi të kënaqur sa i përket departamentit ekonomik. “ tha Besard Elezaj, palë në kontest në këtë departament.

Gjykata Themelore e Prishtinës është e vetmja gjykatë në kuadër të së cilës vepron Departamenti për Çështje Ekonomike, me kompetencë për vendosjen e të gjitha çështjeve të tilla në tërë territorin e Kosovës.

Ky departament në fakt është vazhdimësi e Gjykatës Ekonomike të Qarkut të Prishtinës, e cila ka vepruar deri në ristrukturimin e sistemit në janar 2013.

Aty veprojnë 4 gjyqtarë që janë të përzgjedhur dhe kanë kaluar një periudhë të gjatë kohore në lëmin civile.

Numri i lëndëve të këtij departamenti edhe këtu është relativisht i madh duke e krahasuar me numrin e gjyqtarëve. Aty mesatarisht pranohen 1300 lëndë përgjatë një viti. 

Kështu gjatë 2012 janë pranuar 1653 lëndë, kurse janë zgjidhur 958 prej tyre.

Në këtë departament secili gjyqtar procedon së paku një lëndë brenda ditës, e kjo do të thotë që mesatarisht procedohen katër lëndë në ditë. Ndarja e lëndëve bëhet me short, rregull ky i përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Numri i lëndëve që zgjidhen rezulton të jetë afërsisht një normë e përcaktuar prej 20-22 lëndëve për një gjyqtar, përgjatë 30 ditëve, pra brenda një muaji përfundon procedimi i 80-100 lëndëve mesatarisht.

Departamenti Ekonomik merret me shqyrtimin e çështjeve të natyrës afariste, ose të natyrës tregtare, përkatësisht me konteste lidhur me kompensimin e dëmit, nga fusha e markave tregtare, falimentimit të bizneseve, kontestet nga konkurrenca në treg, monopoli në treg dhe kontestet nga e drejta autoriale.

Si palë në procedurë paraqiten kryesisht kompanitë, shoqëritë tregtare të regjistruara pranë Agjencionit të Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë,  por edhe ato nga shtetet fqinje.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ky departament në përgjithësi nuk është ballafaquar me vështirësitë që janë paraqitur në departamentet tjera.

“Mund të themi se në kuadër të kësaj gjykata departamenti për çështje ekonomike rezulton të jetë më funksional që nga fillimi i punës së tij dhe kjo falë faktit se ky departament ka vazhduar punën në të njëjtin lokal ku ka punuar më parë Gjykata Ekonomike e Qarkut. Kemi pas fat që kemi një gjyqtar që ka punuar dhe më herët aty, si dhe tre gjyqtarë tjerë që rezultojnë se janë mjaft të përgatitur në këto çështje”, tha ai.

Ibrahimi theksoi se edhe në këtë departament paraqitet mungesa e stafit adekuat, problem i cili i prek të gjitha departamentet.

Edhe në departamentin në fjalë nuk mungojnë lëndët e vjetra nga viti 2001, por ky numër është më i vogël në krahasim me lëndët civile të departamentit të përgjithshëm.

Kështu nga viti 2001 ka 3 lëndë të papërfunduara, nga 2002-10, nga viti 2003-24, 77 janë të 2004-ës, 51 datojnë nga 2005-ta, nga 2006-123, nga viti 2007 janë 192 lëndë të papërfunduara, nga 2008-208, 2009-356 kurse nga viti 2010- 503.

Edhe përpos faktit që funksionalizimi i këtij departamenti është shembull suksesi, kushtet në të cilat veprojnë gjyqtarët e tij nuk janë optimale sa do duhej të ishin. Kështu si problematik paraqitet numri i vogël i gjyqtarëve si dhe mungesa e bashkëpunëtorëve profesionalë në këtë departament.

“Ne presim që nga fundi i vitit të kalojmë në objektin e ri në Pallatin e Drejtësisë dhe me kalim në të, shpresojmë se do kemi kushte më të mira për punë, do të ketë hapësirë për pranimin e stafit më të madh të punës. “- deklaroi Ibrahimi.

Shumica e lëndëve zhvillohen nëpër zyrat e gjyqtarëve, sepse ky departament ka vetëm një sallë të gjykimit. Po ashtu gjyqtarët janë në pritje të uniformave.

 “Ne ndajmë këtë objekt me divizionin për kundërvajtje që ka numër të madh të gjyqtarëve dhe shumë raste. Ai objekt ku gjendet departamenti ekonomik as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për të qenë një gjykatë tregtare si dhe ne pretendojmë ta kemi.”- deklaroi Hamdi Ibrahimi.

Përpos këtyre vështirësive, ky departament është pjesë e një gjyqësori i cili garanton siguri maksimale juridike dhe financiare për bizneset në Kosovë, si dhe për ata që dëshirojnë të financojnë në Kosovë.

 “Për seancën në fjalë gjithçka ka shkuar në rregull dhe ne jemi marrë vesh me palën e cila na ka paditur. Jemi shumë të kënaqur”, deklaroi Vjollca Aliti, palë në këtë departament.

Raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës në të cilin janë shpalosur statistikat që reflektojnë punën e gjykatave, indikon se përgjatë vitit 2012 në Gjykatën Komunale të Prishtinës kanë qenë në punë gjithsej 59994 lëndë civile të shkallës së parë, prej të cilave vetëm 16.314 janë zgjidhur përgjatë 2012.

Nga ana tjetër prej 9.881 lëndëve penale të shkallës së parë janë zgjidhur 4.162 gjatë periudhës raportuese.