Ndryshimi i pikëve për kandidatët për bordin e Postës së Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka anuluar konkursin për bordin e Postës së Kosovës, i cili ishte shpalluar nga Qeveria Hoti në korrik të vitit 2020. 

Konkursi për bordin e Postës së Kosovës ishte zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanikë të angazhuar nga Ambasada britanike, mirëpo ishte monitoruar nga BIRN. 

Ky konkurs ishte përcjellë me shkelje, të cilat janë përshkruar në detaje në raportin e monitormit që BIRN e ka dërguar tek Ministria e Ekonomisë. 

Lista e kandidatëve dhe sidomos renditja e tyre finale është rezultat i ndryshimit të pikëve që kanë bërë dy anëtarë të komisionit vlerësues. Ndryshimi i pikëve për disa kandidatë kishte ndodhur pasi kishte përfunduar procesi i poentimit dhe renditja fillestare e kandidatëve të intervistuar.

Dy anëtarë të Komisonit për zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të Postës së Kosovës kanë ndryshuar pikët për tre kandidatë: Ylber Zabërgja, Vjollca Beka dhe Ekrem Ahmeti. Te disa kandidatë janë rritur pikët dhe te disa janë zvogëluar. 

Ndryshimet e pikëve kanë pasur ndikim tek gjysma e kandidatëve që ishin futur në listën e ngushtë.

Pas mbledhjes së pikëve të cilat ishin dhënë fillimisht nga të gjithë anëtarët e Komisionit, Ylber Zabërgja ishte radhitur i pari, Vjollca Beka dhe Sokol Duraku në pozitën e dytë, Ekrem Ahmeti në pozitën e 4-të dhe Mejdi Xhokli në pozitën e 5-të. Pjesa tjetër e listës, nga pozita e 6-të deri në atë të 12-të nuk ka ndryshuar edhe pas rritjes dhe zvogëlimit të pikëve.

Ndërsa pas ndryshimit të pikëve nga dy anëtarë, Ekrem Ahmeti nga pozita e 4-të është ngjitur në pozitën e parë, Sokol Duraku ka mbetur në pozitën e dytë, Mejdi Xhokli nga pozita e 5-të është renditur në pozitën e 3-të dhe Vjollca Beka, nga pozita e dytë, me pikë të njëjta me Sokol Durakun, është zhvendosur në vendin e 5-të.

Rritja dhe zvogëlimi i pikëve që ndryshuan renditjen

Në fund të intervistimit të të gjithë kandidatëve, anëtarët e Komisionit i kanë deklaruar pikët me të cilat i kanë vlerësuar secilin prej kandidatëve dhe jo pas çdo kandidati siç është praktikë e BDO-së.

Pikët e deklaruara nga të gjithë anëtarët e Komisionit për secilin kandidat janë shënuar në një fletë të bardhë. Pas deklarimit të pikëve të secilit, janë mbledhur pikët për të parë se cila është mesatarja për secilin kandidat. Pasi u pa renditja finale e kandidatëve, dy anëtarët e Komisionit vlerësues që ishin marrë me mbledhjen e pikëve të kandidatëve vendosën t’i lexojnë edhe një herë të gjitha vlerësimet dhe t’i ndryshojnë pikët.

Pikët u janë ndryshuar tre kandidatëve: Ylber Zabërgja, Ekrem Ahmeti dhe Vjollca Beka.

Te kandidati Ylber Zabërgja janë zvogëluar pikët nga dy anëtarë të Komisionit. Njëri nga anëtarët nga 31 pikë sa e kishte poentuar në fillim ia kishte ulur në 29 pikë. Anëtari tjetër kishte bërë një ndryshim më të madh, pasi i ka zvogëluar pikët nga 38 në 30. Rrjedhimisht totali i kandidatit Zabërgja prej 32,75 është ulur në 30,25 apo për 2.5 pikë më pak.

Te kandidati Ekrem Ahmeti janë rritur pikët, përkatësisht nga 36 në 38. Pas rritjes së pikëve nga njëri anëtar i komisionit, vlerësimi i Ahmetit është rritur nga 30,75 në 31,25 apo është rritur për 0,5 pikë.

Te kandidatja Vjollca Beka, janë zvogëluar pikët nga dy anëtarët e Komisionit. Njëri anëtarë i ka zvogluar pikët për Bekën nga 31 në 29, ndërsa anëtari tjetër i Komisionit i ka zvogëluar pikët nga 33 në 30. Pas ndryshimit të pikëve, mesatarja e kandidates Beka është ulur nga 31,25 në 30 apo për 1,25 pikë.

Ndryshimi i pikëve te tre kandidatët ka ndikuar edhe në radhitjen e kandidatit Mejdi Xhokli edhe pse të njëjtit nuk i janë ndryshuar pikët. Në vlerësimin e parë, Xhokli radhitej i 5-i ndërsa pas ndryshimit të pikëve Xhokli është zhvendosur dy pozita më lart, në pozitën e 3-të.

Dallimi i madh mes pikëve te anëtarët e Komisionit

Në vlerësimin e anëtarëve të Komisionit për kandidatët, është vërejtur dallim i madh te pikët që i kanë dhënë për të njëjtin kandidat. 

Edhe pse ka pasur dallime të mëdha në vlerësimin e anëtarëve të Komisionit, të njëjtit nuk kanë argumentuar pikët e tyre siç edhe është praktikë e BDO-së, kompanisë angleze të rekrutimit të angazhuar nga Ambasada britanike në Kosovë.

Dallimi më i madh në pikë mes anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat ka shkuar deri në 18 pikë. Kjo ka ndodhur te dy kandidatë.

Rasti i parë është te kandidati Shuajb Mehmeti, i cili është vlerësuar nga një anëtar i Komisionit me 36 pikë ndërsa nga një anëtare e Komisionit me 18 pikë. Dallimi në vlerësimin e tyre është 18 pikë apo dyfishi i pikëve.

Dallim prej 18 pikëve në vlerësimin e anëtarëve të Komisionit për një kandidat vërehet edhe te kandidati Ekrem Ahmeti, i cili prej dy anëtarëve të Komisionit është vlerësuar me nga 38 pikë ndërsa nga njëra anëtare e Komisionit me 20 pikë.

Dallimi në vlerësim mes anëtarëve të Komisionit varion nga 2 pikë deri në 18 pikë. 

Te kandidati Ramadan Sejdiu, dallimi në pikë shkon deri në 11 pikë; te kandidati Mehdi Pllashniku deri në 8 pikë; te kandidati Gazmend Rexhepi deri në 9 pikë; te Shefqet Bajrami deri në 9 pikë; te Hysni Ahmeti deri ka qenë 12 pikë ndërsa te kandidati Hysni Hoxha deri në 13 pikë.

Diskriminimi në kohën e intervistimit

Praktikë e BDO-së, kompanisë angleze të rekrutimit, e cila është e angazhuar nga Ambasada britanike në Kosovë në përzgjedhjen e pozitave të larta, është që koha e njëjtë e intervistimit të jetë për të gjithë kandidatët dhe e njëjta të matet nga anëtarët e Komisionit.

Por Komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Postës së Kosovës nuk e ka diskutuar se sa do të zgjasin intervistat me kandidatët. Gjatë intervistimit nuk është matur as koha e intervistimit nga asnjë nga anëtarët e Komisionit vlerësues dhe rrjedhimisht kandidatët nuk kanë pasur kohë të njëjtë për t’u përgjigjur në pyetjet e parashtruara.

Intervista më e gjatë ka zgjatur 23 minuta, ajo e kandidatit Ramadan Sejdiu ndërsa intervista më e shkurtë 7 minuta. 

Brenda 7 minutave janë përgjigjur në 6 pyetje kandidatët Gazmend Rexhepi, Shefqet Bajrami, Ekrem Ahmeti, Fadil Bytyqi.

Pas intervistimit të kandidatëve dhe para përfundimit të vlerësimit, te disa kandidatë është komentuar edhe performanca e tyre. Kjo nuk është praktikë e BDO-së, kompanisë angleze të rekrutimit, për shkak se mund të ndikojë në vlerësimin e anëtarëve të Komisionit për kandidatët.

Komisioni vlerësues përbëhej nga 5 anëtarë, kryesuesi i Komisionit Faruk Geci dhe anëtarët Mirsim Beqiri, Edi Gusia, Shahe Kukaj dhe Kujtim Gashi. Gashi nuk ka qenë i pranishëm gjatë përzgjedhjes së pyetjeve që do t’iu parashtroheshin kandidatëve dhe te shumica e kandidatëve të intervistuar kështu që pikët e tij nuk janë llogaritur as te kandidatët ku ai ka qenë prezent.

Në Qeveri ishin dërguar 12 emra prej të cilëve 6 do të përzgjidheshin për anëtarë të bordit të Postës së Kosovës. Lista që kishte shkuar në Qeverinë e Kosovës përbëhej nga kandidatët: Ekrem Ahmeti, Sokol Duraku, Mejdi Xhokli, Ylber Zabërgja, Vjollca Beka, Shuajb Mehmeti, Hysni Ahmeti, Ali Xhyliqi, Ramadan Sejdiu, Gazmend Rexhepi, Shefqet Bajrami dhe Florina Jerliu.

Intervistat për anëtarë të bordit të Postës së Kosovës janë realizuar më 1 dhe 2 mars 2020. Gjithsej janë intervistuar 15 kandidatë nga 19 sa ishin në listë të ngushtë.