Ndikimi i pandemisë, Galeria Kombëtare gati për ekspozitën e radhës

Nëntë artistë kosovarë do të ekspozojnë krijimet e tyre të krijuara dhe frymëzuar nga pandemia që ka kapluar botën. Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” do të hapet më 10 nëntor 2021, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

E kuruar nga Gazmend Ejupi, ekspozita si qëllim të vetin ka shpërfaqjen e një të kaluar që po vazhdon edhe tani.

Bllokimi për muaj të tërë, kufizimet e lëvizjes, zvogëlimi i mundësive krijues dhe performuese, për shkak të COVID-19, ka lënë pasoja edhe në krijimtarinë pamore, duke i shtyrë krijuar në forma alternative të shprehjes artistike.

Kjo ekspozitë shihet edhe si një përgjigje e mirë ndaj shumë pyetjeve të ngritura lidhur me kufizimet që po imponon COVID-19, në raport me marrëdhëniet ndërmjet krijuesve.

Naim Spahiu, Ushtrues i Detyrës së drejtorit të GKK-së ka thënë për KALLXO.com se përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë”, artistët pjesëmarrës përmes mediumet e ndryshme do të paraqesin krijimet e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe një përgjigje ndaj saj.

“Nga 40 aplikime sa kishim janë përzgjedhur nëntë krijues. Ekspozita do të hapet më 10 nëntor 2021. Nëntori është muaj i ngjeshur me ekspozita. GKK do të prezantojë gjatë këtij muaji edhe dy ekspozita tjera, më 8 dhe 12 nëntor”, ka thënë Spahiu.

Pritjet nga ekspozita

Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi ka thënë për KALLXO.com se qëllimi i kësaj ekspozite është rikujtimi i të kaluarës e cila është duke vazhduar edhe në kohën tonë.

“Çka është me rëndësi që do të shpërfaqet gjatë kësaj ekspozite është shfrytëzimi i hapësirës. Mënyra se si është kuruar e ka një lloj ngjarjeje, që fillon nga instalacioni deri të performanca”, ka potencuar Ejupi.

Ai ka thënë se performanca e cila realizohet gjatë hapjes dokumentohet me video dhe videoja do të shfaqet në vazhdimësi gjatë ekspozitës.

“Kemi edhe diçka tjetër që do të eksperimentohet me publikun. Kemi edhe një performancë surprizë për publikun, ku trajtohet situata e pandemisë në mënyrë shumë brutale”, ka thënë ai.

Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor 2021.

Pjesëmarrësit e ekspozitës do jenë: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Laureta Hajrullahu & Shkamb Jaka, Renea Begolli dhe Valdrin Thaçi.