Prishtina

Ndihmat e komunave gjatë pandemisë për familjet e rikthyera nga Siria e Iraku

Për më shumë se një vit, gratë të cilat janë rikthyer  nga Siria e Iraku për në Kosovë po mundohen të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme në mënyrë që të ri-socializohen dhe ri-integrohen në shoqëri.

Pandemia e cila kaploi të gjithë botën edhe në Kosovë krijoi vështirësi në gjendjen ekonomike të familjeve ndërsa institucionet kosovare, me anë të ndihmave ushqimore e higjienike mundoheshin që të ndihmonin familjet të cilat nuk kishin të ardhura të mira financiare.

Në përgjithësi, aktivitete të shumta u ndërprenë edhe ato për fëmijët që u rikthyen bashkë me nënat e tyre, nga Siria, por edhe aktivitetet me gratë të cilat mundoheshin që të trajnoheshin në zanate të ndryshme në mënyrë që të bëheshin pjesë e shoqërisë madje edhe të fitonin vet.

Për këto trajnime për KALLXO.com ishte deklaruar edhe Udhëheqësja e Departamentit për ri-integrim, Ganimete Gërbovci.

“Objektivat tona janë që gratë të gjenerojnë të ardhura dhe si ministri e jona është që të i trajnojmë se si të menaxhohen financat gjithashtu pjesa tjetër që bashkërisht me komunitetin e biznesit të i sigurojmë që të kenë shitje të produkteve që i krijojnë. Po besoj që edhe gratë kanë me qenë të lumtura sepse shumica e nënave janë edhe nëna vetushqyese. Ato marrin social dhe sociali nuk është shumë i lartë dhe kjo do të i ndihmonte shumë kjo pjesa e gjenerimit të ardhurave me produktet e tyre”, thotë ajo.

Gërbovci kishte treguar edhe për vizitat dhe ndihmat që u ishin ofruar grave të riatdhesuar në Kosovë, gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Deri sa tregon procesin e ndihmave, Gërbovci thotë se kërkesat kyçe të grave kanë qenë ushqimi e higjiena.

“Ne kemi vizituar të gjitha këto familje gjithashtu kemi shtrirë rrjetin e vizitave, kemi vizituar edhe familje të personave që janë liruar nga burgjet e që pritet të lirohen nga burgjet. Kërkesa e parë ka qenë ushqimi dhe higjiena dhe këto i kemi kryer. Jemi munduar që të i mbulojmë kërkesat e tyre. Kërkesat janë akoma më të mëdha por jemi në koordinim me partnerët tanë që të shikojmë mundësinë apo formën e mëtutjeshme sepse është bërë një plan i mirë, kështu që e kanë vullnetin dhe mundësinë dhe do të i realizojmë aktivitete edhe më të mira për këto familje”, thotë ajo për KALLXO.com.

Në lidhje me ndihmat që kanë ofruar Komunat e Kosovës, për familjet e rikthyera nga Siria, KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga disa komuna.

Komuna e Prishtinës, ani pse me një numër të lartë të familjeve të cilat janë rikthyer nga Siria e Iraku në fund të vitit të kaluar, nuk është përgjigjur në kërkesën e KALLXO.com për ndihmat që u ka ofruar këtyre familjeve.

Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk kanë ndonjë statistikë se sa të rikthyer janë të njëjtën komunë pasi që sipas tij nuk është kërkuar ndonjë ndihmë nga ana e tyre.

“Sa i takon rasteve të riatdhesimit nga vatrat e luftës në Siri e Irak ne si zyre nuk kemi asnjë informatë se kush është riatdhesuar nga atje pasi që nuk ka pasur asnjë rast që ka kërkuar ndihmë nga ne”, ka thënë për KALLXO.com Ekrem Merovci, Koordinatori Komunal për Ri-atdhesim në Vushtrri.

Në lidhje me ndihmat të cilat i janë ofruar familjeve të rikthyera nga Siria, vitin e kaluar dhe kërkesat e tyre gjatë kohës së pandemisë, për KALLXO.com është deklaruar edhe Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Alija.

“Mund të ju them se ne kemi pasur tri familje që janë rikthyer nga vatrat e luftës, një familje nuk ka dashur ndihmë pasi që kanë pasur kushte të mira ekonomike, një grua tjetër nga Vitia ka shkuar në Prizren te familjarë të saj ndërsa ndihma i kemi ofruar vetëm një familjeje”, tha Alija.

Tutje ai shtoi se gjatë kohës së pandemisë dy herë është ndihmuar familja e rikthyer nga Siria vitin e kaluar.

“Sipas statistikave ne kemi pasur një familje e cila është rikthyer nga Siria dhe vazhdon të jetoj në Komunën e Vitisë. Gjatë kohës së pandemisë e njëjta familje është ndihmuar dy herë “, tha Alija tutje për KALLXO.com.

Komuna e Gjilanit thotë se në përgjithësi janë shpërndarë më shumë se 6 mijë pako ushqimore, barna e ushqime për familjet që kanë pasur nevojë.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli tregoi se ndihmat janë shpërndarë edhe për familjet të cilat janë rikthyer nga zonat e Sirisë e Irakut për në Kosovë.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan përmes aktivitete e të Qendrës për Punë Sociale ka ofruar shërbime sociale dhe familjare për familjet e rikthyera nga vatrat e luftës vitin e kaluar. Për 10 familjet në fjalë janë realizuar sesione këshilluese individuale dhe familjare, vizita shtëpiake, referim në shërbim në asistencë. 10 familje janë përforurse të skemës së asistencës sociale”, tha Ismajli për KALLXO.com.

“Gjithashtu edhe gjatë periudhës së pandemisë këto familje janë ndihmuar me pako ushqimore, 10 kupon për tre muaj i janë shpërndarë familjeve përfituese të skemës së ndihmës sociale, pako për fëmijë me material shkollor dhe ndihmë materiale nga donator të ndryshëm”, shtoi Ismajli.

Për ndihmat e ofruara gjatë kohës së pandemisë për KALLXO.com është deklaruar edhe një grua, burri i së cilës ka udhëtuar drejtë Sirisë, për më shumë se 5 vite dhe i njëjti ende nuk është rikthyer, e gruaja nuk ka as edhe një informacion për të.

Gruaja tregoi se kanë marrë ndihma nga ana e institucioneve si ushqim e higjienë, ndërsa thotë se ndihma i janë dhënë edhe për djalin e saj i cili ka filluar shkollën.

“Po kemi marrë ndihma, ushqim, mjete higjienike që janë edhe djali ka marrë pajisje për në shkollë, se tash edhe ja ka fillu shkollës”, thotë gruaja për KALLXO.com.

Në Kosovë, vitin e kaluar u rikthyen 110 kosovar nga Siria e Iraku. 34 gra burrat e të cilave janë vrarë në Siri apo janë duke vuajtur dënimin për pjesëmarrje në luftëra të huaja, duhet të përkujdesen për fëmijët e tyre ndërsa institucionet kosovare kanë planifikuar aktivitete e trajnime të ndryshme për këto gra të cilat duan të jenë pjesë e shoqërisë.

KALLXO.com gjatë kohës së pandemisë, raportoi se si 12 gra do të pajiseshin me makina rrobaqepësie pasi që kishin mbajtur një kurs për qepje.

Rrëfimi i grave që pasë luftës në Siri e Irak synojnë ta ndërtojnë jetën në Kosovë

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.