Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Ndërtimet në Badovc - Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore me kërkesa të reja për Ministrinë e Ambientit dhe Komunën e Prishtinës

Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore me datë 29 janar të këtij viti, i është drejtuar me një shkresë Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në lidhje me ndërtimet në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Inspektoriati ka kërkuar nga Minstria në fjalë dhe Komuna e Prishtinës, që nëse dëshirojnë të lëshojnë leje për ndërtim në afërsi të Liqenit të Badovcit, fillimisht duhet të pajisen me pëlqim nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Në shkresën drejtuar Shpend Ahmetit dhe Sekretarit të MMPH-së, Arben Çitakut, thuhet se Inspektoriati ka përcjellë shqetësimet e banorëve dhe në veçanti komunitetit të kulturës , në lidhje me ndërtimin e një lagje në Badovc.

Arsyeja e shkresës, sipas Inspektoriatit, është sepse është konfirmuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, se aty gjendet një lokalitet arkeologjik parahistorik. Ky lokalitet, sipas Inspektoriatit, gjendet pikërisht aty ku gjendet muri mbrojtës i digës së Badovcit dhe për rreth tij ka pasur gjetje të artefakteve të ndryshme herë pas here.

 

 

“Për secilin aplikim për leje ndëtimi në këtë zonë, të parashtrohet kërkesa për pajisje me pëlqim nga Instituti Arkeologjik i Kosovës si institucion kompetent për trashëgiminë kulturore/arkeologjike”, thuhet në shkresën e Inspektoriatit, drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Prishtinës.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, në një përgigje për KALLXO.com, thotë se gjetjet arkeologjike në Badovc janë bërë në vitet 1960-63 dhe kanë qenë gjetje rasti me rastin e ndërtimit të Digës së Liqenit.

“Nga ajo kohë janë bërë përnjohje sporadike derisa, nga Instituti Arkeologjik që nga pas lufta, duke pas pararsysh mundësinë e potencialit të Trashëgimisë janë zhvilluar vizita pune të herë pas hershme në arealin e gjerë të Badovcit, kryesisht në luginën pas Digës, kah lumi Graçanka deri në Graqanicë dhe në anën kodrinore në veriperëndim të Badovcit”, ka thënë Rexha në përgjigjen e tij me shkrim.

Rexha ka thënë se deri më tash nuk pas ndonjë projekt të veçantë për gërmime arkeologjike në Badovc, ndërsa shton se Intistituti në këtë zonë ka përfshi aktivitete pune.

“Instituti në këtë zonë ka përfshi aktivitete pune, pra e ka pas në Programe Vjetore pune, arealin në fjalë kryesisht në hulumtime, për njohje arkeologjike. Kjo ndërmarrje përveç punimeve në Ulpianë, ka përfshi edhe arealin e gjerë të Ulpianës ( Në trekëndëshin Ulpianë – Graqnicë , Janjevë , Novobërdë) nga vitet 2009 e në vazhdim deri tani, që kupton edhe zonën përreth Badovcit”, ka thënë Rexha.

Javën e kaluar disa organizata të shoqërisë civile kanë bërë kallëzim penal ndaj Sektretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Sipas kallëzimit penal, Çitaku duke e shfrytëzuar pozitën apo detyrën e tij me qëllim që t’i shkaktojë dëm zonës së mbrojtur liqenit të akumuluar të Badovcit ka nxjerrë vendime më të cilat i’a ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit të  kompleksit të shtëpive individuale të banimit.

 

OJQ-të dorëzojnë kallëzim penal ndaj sekretarit të MMPH Arben Çitakut

 

Ndërsa me 28 janar, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për pezullimin e përkohëshëm të të gjitha procedurave për ndërtimet e planifikuara në afërsi të liqenit të Badovcit me 24 vota pro, 1 kundër dhe dy abstenime.

Shefat e grupeve parlamentare të partive në Komunën e Prishtinës  kishin dhënë dy rekomandime dhe kishin propozuar që Komuna e Prishtinës të marrë vendim për pezullimin e e përkohshëm të të gjitha procedurave për ndërtimet e planifikuara në afërsi të liqenit të Badovcit.

 

Asambleja e Prishtinës voton për pezullimin e të gjitha procedurave për ndërtim në afërsi të Badovcit

.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.