Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Ndërrimi i pushtetit dhe problemet e vjetra në Dragash

Edhe pse e vogël për nga numri i banorëve e sipërfaqja, Komuna e Dragashit përballet me probleme të mëdha në qeverisjen lokale.

Banorët e zonës së Sharrit përditë ballafaqohen me mungesë të ujit të pijës, ndotje të ambientit e mungesë të vendeve të reja të punës.

Jetë më të mirë kishte premtuar për banorët e Dragashit, kryetari i kësaj komune, Shaban Shabani kur kandidoi në vitin 2017 në zgjedhjet lokale dhe rrëzoi pushtetin shumëvjeçar të PDK-së.

Por, premtimet e tij ai nuk i mbajti. Disa projekte filluan, por ato më të rëndësishmet jo, sikur ai i ujësjellësit i cili do të furnizonte rreth 15 fshatra së bashku me qytezën e Dragashit.

“Realisht, nëse nuk do të ka pengesa, ligjore, cfare janë të parapara, në rastin e hapjës së tenderëve, në rasin e marrjës së tenderëve, ne mendojmë që për tri vite mund të përfundoj ky aktivitet, për këto 15 fshatra është fjala”, kishte deklaruar Shaban Shabani më 13 nëntor të vitit 2017 në RTK, kur pyet se a do t’i sigurojë ujë të pijës qytetarëve të Dragashit.

Por, tri vjet pas, ujësjellësi për 15 fshatra ende nuk ka përfunduar për shkak të zvarritjeve në tenderë. Rasti është iniciuar në Gjykatë nga vetë Komuna e Dragashit.

Partia Demokratike e Kosovës ka pushtetin në Dragash që 12 vite.

 Shaban Shabani premtoi zgjedhjen e këshillave të fshatrave, të cilët, sipas tij do të lehtësonin koordinimin në mes komunës dhe fshatrave në adresimin e problemeve.

“Zgjidhja e këshillave të fshatrave që ne konsiderojmë që për mandatin që vjen është një nevojë prioritare e bashkëpunimit të Kuvendit Komunal dhe fshatrave tona”, kishte thënë ai në emisonin “DebatPernime ”.

Por, edhe pas tri viteve në krye të qeverisjes Shabani nuk i ka funksionalizuar këshillat e fshatrave.

Rajoni i Dragashit vazhdon të ketë shumë deponi ilegale me mbeturina. I pari i kësaj komune kishte premtuar se do të organizojë edhe fushata senzibilizuese për të ndikuar në mbrojtjen e mjedisit. Por, as këtë premtim, Shaban Shabani nuk e mbajti.

Drejtori për Mbrojtje të Ambientit, Bean Hadžihasan, konfirmoi përmes telefonit se Komuna e Dragashit nuk ka organizuar asnjë fushatë senzibilizuese në mbrojtje të ambientit. 

Por, megjithatë, një premtim i dhënë nga Shabani në vitin 2017 është realizuar. Ai kishte dhënë fjalën se do të krijonte zonat turistike në rajonin e Sharrit. Deri më tani janë funksionalizuar katër pika turistike, ajo në fshatin Zaplluxhë, në Restelicë, Brod dhe në Brezne. Në këto zona nuk ka munguar as investimi në infrastrukturën rrugore.

Me gjithë mundësitë për zhvillimin e turizimit, menaxhimi jo i mirë i mbeturinave mbetet problem për qytezën e Dragashit. Deponi ilegale me mbeturina shihen nëpër disa fshatra, si në Pllajnik, në Bellobrad e në Mejdan.

Përvec mbeturinave, banorët e fshatit Zablluxhë kanë telashe edhe me ujërat e zeza. 

Lumi i ndotur është edhe ai fshatit Bresanë, fshat prej nga vjen edhe kryetari i komunës, Shaban Shabani.

Një hulumtim i KALLXO.com vërën se kanalizimi mungon edhe në njërin prej fshatrave më të mëdha të Komunës së Dragashit. Banorët në Brezne janë në hall me ujërat e zeza të cilat kalojnë nëpër rrugë e afër shtëpive.

Por, kanalizmi nuk është problemi i vetëm i këtij fshati i cili gjendet në hyrje të kësaj komune.

Banorët e Breznës nuk kanë fare ujësjellës, andaj, ujin e pijes e marrin në kroin e fshatit. Kryetari aktual u kishte premtuar banorëve të zonës se do ta zgjidhte problemin e ujit të pijës, por edhe pas tri viteve në krye të komunës

“Probleme kemi prej A deri në Zh, me kanalizim, me ujësjellës e me rrymë, me krejt, nuk është stabile kurgjë hiç. Premtime kanë dhanë dajm, premtime japin e kurgjë s’kanë hiç, nuk i plotësojnë ato vetëm për vete”, ka thënë Muhamet Gashi, banor i fshatit Brezne.

Ndërsa, banori tjetër i këtij fshati kujton kohën kur partia që udhëheq me komunën organizonte transportin në ditën e votimit.

“Në këtë fshat kemi ne problem me ujë dhe për kanalizim, ujrat e zeza na dalin nëpër rrugë. Kryetari nuk donë me dëgju për Breznën hic, Shban Shabani i Dragashit prej katundit Brodesanë, Breznën nuk e njeh hic, a jemi të Opojës a jemi të Shqipërisë. Kur ka ardhur puna e votave, më kanë thirrë tu ngajtë me kerrë më kanë marrë e më kanë çu në Dragash, me gjithë gruan kam nënshkrua dhe ia kam dhënë votën. Kur i kam shkuar në zyre, nuk m’ka thënë bujrum, pije një kafe, por më qiti për jashta menjëherë”, ka thënë Samet Kryeziu.

Një fshat tjetër, i cili gjendet në kufi me shtetin e Maqedonisë së Veriut është Pllajniku. Banorët e këtij fshati kanë një hall tash e disa vite. Ata nuk mund të përfitojnë subvencione në bujqësi pasi nuk u figuron në regjistrin kadastral prona e tyre.

“Ne nuk figurojmë në hartën gjeografike të Kosovës, meqë nga viti 1981 e këtej nuk është e regjistruar toka në parcelat e gjeodezisë. Kërkojmë nga kuvendarët një zgjidhje”, ka thënë Abaz Qengaj për KALLXO.com.

Transparenca dhe barazia gjinore në Dragash

Komuna e Dragashit është ndër komunat e vetme në Kosovë e cila nuk e ka një zyre të organizuar për media dhe një zyrtar të veçantë për media. Këtë detyrë aktualisht e kryen një punëtor nga administrata. Ndërsa, në mungesë të një personi të vecnatë, ueb faqja e komunës nuk është gjithnjë e freskuar me njoftime dhe dokumentet që kërkohen të jenë publike.

Përveç kësaj, Komuna e Dragashit nuk e ka asnjë grua drejtoreshë.

Kjo komunë ka tetë drejtori, por ato udhëhiqen të gjitha nga burrat. 

Burra janë edhe nënkryetari i komunës, nënkryetari për komunitete dhe Kryetari i Kuvendit Komunal.

Gjatë vitit 2017, vetë Shaban Shabani kishte bërë një premtim kur është pyetur se a do të punësojë mbi 10 persona me kontratë mbi vepër. 

“Më së shumti 10 punëtorë me kontratë mbi vepër do t’ punësojmë”, kishte thënë ai.

Por, gjatë vitit 2018, Shabani nuk e kishte mbajtur fjalën, në komunën që udhëhiqet nga ai u punësuan 16 persona me kontratë mbi vepër.

Arsimi në Dragash

Komuna e Dragashit numëron rreth 33 mijë banorë me 26 vendbanime,. Rreth 30 për qind e popullësisë janë  të komunitetit goran. E në vendbanimet e tyre mësimi zhvillohet ende në planprogramin e Serbisë. 

Komuna e Dragashit nuk ka ende një çerdhe publike.

 “Do të angazhohemi ta funksionalizojmë çerdhen ekzistuese”, kishte thënë kryetari Shabani në vitin 2017, atë kohë kur ishte kandidat për kryetar. Por,  edhe pas tri viteve, kur ai e tha premtimin, Dragashi s’ka çerdhe publike.

Shaban Shabani premtoi edhe ndërtimin e një salle të sportit për nxënësit e shkollës fillore të fshatit Llopushnik. Në këtë fshat ka kohë që një shkollë e re është ndërtuar, por nxënësit ende nuk po zhvillojnë mësimin aty. Ata mësimet i mbajnë në shkollën e vjetër.

Sipas komunës, brenda vitit mësimi do të zhvillohet në objektin e ri ndërsa, i vjetri do të rrënohet e në vend të tij do të ndërohet edhe salla e sportit, e premtuar gjatë fushatës nga kryetari Shabani.

 Gjetjet e Auditorit

 Komuna e Dragashit ka telashe që t’i realizojë të hyrat e planifikuara. 

Përvec kësaj, Komuna nuk po arrin t’i mbledh borxhet madje as nga personat që po i shfrytëzojnë pronat komunale. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2019.

Komuna e Dragashit ka arritur të  mbledh veç 124 mijë euro të hyra në vitin 2019 nga 500 mijë sa i kishte planifikuar.

Komuna e Dragashit është ndër komunat me nivelin më të ultë të të hyrave, do të thotë se buxheti mbushet nga granti i qeverisë. 

Por,  megjithatë komuna nuk po arrin ta shpenzojë  buxhetin.

 Nga 3.3 milionë euro të planifikuara për investime kapitale, komuna e Shaban Shabanit i ka realizuar vetëm 1.8 milionë ose 56%. Në anën tjetër borxhet ndaj komunës kanë arritur në 1.9 milionë euro.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).