Ndalimi i Posterëve Shkakton Pakënaqësi

Koalicioni Vakat është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ditën e parë të fushatës për shkak të ndalimit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri posterëve reklamues zgjedhorë të formatit B2.

Rasim Demiri, kryetar i këtij koalicioni i tha Gazetës Jeta në Kosovë të mërkurën se partia e tij tashmë ka porositur posterë të tillë për fushatë.

“Ne kemi kërkuar nga KQZ-ja t’i pranojë këta posterë (B2) ose të na i kompensojë paratë e shpenzuara për posterë”, tha Demiri.

Institucioni që organizon zgjedhjet në Kosovë mori vendim për ndalimin e posterëve të tillë pasditen e së martës 7-8 orë para se zyrtarisht të niste fushata zgjedhore. Për ndalimin e “B2”-ve votuan gjashtë nga 11 anëtarët e KQZ-së.

Këta posterë kanë dimensionet 500 me 707 milimetra. Edhe përfaqësuesi i Vakat-it në KQZ votoi kundër.

“Ky vendim është i jashtëligjshëm pasi që sipas nenit 44 pikës b të ligjit për zgjedhjet, subjekti politik ka të drejtë për të reklamuar material zgjedhor”, tha Bajram Latifi nga Vakati.

Neni 44 pika b e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se subjektet politike kanë të drejtë të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore.

Kundër ndalimit të këtyre posterëve janë edhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile.

“Vendimi është i paligjshëm se ligji që është në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme e lejon publikimin e posterëve”, tha Valmir Ismaili nga “Demokracia në Veprim”.

Të paligjshëm vendimin e quan edhe Selatin Kllokoqi nga “Demokracia për Zhvillim” (D4D)

“Vendimi është kundërligjor pasi që neni 44 nuk përcakton se çfarë materiali mund të përdorin partitë politike”, tha Kllokoqi.

Pështjellimet e KQZ-së

Kur u nxor në votim çështja e ndalimit të posterëve të formatit B2, gjashtë anëtarë të KQZ-së votuan për, katër kundër, ndërsa kryetarja e këtij institucioni abstenoi.

Pastaj teksti i ndalimit të këtyre posterëve duke u riformuluar përfshiu edhe posterët e të gjitha madhësive për t’u votuar edhe një herë.

Në votimin e dytë kundër ndalimit të të gjithë posterëve ishin gjashtë anëtarë të KQZ-së, prandaj mbeti në fuqi vetëm vendimi i parë që ndalonte “B2-ët”.

Binak Vishaj, përfaqësues i AAK-së në KQZ tha se qëllimi ishte që të ndalohen të gjithë posterët në emër të mbrojtjes së mjedisit.

“Ne kemi qenë që në vendim t’i fusim të gjithë posterët, t’i largojmë nga mundësia e vendosjes nëpër hapësirat publike private mirëpo nuk pat vullnet nga anëtarë tjerë të KQZ-së dhe për këtë arsye kaloi vetëm versioni i parë që të hiqen vetëm posterët e formatit B2”, tha Vishaj.

Njësoj shpjegoi edhe Ilir Gashi që përfaqëson PDK-në në KQZ.

“Qëllimi i jonë ka qenë që në vendim t’i fusim të gjithë posterët, t’i largojmë nga mundësia e vendosjes nëpër hapësirat publike dhe private”, tha Gashi.

Florian Dushi i LDK-së thotë se përfaqësuesi i AKR-së dhe ai i komunitetit serb gabuan kur votuan kundër ndalimit të të gjithë posterëve.

“Ne deshëm për të riformuluar vendimin për posterët për të gjithë formatet,  por përfaqësuesi  i AKR-së edhe i serbëve e ndërruan qëndrimin duke menduar se nëse nuk kalon [propozimi i riformuluar] bie vendimi në tërësi. Ata kanë harruar se nëse nuk votojnë riformulimin veç nuk plotësohet vendimi, por i pari jetë në fuqi”, deklaroi Dushi.

Edhe përfaqësuesi i AKR-së Nasuf Aliu tha se në  fillim ka votuar pro vendimit, por kur është hedhur riformulimi në votim ka votuar kundër.

“Unë në fillim votova për, nuk e kuptova që ligji e ndalon këtë, por në herën e dytë kur është futur në rishqyrtim kam votuar kundër”, tha Nasufi.

Por, përfaqësuesi i “Vetëvendosjes” në KQZ Adnan Rrustemi që votoi kundër ndalimit të posterëve kolegëve të tij ua gjen një arsye tjetër pse tentuan të ndalojnë të gjitha formatet e posterëve.

“Kjo ishte një kërkesë që kishte për qëllim të shmangte subjektet e tyre politike nga gjobat e mëdha të PZAP-së, gjoba të cilat veç kanë marrë në zgjedhjet lokale dhe një kërkesë e tillë nuk kishte të bënte aspak me procesin zgjedhor, përgatitjen e zgjedhjeve, e aq më tepër siç u tha me mbrojtjen e ambientit”, tha Rrustemi.

Posterë të formatit B2 ka vendosur në Prizren Partia Demokratike Turke e Kosovës ( Kosova Demokratik Turk Partisi), pavarësisht që ata janë ndaluar nga KQZ-ja.

“Neve nuk na ka ardhë vendimi i KQZ-së me shkrim. Ne mbrëmë i kemi vendosur posterët, disa prej të cilëve janë të formatit B2, mirëpo këtë vendim për shtypje të posterëve e kemi marrë më herët dhe janë shpenzuar të holla për to”, tha Mahir Jagxhilar, kryetar i kësaj partie.

Një kompani që nuk dëshiron të identifikohet, ndërsa subjekt të veprimtarisë së saj afariste e ka edhe prodhimin e posterëve, tregon çmimin e posterëve B2 dhe posterëve tjerë në treg.

Sipas kësaj kompanie posterët e formateve B2 dhe A4 shiten me copë, ndërsa hapësira për vendosjen e posterëve të mëdhenj nëpër bilbordë të dukshëm rreth rrugëve jepet me qira.

500 posterë të formatit B2 kushtojnë 190 deri në 200 euro, kurse një mijë të tillë 300 euro.  1000 posterë të formatit A4 kushtojnë 180 euro.