Nata e Vdekjes së Liliana Jevtiqit

Liliana Jevtiq kthehej nga Kraleva e Serbisë për vizitë disa ditëshe në shtëpinë e saj, në Talinoc të Muaxherëve, në Ferizaj, të premten më 6 korrik.

E ndjera punonte në administratën e Krushevcit, në përgatitjen e pasaportave. Ajo ishte 55 vjeçe dhe nga paslufta jetonte në Kralevë, së bashku me djalin e saj.

Punën e njëjtë, përgatitjen e pasaportave, e bënte edhe në Kosovë, para luftës së fundit. Miqtë dhe familjarët e njohin si një grua që u ka ndihmuar shumë njerëzve, pavarësisht etnisë.

Sipas fqinjëve ajo vinte rrallë në fshat që kur u shpërngul në Serbi. Edhe kur vinte nuk qëndronte gjatë. Ikte që pa ardhur muzgu.

Por këtë herë kishte vendosur të rrinte më shumë, ta shijonte pak oborrin, bahçen dhe bletët për të cilat kujdesej burri i saj, ngase kishte disa ditë të lira nga puna. Dhe kishte ardhur për të bërë përgatitjet e fundit për festën e kishës, të cilën e quajnë “Petrovdan”, përgatitje të cilat nuk arriti t’i realizonte, ngase dikujt i pengoi prania e saj dhe e burrit të vetë në fshat.

Në natën e parë që erdhi për të qëndruar, ajo u vra. Trupi i saj u gjet rreth orës nëntë të darkës, në banjon e shtëpisë së vetë. Ajo ishte qëlluar me një plumb vdekjeprurës në pjesën e lartë të shpinës.

Ky ishte fundi tragjik i “Lilës”, siç njihej, dhe i burrit të saj e po ashtu edhe fillimi i një kaptine të re për këtë fshat të vogël që nuk ka njohur ngjarje të këtilla e që tani do të ketë një stacion të përhershëm vëzhgimi.

Bashkëfshatari A.M., shqiptar, kishte gjetur trupat e vrarë të çiftit, pasi kishte shkuar për të marrë ujë në shtëpinë e tyre.

“I mshova zilës së shpisë, kërkush nuk dilte, hyra brenda dhe e pashë Shekin (Milovan Jevtiqin) të shtrirë në tokë”, tregon ai për Gazetën Jeta në Kosovë. “Mendova se është i sëmur, e thirra dy, tri herë…”.

“Pasi e pashë që diçka s’o mirë, e thirra policinë. Ata kanë ardhë shumë shpejt, e kanë rrethu edhe krejt fshatin”.

“Pasi e pashë që diçka s’o mirë, e thirra policinë. Ata kanë ardhë shumë shpejt, e kanë rrethu edhe krejt fshatin”. A.M

Ky banor tregon se kishte fqinjësi shumë të mirë me Milovan Jevtiqin e ndjerë. “Mos me pas qenë Sheki, unë as shtëpi nuk do kisha sot”, thotë ai.

Sheki ka qenë i mirë me të gjithë, thotë ai, duke filluar ta ndjejë mungesën e mikut me të cilin pinte çaj çdo pasdite.

Milovan Jevtiqin, babanë e dy vajzave dhe një djali të gjithë të lindur në Kosovë, një burrë rreth 56 vjeç, me flokë të thinjura, të gjithë e respektonin në këtë fshat 2 km larg qytetit të Ferizajt.

Sheki kishte shtëpi njëkatëshe, të rrethuar me pisha e pemë të tjera, dhe ai e donte jetën në këtë vend të përzier me shqiptarë dhe serbë. Ai ishte udhëheqës i serbëve në fshat dhe puna e miqësoi me të gjithë. Milovan Jevtiq ishte vetë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të paqes dhe harmonisë që mbretëronte këtu.

Me përjashtim të një periudhe, pas luftës.

Serbët dhe shqiptarët kishin raporte mjaft të mira ndërmjet vete. Madje serbët gjatë kohës së luftës ndihmonin edhe me ushqim familjet shqiptare. Disa nga fshatarët shqiptarë tregojnë se serbët e fshatit kishin ndihmuar që ata të mos shpërngulen.

 “E kemi pasë ne në fshat një serb të cilit i shitej fjala”, tregon një i moshuar i fshatit. “Ai i ka nalë forcat e serbëve që mos t’i përzënë shqiptarët prej shpijave”. 

Por pas luftës raportet mes dy etnive u ftohën. Sheki dhe serbët e tjerë, lëshuan fshatin. Më shumë se 50-të shtëpi të tyre iu dogjën. Shtëpia e çiftit Jevtiq i shpëtoi këtyre djegieve.

Në vitin 2006, Sheki dhe 32 familje të tjera serbe u rikthyen në fshat. Dyfishi i këtyre familjeve, që ishin këtu para lufte, megjithatë nuk u kthyen kurrë më për arsye të ndryshme. Shtëpitë e të kthyerve ishin ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

Sheki u angazhua si përfaqësues i serbëve të fshatit dhe si anëtar i këshillit të sigurisë lokale. Ai punonte pa ndalë në kthimin e serbëve të tjerë si dhe në ndërtimin e infrastrukturës së fshatit – në kanalizim, ujësjellës dhe rrugë më të mira. Nuk i ndihmoi vetëm serbët, por edhe shqiptarët. Madje njihej edhe si bashkëpunëtor i institucioneve të Kosovës.

 “I dyshuar është një serb me të cilin viktima kishte probleme rreth disa pronave” Agim Gashi

“I ndjeri dy ditë para se të vritej ka qenë tek unë në zyrë bashkë me një delegacion me serbë dhe shqiptarë sepse kishin problem me ujë dhe ne u dakorduam që bashkë me ministrin e kthimit tu ndihmojmë rreth këtij problemi”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, Agim Aliu, kryetar i Ferizajt. “As i ndjeri e as serbët tjerë nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim rreth lëvizjes së lirë. Ai është ndier mirë ndër shqiptarë dhe edhe gjatë luftës është sjellë mirë me ta”.

“Na vjen keq që është vrarë një bashkëpunëtor i institucioneve , një urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit serb”, thotë Aliu. “Por kjo nuk do të jetë pengesë që ne në të ardhmen të vazhdojmë me përkushtim që t’i zgjidhim problemet e serbëve”.

Me të marrë lajmin, kryetari Aliu menjëherë kishte shkuar në vendin e ngjarjes.

Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Ferizaj, tregon për gazetën se serbët e këtij fshati, me të dëgjuar për vrasjen, kanë dashtë të shpërngulen në Graçanicë dhe Shtërpcë për shkak të frikës. Por, tha ai, për t’i bindur që mos ta bënin këtë kishin dalë Sllobodan Petroviq zv.kryeministër i Kosovës, zv.ministri i punëve të brendshme, ministri për kthim, komandanti rajonal i policisë dhe kryetari i komunës.

Në fund, fshatarët kishin vendosur të rrinin. Policia kishte shtuar patrullat dhe e kishte mbuluar fshatin 24 orë. Zëdhënësi thotë se në këtë rajon nuk ka struktura paralele dhe se në mesin e serbëve kryesisht jetojnë të moshuar.

“Për vrasjen tani kemi një pistë kah janë drejtuar hetimet”, tha zëdhënësi Gashi për gazetën. “I dyshuar është një serb me të cilin viktima kishte probleme rreth disa pronave”.

I ndjeri ishte edhe një lloj ndërmjetësuesi i shitjes së pronave të serbeve dhe në shtëpinë e tij janë gjetur dokumente të këtilla nga policia.

Çifti bashkëshortor Sheki dhe Lila u varrosen ditën e hënë, në Kralevë të Serbisë. “Në varrim kemi marrë pjesë 19-të veta nga fshati. Institucionet e Kosovës na e kanë siguru transportin, atje kanë qenë rreth 500 veta në takimin e fundit me Shekin dhe Lilën”, thotë Branislav Jenkoviqi, i cili është djali i tezës dhe bashkëvendasi i Shekit të ndjerë.

 

foto  
Branislav Jenkoviq  

Jenkoviqi është një burrë rerth të 70-ave i cili kujdeset vetëm për bahçen e tij. Ai thotë se është i habitur nga vrasja e dyfishtë. Për vete, ai nuk dyshon në dikë pasi, shton ai, Sheki kishte marrëdhënie të mira me të gjithë. Dhe, vazhdon Jenkoviq, që nga përfundimi i luftës së dytë botërore nuk kishte ndodhur asnjë vrasje në fshatin Talinoc të Muhagjerëve.

“Unë nuk mendoj se kjo vepër është bërë nga njerëzit e fshatit”, thotë ai. “Ne deri tash kemi pasur një jetë të qetë në këtë vend”.

Pas vrasjes së çiftit, familjet serbe të mbetura në fshat, kanë kërkuar siguri të përhershme nga institucionet e Kosovës, ndryshe kolektivisht do ta lëshojnë fshatin.

“Kemi kërkuar vendosjen e një pikë statike në fshat, kjo do t’i  ndihmonte të dy palëve. Institucionet na kanë premtuar se brenda ditësh do të vendoset pika statike dhe disa vidoekamera për sigurinë e fshatit”, tregon Jenkoviq, për Gazetën Jeta në Kosovë

Halit Berisha, i cilin gjendej në ara duke korrur grurin kur u intervistua, thotë se ai dhe familja e tij kanë miqësi qe 60 vjet me familjen Jevtiq. Haliti është nga Mirosali, një fshat rreth 20 km nga qyteti i Ferizajt. “Babë e babëgjysh kanë pasur marrëdhënie shumë të mira me familjen e Shekit”, tregon  Berisha. “Nuk patë dy, tre ditë që e pashë. Kur dëgjova se e kanë vra, nuk u besojsha veshëve”.

Sipas Halitit, secili njeri që e ka njohur Shekin, ka pasur fjalë të mira për të. “Ai dhe gruaja e tij i kanë ndihmu shumë njerëzve”.

Por çiftin Jevtiq nuk pati kush e ndihmon dhjetë ditë më parë. Tani shtëpia e tyre është e mbyllur.