Nata e Turpit

Vetëm një person është arrestuar në lidhje me sulmet ndaj stafit dhe të pranishmëve të tjerë në natën e lansimit të edicionit “Seks” të revistës Kosova 2.0. Edhe ai është liruar me urdhër të prokurorit, ka konfirmuar policia.

Sulmesit identifikohen, po ashtu, vetëm si protestues nga ana e policisë.

Edicioni i titulluar “Seks” fliste për edukatën seksuale, artin dhe profilet seksuale, politikat seksuale të Europës, e shumë nën-tema të tjera që lidhen me seksin, ndër të cilat edhe jeta e komunitetit LGBT (Lezbike, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transeksualë). Kjo e fundit ishte karrem i reagimeve të ashpra nga ana e grupeve ekstremiste islamike në Kosovë dhe një pjese të tifozëve “Plisat”, të cilët shkuan për ta ndaluar “natën e turpit”.

Organizatorët e ngjarjes së të dielës dhe pjesëmarrësit e eventit vazhdojnë të mos ndjehen të sigurt të dalin rrugës nga “policët e moralit”.

Stafi i Kosova 2.0 kishte filluar të merrte kërcënime në faqen zyrtare dhe në Facebook një ditë para eventit.

Kishin shkuar që të kërkonin ndihmën e policisë, në mënyrë që eventi i organizuar të kalonte pa probleme. Por, për policinë “ishte kohë e shkurtër për t’u përgatitur”. Sipas zyrtares për Informim të Policisë në Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, po ashtu nuk ishte parashikuar se do të paraqitej një turmë aq e madhe.

Megjithatë, një gazetar i Kosova 2.0 tregon se ndërsa turma e njerëzve që kundërshtonin ngjarjen rritej, gjatë ditës numri i policëve zvogëlohej.

“Gjatë gjithë ditës kanë qenë rreth 15 veta (kundërshtues) para platesë”, thotë Dardan Zhegrova. “Ndërsa në fillim kanë qenë 6-7 policë, më vonë kanë mbetur vetëm dy”.

“Kah ora 6:40, ne kemi qenë brenda në Sallë të Kuqe, duke i kontrolluar gjërat e fundit”, tregon ai. “Dhe e kemi dëgjuar britmën e tyre duke hyrë, duke i thyer të gjitha gjërat. Na kanë shtyrë. Mua kanë filluar të më rrahin. I kanë thyer të gjitha gjërat, e kanë demolu skenën”.

Zhegrova thotë se personat që i sulmuan bërtisnin: “Allahu Ekber!”, “Pedera!”, “Kurva!”…

Ai është i indinjuar me reagimin e policisë ndaj këtij rasti që nga fillimi. “Nuk ka qenë reagimi i duhur, megjithëse i kemi lajmëruar. Ata janë larguar, edhe pse është parë që ata që janë kundër, janë duke u mbledhur përballë sallës”.

Madje, tregon ai, kur kishte hyrë në një zyrë të Pallatit të Rinisë për ta dhënë raportin, ai ishte përballur edhe me një paragjykim të radhës.

“Ata në njëfarë mënyre kanë bërë hajgare me mua. Një polic më ka pyetur: ‘Prej nga je?’ Unë i kam thënë: ‘I Prishtinës’. Ndërsa polici tjetër i tha atij: ‘Pse a mendove që është i  Gjakovës?’… dhe kanë filluar të qeshin”, tregon Dardani.

Tash, ai ka mbyllur llogarinë e tij në Facebook pas kërcënimeve që i janë bërë. “Dje (e martë), një njeri më ka sharë edhe në rrugë. Nuk e di si më ka njohur. Unë vazhdova me ecë”.

Facebook – gjurmët e nxitjes “në mbrojtje të vlerave morale”

Kryetari i lëvizjes “Paqja Studentore”, Ekrem Zajmi, në llogarinë e tij në Facebook kishte ftuar që të pamundësohej realizimi i debatit lansues të revistës.

“Ju ftoj! Të gjithë ata që jetojnë në Prishtinë dhe përreth saj, e që kanë mundësi të lëvizin, që janë krenarë me pastërtinë e popullit të tyre, të familjeve dhe shoqërisë së tyre, le të nisen drejt Pallatit të Rinisë, le ta pamundësojnë mbajtjen e këtij takimi poshtërues e rrënues të vlerave tona shekullore!”, shkruhet në postimin e Zajmit në Facebook, të së premtes, më 14 dhjetor.

Ekrem Zajmi, Facebook

Në anën tjetër, “Plisat” kishin shkruar në faqen e tyre në Facebook se: “Ndërmorën një aksion kundër pederave…”.

Të dy grupet, sipas diskursit të tyre publik, këto veprime i kishin bërë në “mbrojtje të vlerave familjare”, “pastërtisë morale të shoqërisë” dhe “kundër degjenerimit të rinisë”.

Zyrtarisht, kryesitë e këtyre dy grupeve e mohojnë të kenë organizuar reagimin e dhunshëm, por nuk hezitojnë ta shprehin antipatinë e tyre ndaj komunitetit LGBT në Kosovë.

Sipas Ekrem Zajmit, ngjarja “i ka dhënë mundësi një komuniteti që konsiderohet tepër pakicë në Kosovë, pra homoseksualëve, të jenë pjesë e një diskutimi dhe me këtë të bëhet një lloj promovimi brenda një shoqërie, e cila deri më tash nuk ka pasur probleme të tilla”.

“Secili individ e përcjell orientimin e tij seksual brenda suazave, kuptohet brenda Kushtetutës së Kosovës, pasi që siç e dimë ne, Kushtetuta e lejon një gjë të tillë. Natyrisht, edhe ne nuk jemi kundër që njeriu të aplikojë bindjen e tij personale brenda vetws së tij. Por nëse një ngjarje e tillë bëhet publike dhe brenda një ambienti tërësisht publik, ne qëndrojmë kundër kësaj”, thotë Zajmi.

Plisat, Facebook

Zëdhënësi i Plisave, Denis Pitarka, thotë se pavarësisht simpative apo antipative që kanë ndaj homoseksualëve, ata nuk kishin organizuar ndërhyrjen me dhunë në ngjarjen e organizuar nga Kosova 2.0.

“Para se me ndodhë dhe gjatë ndodhisë, na nuk kemi qenë të njoftuar nëse dikush ka marrë pjesë. Mirëpo nëse dikush ka shkuar në kokë të vet nuk po e shoh te arsyeshme të japë llogari për secilin anëtar”, thotë ai.

Por, shtoi Pitarka, ata nuk do të lejonin një person nga komuniteti LGBT të jetë pjesë e Plisave. “Nuk kanë vend, jo”, thotë Pitarka.

Letrat:

Pakkush e dinte përmbajtjen e edicionit të revistës që po e kundërshtonin.

Mesa duket, përmbajtja më sensitive ka pasur të bëjë me dy letra të botuara në kuadër të edicionit.

Në njërën prej tyre, themeluesja dhe drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, ka shprehur hapur orientimin seksual prej lezbikeje, derisa i shkruante një mikeje të saj serbe, të quajtur Lepa.

 

Igballe Rogova, pamje nga Kosova 2.0

Rogova në letrën e saj flet për martesën e saj me një femër, puthjen me një grua, udhëtimin në Beograd kur kishte pranuar ndjenjat e saj dhe rolin e familjes së saj në përballjen me paragjykimet.

Lepa kishte marrë pjesë në martesën e Igaballe Rogovës me Rachelin në vitin 1996.

“Ti ishe në dasmën tonë… Partnerja ime kishte kurorë me lule dhe fustan. Unë kisha të veshur pantallona”.

Atë ditë Igballja ishte e lumtur.

“Ne kërcyem me gëzim në shi, si çdo çift në ditën e tyre të martesës. Por, ata që dikur i konsiderova miq në Kosovë, e përdorën historinë tonë të bukur”.

Në letër, ajo thotë se është familja e saj, e cila e ka mbështetur të përballej me paragjykimet.

Përpara se të paraqitej hapur, për një muaj të tërë, ajo kishte pasur një luftë të brendshme se çfarë të shkruante, pasi që nuk ishte e bindur që të ndante këtë histori.

Në letër, ajo shpalos udhëtimin e parë në qytetin e Beogradit në vitin 1995 me Julia Mertusin, e cila po shkruante një libër për përvojat e femrave në luftën në Kosovë.

Aty për herë të parë, ajo kishte vendosur të pranonte publikisht se ajo është lezbike dhe se ka ndjenja për femra.

Rrugës për në Beograd, autobusit i ishte çarë goma dhe derisa prisnin të rregullohej, Julia kishte komentuar duke thënë: “Ke një familje të mrekullueshme. Ti, Janet dhe djali i saj”.

Igballja i kishte treguar që nuk ishte në lidhje me Janetin dhe se e kishte vetëm shoqe dhome. Por, disa çaste pasi ishte përgjigjur, pyetja e kishte bërë të mendohej dhe ajo e kishte pranuar: “Po, kam puthur një grua, por jam e hutuar”.

“Gjatë rrugës për në Beograd, ajo [Julia] më inkurajoi të pranoja ndjenjat që kisha”, tregon Igballe Rugova.

Në një festë të organizuar nga Julie, ku ishin mbledhur lezbike dhe të cilat mund të kërcenin lirshëm, Igballja kishte turp në fillim dhe pas dy orësh qëndrimi në festë, ajo kishe pranuar veten për atë që ishte.

Lepa ndërkohë i shkruan letër Igablles “nga kryeqyteti i lezbikeve dhe gay-ve, Provincetown-SHBA”.

Ajo kujton vizitën në Prishtinë kur ajo, Igballja dhe partnerja e saj, Rachel, kishin vendosur të organizonin ditën C për Klitorin, gjatë festave të Krishtlindjeve.

“Nëse Eve Ensler mund të shpikte ditën V për vaginën, ne mund të shpiknim ditën C për Klitorin!”

Gjatë ditës C, ato kishin kërcyer me balerina orientale, hapur dhurata e tymosur cigare.

“Nuk do të pushoj kurrë së treguari sa shumë ju admiroj për kapacitetin dhe butësinë me të cilën kujdesesh për familjen tënde dhe komunitetin lezbik në të njëjtën kohë”, vazhdon Lepa.

“Me zor po pres të kërcej me ty. Dhe sa për kujtim, duhet që ta dish që je e vlerësuar nga të gjitha lezbiket e rajonit: Nese Igballja është në festë ne do të kërcejmë deri në mëngjes! Shpresojë që dielli të të puth fytyrën sot, e dashur Igballe”.

Sulmohet “Libertas

Si reagim ndaj publikimit të edicionit, të dielën e kaluar u sulmua edhe një vajzë nga komunitet LGBT, para zyrave të organizatës “Libertas”. Shoku i saj, i cili ishte me të, tregon se ky ishte një përjetim i frikshëm.

“Na kanë sulmuar disa persona me mjekra. Ata kishin sprej në duar dhe rrahën shoqen time”, tha personi, i njohur për gazetën.

Ai thotë që ngjarjet e fundit, për komunitetin LGBT kanë qenë tronditëse. “Ky ka qenë një shok shumë i madh. Nuk ndihemi të lirë as për të lëvizur në rrugë,” thotë anëtari i “Libertas”.

Foto: Kushtrim Tërnava

Megjithatë ata nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq. “Ky është fillimi i debatit për një çështje e cila nuk ka kthim prapa, sado që të na kushtojë”, thotë ai.

“Është mëkat të fshihemi nga njerëzit tanë, kushdo qofshin ata, të cilët të ndikuar nga doktrina të errëta talibane po i sulmojnë miqtë e familjarët e tyre”.

“Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe orientimi seksual është vetëm një anë e jona, që ata nuk kanë pse ta pëlqejnë por, për të mirën e shoqërisë në përgjithësi, ata duhet të na njohin dhe pranojnë”.

Keqkuptim me dashje

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, thotë që të drejtat e shprehjes, tubimit e asociimit janë të drejta kushtetuese që nuk mund të mohohen nga askush.

“Kemi kërkuar që institucionet kompetente të rendit dhe drejtësisë të reagojnë shumë ashpër ndaj këtyre veprimeve, sepse ky popull nuk është i disponuar që dikush që mendon që ka të drejtë, dhe e ndjen veten më të fortë, të rrezikojë grupet e tjera dhe të shkelë të drejtat që janë të garantuara me Kushtetutë”, thotë Kurteshi.

Ai kërkon që disponimi i popullit të mos përzihet me atë të bashkësive fetare e grupeve të caktuara.

Ismail Kurteshi

 

Nita Luci, ligjëruese e antropologjisë në UP, thotë që ajo që ka ndodhur të premten “është terror”.

“Nëse e merrni cilindo përkufizim ku thuhet se shfrytëzimi i dhunës për të arritur qëllime politike është terrorizëm, edhe kjo çka ka ndodhur është terror. Qëllimi politik kësaj here është kërcënimi i shtetit sekular kosovar”, thotë ajo.

Kolumnisti Imer Mushkolaj, atë që ka ndodhur me Kosova 2.0, e quan pasojë e një keqkuptimi me dashje “nga ana e disa njerëzve, e disa grupeve te caktuara, të cilët deshën të reagojnë në këtë mënyrë duke vendosur norma morale të preferuara prej tyre në një shoqëri që është laike, ku feja është e ndarë nga shteti”.

“Duan t’i imponojnë disa rregulla të tyre që tek shoqëritë demokratike nuk pranohen”, tha ai.

“Kjo na tregoi se një pjesë e kësaj shoqërie vazhdon të mbetet jotolerante. Një pjesë e kësaj shoqërie vazhdon të vuajë nga sindromi i keqkuptimeve me dashje, një pjesë e kësaj shoqërie nuk e dëshiron debatin, duke e konsideruar veten si gardianë mbrojtës të një morali që këta e kanë vendosur në mendjet e tyre dhe agjendat e tyre që nuk janë vetëm fetare, por edhe politike”, thotë Mushkolaj.