Naser Bresa

Ekologu i pafuqishëm

Kandidati i AKR-së për Prizrenin, Naser Bresa, edhe pse e pranoi se tentoi, nuk mbërriti ta bind gruan e tij që të dalë e të flasë për të, para kamerave të Emisionit Zgjedhjet Lokale 2013. 

Ai u pyet se si do të bindë prizrenasit për të votuar për të, kur as gruaja nuk ia dëgjoi këshillën për të dalë në televizion. 

“Nuk do ta bind askënd, sepse do të bëj që secili të vendosë me veten e vet, sepse bindja është lloj i imponimit”, tha Bresa. 

I magjistruari për ekologji, nuk arriti të bëjë shumë as për lumin Lumbardh të qytetit, ku po derdhet kanalizimi dhe mbeturinat, edhe pse AKR-ja është pjesë e qeverisjes komunale. 

Bresa u arsyetua se që katër muaj është në këtë parti, ndërsa njerëzit e saj që mbanin pozita në koalicionin qeverisës komunal kanë ndërruar ambient politik. 

Ai në një intervistë për Televizionin Rrokum, më 19 tetor, tha se AKR-ja, në këtë qytet ishte e përgjumur, ndërsa presidenti i partisë Pacolli e bëri atë kryetar të degës prizrenase, për ta ngjallur këtë degë.

Tha se është duke e kryer punën me përkushtim dhe gjithçka po shkon si duhet, ndërsa AKR-ja është gjithnjë e më e pranishme në qytet dhe fshatra. 

Prizreni nuk po mundet t’i përballojë trendët e zhvillimit, tha ai kur u pyet për ndotjen e lumit, në pjesën e rrjedhës së tij nëpër qytet. 

“Lumbardhi do trajtim të qëndrueshëm, e jo vetëm një pastrim ad-hok”, shtoi Bresa. 

Bresa doli pak nga profesioni i tij prej ekologu, duke marrë më shumë rolin e mjekut, kur foli për sistemin e gypave të ujësjellësit të Prizrenit. 

Tha se ata duhet të ndërrohen me çdo kusht, ngase janë nga asbesti që përmban elementin amniat, i konsideruar si kancerogjen. 

Sipas Bresës, fibrat e amniatit janë të madhësisë 0.6 mikron, ndërsa mund ta atakojnë secilin njeri që përdor ujin nga gypat e tillë. 

Bresa nuk tha se ku do t’i gjejë paratë për ndërrimin e gypave të ujësjellësit prizrenas, por tha se një projekt të tillë do ta ndihmonin Banka Botërore, fondi Monetar Ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës, ose qeverisja komunale e qytetit, pasi uji do të thotë shëndet. 

Ai, për t’u bërë më atraktiv për prizrenasit, në Emisionin Jeta në Komunë, përmendi investime të presidentit të AKR-së Pacolli, kur foli për kalanë e qytetit. 

Tha se biznesmeni i njohur kosovar është i gatshëm që t’ia kthejë përafërsisht kalasë pamjen e dikurshme, ndërsa në kalanë e renovuar zbuloi se do të mbahet festivali folklorik mbarëkombëtar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ngjarjen historike të vitit 1878. 

Ky festival, sipas Bresës në programin e AKR-së për Prizrenin, parashihet të jetë tradicional dhe të zhvillohet nga 7 deri më 9 qershor, për të përfunduar një ditë para 10 qershorit, datës kur u krijua lidhja.

Por që ky program dhe këto investime të ndodhin, duhet që AKR-ja të fitojë në Prizren. 

Bresa, përveç rikthimit të gjendjes së mëparshme të kalasë, premtoi se do të angazhohet edhe për festivalin tradicional prizrenas Zambakun e Prizrenit, të cilit tha se AKR-ja do t’ia kthejë namin e së shkuarës. 

Ky festival, i nisur në vitin 1986, ka një traditë njëzet e pesë vjeçare, ndërsa edicionet e kohëve të fundit të tij, Bresa i quajti miniaturale, në raport me të mëparshmet. 

Ekologu nga lagjja “Tusus” e Prizrenit, që jep mësim në shkollën Fillore “Mustafa Bakija” të qytetit, ka shumë punë për të bërë që qyteti historik, të jetë edhe ekologjik.