Nacionalistët Serbë Mbajnë Tubim në Mbështetje të Sheshelit

Anëtarët e Partisë Radikale serbe kanë protestuar në Beograd, Novi Sad, Vranjë, Leskovc, Ljubovij dhe disa qytete të tjera të mërkurën, pikërisht në ditën të cilën Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY), kishte premtuar se do ta shpallë vendimin e saj në rastin e Sheshelit, i akuzuar për krime lufte.

Në një nga tubimet e mbajtura pranë zyrës së ICTY-së në Beograd, mbështetësit e Sheshelit thirrën emrin e tij, ndërsa zyrtari i lartë i kësaj partie Zoran Krasiq tha se kishin vetëm një kërkesë -“lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të udhëheqësit të partisë së tyre.

Ylli serb i basketbollit, Darko Miliçiq, ish- lojtar në NBA, iu bashkua protestës së Partisë Radikale në Novi Sad dhe foli në mbështetje të Sheshelit për herë të parë, duke thënë se politikani nacionalist ishte mbajtur shumë gjatë në paraburgim nga gjykata ndërkombëtare.

“Ky njeri ka qëndruar aty për dhjetë vite dhe të gjithë ne e dimë se kjo po ndodh pa ndonjë arsye, ndërsa ne nuk kemi guxuar as ta përmendim. Fqinjët tanë me të cilët ne kemi qenë në konflikt po festojnë, ndërsa në Serbi arrestohesh në rrugë nëse përmend Sheshelin”, tha Miliçiq.

ICTY e shtyu shpalljen e aktgjykimit, i paraparë për 30 tetor, pa caktuar ndonjë datë tjetër pasi një nga gjyqtarët në gjykimin e Sheshelit, Frederik Harhoff, u pezullua muajin e kaluar.

Harhoff u shkarkua nën dyshimin për njëanshmëri, pasi Sheshel kishte paraqitur një ankesë në muajin korrik, ku pretendonte se gjyqtari danez nuk ishte i paanshëm, sepse “ai donte dënimin e serbëve”.

Akuzat filluan pas rrjedhjes së një letre të shkruar nga Harhoffi, në të cilën ai kritikonte shpalljen si të pafajshëm të disa komandantëve serbë dhe kroatë të profilit të lartë nga ana e Tribunalit.

Sheshel është dorëzuar në Tribunalin e Hagës në vitin 2003, edhe pse gjykimi i tij nuk filloi deri në vitin 2007.

“Sot bëhen 3,901 ditë që kur Shesheli është vendosur në paraburgim nga Tribunali i Hagës”, tha Krasiq.

“Ka skaduar çdo afat për përfundimin e procesit dhe shpalljes së aktgjykimit dhe në këtë proces politik nuk mund të flitet për një gjykim [të mbajtur] brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, tha ai.

Shesheli akuzohet për kryerje të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit ndaj popullsisë joserbe në Bosnjë, Kroaci dhe në krahinën serbe të Vojvodinës, në mes të viteve 1991 dhe 1994.