Muze kujtimesh: Të burgosurit politikë rrëfejnë përjetimet në burgun e Prishtinës

Në 21 vjetorin e Ditës së Çlirimit, dyert e Burgut të Prishtinës u hapën për vizitorë.

Shumë ish të burgosur politikë që kishin kaluar këto dyer gjatë okupimit, i kaluan edhe sot në liri duke rrëfyer përjetime nga më të ndryshmet.

Secili nga ta bartte me vete rrëfimin për torturën, keqtrajtimin dhe përjetimet të cilat fshiheshin brenda atyre mureve të ngushta të këtij burgu.

Komunikimi me trokitje në mure

Osman Maqedonci, ditëlindjen e 28 e ka pritur në qelinë numër 2 të këtij burgu.

Ndonëse mbahej në të njëjtin burg me dy vëllezërit e tij, Rexhepin dhe Lutfiun, ai asnjëherë nuk ishte takuar me ta në burg.

Maqedonci në një rrëfim për KALLXO.com ka treguar se si është informuar që edhe vëllai i tij gjendet në të njëjtin burg

“Për herë të parë kam komunikuar mes murit, kemi trokitur në muri, Berat Luzha ka qenë në dhomën numër 4, dhe unë nuk kam ditur kush po troket por kur e kam afruar veshin afër murit e kam parë që ka njerëz, atëherë kemi komunikuar mes mureve, ai më ka treguar që vëllain e kam në qelinë lart”, ka thënë ai.

Maqedonci ka përshkruar edhe dhomën në të cilën ka qëndruar, duke thënë se dhoma e tanishme është ‘luks’ krahasuar me atë që është mbajtur.

“Në këtë dhomë kam qëndruar, atëherë nuk ka qenë kështu, kjo dhomë tani është luksoze në krahasim me atë që ka qenë, nuk ka pasur tualet, kemi fjetur në një dërrase, këtu kamë qëndruar 60 ditë vetëm, pas 60 dite më kanë quar në dhomën numër 11-të”, shtoi ai.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës është ndërtuar në vitin 1940 dhe në fillim të vitit 1950. Përveç burgut në këtë ndërtesë ka operuar edhe SUP-i serb.

I vetëdijshëm për fundin tragjik: vrasja, mërgimi apo arrestimi

 

 

Për Ahmet Bllacën çdo pëllëmbë e Burgut të Prishtinës ishte e njohur, e të freskëta ishin edhe kujtimet kur ishte burgosur si i ri, në vitin 1981.

Bllaca në një intervistë për KALLXO.com ka thënë që në atë kohë si një i ri, ka menduar ‘vrasjen, burgun dhe gurbetin’, por pa e ditur se cila do të ndodhte.

“Ky burg ma përkujton të kaluarën, vitet 81, kur kemi qenë të ri.  Unë në atë kohë kam qenë në administratën e ‘Elektrokosovës’ i punësuar se kur kam dalë në demonstrata kam qenë shumë i vetëdijshëm që fundi do të jetë tragjik, e kam menduar vrasjen, burgun dhe gurbetin, por cila do të ndodhë nuk e kam marr me mend”, thotë ai.

Ai ka folur edhe për mobilizimin e të burgosurve në burgun e Stara Gradishkës së bashku me Adem Demaçin.

“Kam rënë në burg për 5 vite, përjetimet e burgjeve jugosllave kish mujt me i përkufizu më së miri, simboli i rezistencës, baca Adem. Ne në burg kemi qenë të mobilizuar asisoj që më mirë e kemi ditur situatën jashtë na sesa ata që kanë qenë jashtë, kemi pas kontakte shumë të mira me të burgosurit politik kroatë dhe merrnim informacione nga ata”, rrëfente ai.

Bllaca është shumë i lumtur që ka arritur të shijojë lirinë së bashku më shumë ish të burgosur të tjerë.

“Rinia jonë, kurrë më mos e paftë as në film atë që e kemi kaluar ne, e leje më ta përjetojmë. Fati më i madh i yni që ishim pjesëtar të asaj armate të rinisë së Kosovës është që një pjesë e mirë kemi arritur ta përjetojmë lirinë”, shton ai.

7 muaj për t’i prerë dy grila të dritareve

Martin Quni, ish-gazetar dhe ish-mësues thotë se përjetimet e të burgosurve të Burgut të Prishtinës ‘vështirë se mund të gjenden edhe në literaturën botërore’.

Ai për KALLXO.com ka rrëfyer për tentativën e tij për të ikur nga burgu së bashku më shokun e dhomës, ku për 7 muaj kanë prerë dy grilat e dritareve për të ikur nga burgu.

Pas 7 muajsh përpjekje nga burgu kishte arritur të ik shoku i tij i dhomës, ndërsa Quni ishte kapur nga gardiani.

“Këtu kam njohur mikun tim, Muhamer Shabanin, një djalë i ri një student i cili ai erdhi pas meje. Ai më tha se po përpjekjet për të ikur, dhe i thash që do ti ndihmoj për me pre një hekur të grilave. Kemi bërë 7 muaj për ti prerë dy hekurat e dritareve, kur punonim gardiani ka mundur të dëgjoj zhurmën e sharrës, mirëpo ne punonim kur binte shi sepse ullukun shkaktonte shumë zhurmë”, thotë ai.

“Gjatë asaj kohe kanë ardhur të burgosur të ndryshëm, një rast ka ardhur edhe një i burgosur serb që na ka ndihmu, të burgosurit janë ndërruar vazhdimisht mirëpo asnjë nuk ka treguar çfarë jemi duke bërë”, rrëfen ai.

Shoqëria brenda dy mureve

Salih Salihu dhe Zymer Krasniqi kanë ndarë së bashku qelinë numër 2 për 3 muaj e 6 ditë.  Zymeri ishte 21 vjeçar kur ishte arrestuar, ndërsa Salihu dy muaj pa i mbushur 21 vjeç.

Në burgjet e ish-Jugosllavisë, Salih Salihu i ka kaluar 14 vite, ndërsa kishte qenë i dënuar me 20 vite.

Salihu për KALLXO.com ka thënë se në qelinë ku po mbahej ka kaluar shumë pak kohë aty, sepse kohën më të madhe e ka kaluar në dhomat në të cilat është marrë në pyetje.

“Jam arrestuar dy herë nga policia, herën e parë më 10 prill 1981 ndërsa herën e dytë më 25 korrik të vitit 1993. Herën e parë kam qenë në qelinë numër 2, e pastaj në 11-tësh. Neve pak na ka ra rasti me qëndru nëpër dhoma, sepse na kanë marrë në pyetje gjatë tërë ditës, e pastaj edhe natën prej orës 21 deri në orën 3 ose 4 të mëngjesit”, tha ai.

Duke kujtuar ecjet në distancë prej dy metrash që i kanë bërë në burgun e Prishtinës, Zymer Krasniqi ka treguar për KALLXO.com sesi është arrestuar.

“Më 2 prill kur janë mbajtur protestat e vitit 1981 në fshatin Besi, aty jemi organizuar disa shok dhe i kemi çarmatos njësinë serbe policore që ia kanë mësyrë me tanke edhe kamionë për me ardh në Prishtinë. Pas 5 dite, rreth orës 22 na kanë arrestuar dhe na kanë pru në 92-sh. Në dhomën 2 kam qëndruar 3 muaj. I dënuar kam qenë 13 vite, i kam mbajtur 7’, thotë ai.

Dy shokët e dhomës, thonë se iniciative për shndërrimin e burgut në muze është një iniciativë shumë e mirë.

“Është një ide shumë e mirë që po bëhet muze, në mënyrë që kur vini edhe ju, edhe djali ime me e pa ka kaluar prindërit e tyre”, thotë Salihu.

Më 23 maj Qeveria e Kosovës bazuar në kërkesat e komisioneve parlamentare nga Kuvendi i Kosovës ka iniciuar përmes ministrive përkatëse transformimin e burgut në muze tematik.