Mustafa Kërkon Vota në Emër të Ibrahim Rugovës (TV)

Në Suharekë Isa Mustafa u prit me surle e tupanë, por tubimi i paraparë të nisë në orën 15:00 në sallën “13 Qershori” filloi me 25 minuta vonesë.

Por ajo që u pa në këtë hapje të fushatës ishte prezenca e fëmijëve, disa fëmijë valëvitnin flamujt e LDK-së, ndërsa një fëmijë që ishte i veshur më një bluzë me logon e kësaj partie gjatë gjithë kohës është kujdesur që të bëjë foto.

Një grup të rinjsh që ishin më të zhurmshëm në sallë udhëhiqeshin nga drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Suharekës Frashër Beluli. Drejtori gjatë tërë kohës është përkujdesur që të duartrokasë dhe brohorasë për liderin e tij.

Isa Mustafa në fjalimin e tij tha se “Në këto zgjedhje duhet të fitojë partia e Ibrahim Rugovës, parti e vlerave”.

Ai u shfaq me plot kritika ndaj punës së qeverisë, ndërsa kërkoi votën e suharekasve pa ofruar ndonjë program të veçantë.

Në këtë fushatë u prezantuan edhe kandidatet për deputetë të LDK-së që vijnë nga Suhareka: Kimete Bytyqi, Ardian Shala dhe Avdyl Sopa.

Kimete Bytyqi mezi priste të dilte në skenë, pasi kur iu thirr emri u ngjit me vrap në podium.