FOTO - KALLXO.com - Pamje në Prishtinë - Arkiv

Mungesa e standardeve të emetimit të gazrave të ndotësve me katër rrota

Tymqitësit e automjeteve janë pjesë e listës si shkaktarë i ndotjes së ajrit në Kosovës. Si pasojë e kësaj ndotjeje shkaktohen edhe probleme shëndetësore si astma, bronkiti kronik, sulmi në zemër dhe tensioni i lartë.

Sipas Inventarit të Emisioneve të Ajrit nga Fondacioni i Mileniumit të Kosocvës, 11% të grimcave ndotëse me PM10 dhe 7% të grimcave ndotëse me PM 2.5, vjend nga ndotja e transportit kryesisht rrugor, 30% me okside të azotit dhe 1% me SO2 (dioksid të sulfurit).

“Industria dhe transporti, kryesisht trafiku rrugor, janë burimet më të mëdha të emetimeve të NOx. Industria përfaqëson 57% dhe transporti 30%. Shumica e emetimeve të PM10, PM2.5 dhe NOx ndodhin në zonat urbane dhe përgjatë rrugëve kryesore”, thuhet në Inventarin e Emisioneve.

Megjithëkëtë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) thotë se ende nuk e ka hartuar ndonjë plan për ndalimin e qarkullimit të veturave të vjetra.

Në një përgjigje për KALLXO.com, MMPHI për këtë çështje ka thënë se Ministria nuk punon plane parciale dhe se nga ana e tyre, nuk kanë vendosur kufizime për qarkullim të automjeteve të vjetra.

Sa i përket studimeve mbi standardet e emetimit të gazrave të automjeteve, MMPHI-ja thotë se ka bërë studim lidhur me standardet të emisioneve të gazrave të liruara nga automjetet. Ky studim sipas MMPHI-së është bërë vetëm për regjionin e Prishtinës.

“Ky studim është bërë gjatë realizimit të Projektit për zhvillimin e kapaciteteve për Kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës. Studimi është bërë vetëm për regjionin e Prishtinës, dhe ajo është realizuar me mbledhjen e të dhënave për numrin e automjeteve të cilat qarkullojnë në këtë regjion dhe matjen e fluksit të automjeteve në hyrje të Prishtinës dhe në qytet”, ka thënë MMPHI për KALLXO.com.

Të dhënat nga MKF/MCC për projektin 2 vjeçar në tërë Kosovën mund t`i gjeni duke klikuar në LINK

MMPHI gjithashtu ka treguar se ka bërë një plan të mobilitetit për trafik për regjionin e Prishtinës, ku janë ofruar disa opsione me qëllim të reduktimit të qarkullimit të automjeteve me çka do të arrihet edhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit nga komunikacioni.

MMPHI njofton se ka hartuar një Udhëzim Administrativ i cili përcakton detyrimet e përdoruesve të automjeteve. Ky udhëzim parasheh kontrollin e nivelit të shkarkimeve në ajër gjatë kontrollimit teknik të automjetit, kërkesat për automjetet e importuara dhe normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga automjetet në qarkullim.

Po ashtu në udhëzim është përfshirë edhe vlerësimi i gjendjes teknike të automjetit, nivelin e vlerave të ndotësve që shkarkohen nga automjetet, automjetet në përdorim dhe mënyrat e kontrollit të shkarkimeve në ajër nga automjetet.

Ndërkaq sa i përket implementimit të planit nga MMPHI, Komuna e Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com ku thotë se Projekti i Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) ka përfunduar vetëm pjesën e parë të projektit në të cilin është bërë kryesisht vetëm inventarizimi ndotësve të ajrit dhe procesi i monitorimit të cilësisë së ajrit.

“Me këtë projekt janë vendosur ekrane për shfaqjen e të dhënave për cilësinë e ajrit ndërsa pjesa e dytë e këtij projekti do të fillon nga gjysma e dytë e vitit 2022”, ka thënë Komuna për KALLXO.com.

Për parandalimin e ndotjes së ajrit, me theks të veçantë ndotjen nga automjetet, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se janë duke përgatitur aktivitete dhe projekte por që sipas komunës, implementimi i tyre do të ketë një afat të caktuar kohor.

Komuna e Prishtinës po ashtu ka treguar disa nga aktivitet dhe projektet e lartpërmendura siç janë automjete të pastra për Prishtinën, promovimi i ecjes dhe çiklizmit dhe menaxhimi i hapësirës së parkimit.

Tutje, komuna njofton se plani i cili është aprovuar në kuvend tani më ka filluar të implementohet. Ky plan sipas komunës përfshin:

-Reforma në ndërmarrjen e trafikut urban duke e furnizuar ndërmarrjen me 51 autobusë të rinj si dhe janë në proces të furnizimit edhe me 30 të tjerë;

-Vazhdimi i krijimit të shtigjeve të biçikletave dhe këmbësoreve si dhe rregullimin e hapësirave publike;

-Këtë vit është nënshkruar kontratë 1 milionëshe për intervenime në trotuare, shtigje të biçikletave, sinjalizim si dhe intervenime ne infrastrukturë.

Arkiv – FOTO KALLXO.com

Mundësitë për të zgjidhur problemin

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKShPK) ka cilësuar automjetet e vjetruara si burim potencial i ndotjes së ajrit. Për këtë arsye, IKShPK ka kërkuar që urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator.

Për të evituar ndotjen e ambientit nga veturat e vjetra, si zgjidhje e këtij problemi po konsiderohen edhe veturat elektrike. Pa emetim gazrash, veturat elektrike janë të shkëlqyera për zvogëlimin e ndotjes së ambientit nëpër qytete.

Se këto vetura kontribuojnë në uljen e emetimit të gazrave të dëmshme për ambientin, e thotë për KALLXO.com edhe pronari i kompanisë “Besa Security”, Granit Hasani, kompani e cila posedon 16 vetura 100% elektrike.

“Besa Security është certifikuar me standardin ndërkombëtare ISO14001 për ruajtjen e mjedisit. Blerja e veturave elektrike për automjetet që qarkullojnë 24/7 në terren, kontribuojnë ne uljen e emetimit te gazrave te dëmshëm për mjedisin dhe kështu dëshirojmë që klientët tanë, familjet tona dhe te gjithë qytetaret e Kosovës te kenë një mjedis më të mire”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se këto vetura me një mbushje të plotë, mundësojnë 320 kilometra duke shtuar se me flotën e saj prej 16 veturave elektrike “Besa Security ndihmon çdo ditë në uljen e emetimit të dioksid karbonit për 1968 gramë më pak në çdo kilometër të kaluar”.

Sipas statistikave që KALLXO.com ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë janë të regjistruara 74 vetura elektrike.

Në anën tjetër, për të plotësuar kriteret e një vendi që e neutralizon klimën, duhet të krijohen politika që qesin jashtë funksionit përdorimin maratonik të veturave dhe zëvendësimin e tyre me biçikleta. Pavarësisht kësaj, sipas një hulumtimi të KALLXO.com asnjë komunë nuk tejkalon 20 përqindëshin e përmbushjes së standardit për biçikleta.

Ndërkaq në bazë të një raporti të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK) për treguesit mjedisor të transportit, thuhet se sa më të vjetra që të jenë veturat dhe sa më i vjetër që është standardi EURO i tyre emetimet do të jenë më të larta dhe presioni do të jetë më i lartë.

Në raport thuhet se numri më i madh i automjeteve nga të gjitha kategoritë i takon grupit që i takojnë standardit EURO3 dhe EURO 4, dhe që mundë të konsiderohen si automjete të moshës mesatare.

Ndërkaq, sipas statistikave që KALLXO.com ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë janë 139,343  automjete të regjistruara me EURO 3 dhe 72 ,924 të tjera me EURO 4.

Bazuar në raportin AMMK, pas këtyre kategorive vije kategoria e automjeteve EURO 1 që mund të konsiderohet si automjete të vjetra e që sipas MPB-së janë 20,903 automjete të regjistruara me EURO 1.

Ndërsa EURO 5, që mund të konsiderohen si automjete të reja, janë të regjistruara 124 ,310 të tilla sipas të dhënave nga MPB.

Për të dhëna të detajuara dhe monitorimin dhe parashikimin e cilësisë e ajrit mund të informoheni duke klikuar në portalin e IHMK-së: airqualitykosova.rks-gov.net

Po ashtu për informata rreth ndikimit të ajrit në shëndetin tuaj mund të klikoni në portalin e IKShPK-së: ajri.niph-rks.org/sq/airquality-sq

Ju mund ta shkarkoni në pajisjen tuaj smart edhe aplikacionin për monitorimin dhe parashikimin e cilësisë ajrit Air Quality in Kosovo në platformat iOS App Store dhe Android Play Store.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.