Pamje nga Bjeshkët e Rugovës, nga maja e Hajles 2403 metra lartësi mbidetare.
Mungesa e planeve për zhvillimin e turizmit në parkun e mbrojtur 'Bjeshkët e Nemuna'
Territori i Bjeshkëve të Nemuna që nga viti 2013 është shpallur Park Kombëtar. Pjesa ku përfshin Rugovën është ende një temë e diskutueshme për problemet e shumta që përballen banorët dhe turistët që vizitojnë këtë pjesë.
Ankesat nga banorët të cilët pretendojnë që janë lënë anash, janë të mëdha. Kryetari i Bashkësisë Lokale, Agron Nikçi tha për KALLXO.com se në Rugovë nuk është dhënë asnjë cent për zhvillim.
“Çdo familjar dhe kryefamiljar ka pronë në Rugovë, asnjë cent nuk ka për zhvillim në atë vetëm pengesë dhe menaxhimi i tyre është nën zero”, tha Nikçi.
Ai u shpreh se Komuna e Pejës nuk ka bërë hapa të duhur për banorët dhe nuk është interesuar për një zgjidhje më të mirë.
“Ne jemi duke u zhvilluar pa plan, po e bëjmë një katastrofë për vete”, tha ai.
Nga Komuna e Pejës, përgjegjësi për zyrën e turizmit, Vyrtyt Morina ka thënë për KALLXO.com që ka hapësira për përmirësim në këtë vend.
“Normal që ka hapësira për përmirësim, për zbatim të ligjit edhe ma të mirë dhe ka hapësirë për zhvillim më të mirë ndërsa edhe qeveria duhet të orientohet pak më tepër që të punohet në këtë drejtim që Bjeshkët e Nemuna të promovohen si potencial për turizëm”, u shpreh ai.
Ndërsa profesoresha nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, Ferdije Zhushi Etemi tha se ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e duhur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
“Për momentin po ndërtohet pa plan, pikërisht si pasojë e mungesës së Planit Menaxhues”, tha biologja Zhushi- Etemi.
Sipas saj, për momentin në ato vende është një kaos i vërtetë.
“Ujerat e zeza në pjesët e parkut kryesisht vijnë nga objekte hotelerie, por ata duhet për shkarkim te këtyre ujërave të iu përmbahen kushteve që iu është dhënë kur kanë marrë pëlqimin mjedisor dhe lejet ujore nga Ministria e Mjedisit”, u shpreh më tutje profesoresha.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thonë për KALLXO.com se në Parkun Kombëtar ekzistojnë mbi 9 mijë hektarë prona private dhe 17 fshatra si zona kadastrale.
Ministria thotë se aktualisht çdo ndërtim është pa leje dhe pa kritere.
“Në këto zona ka ndërtime të reja dhe po kështu pa kaluar plani hapësinor i Parkut Kombëtar i cili është i përgatitur që sa vite por që nuk është aprovuar nuk do ketë leje për ndërtime dhe rrjedhimisht as kritere dhe çdo ndërtim aktualisht është pa leje dhe pa kritere”, thuhet nga Ministria.
“Meqë plani hapësinor ende është draft dhe nuk është aprovuar tanimë është formuar një grup punës për rishqyrtimin e këtij plani dhe ende nuk dihet saktë sa hektarë do të jenë zonë e ndërtimit”, thuhet ndër të tjera.
Sa i përket ujërave të zeza nga Ministria thonë se mungojnë impiante dhe nuk ka fare kanalizime publike dhe kryesisht ujërat e zeza janë të parregulluara dhe diku ka gropa septike që i kanë bërë familjet individualisht.
Në Parkun Kombëtar aktualisht nuk aplikohet asnjë pagesë për qytetarët edhe pse në vitin e kaluar janë rregulluar objektet infrastrukturore ku do të aplikohej taksa, por kjo gjë ishte penguar nga banorët e Rugovës.
Në nëntor të vitit të kaluar, banorët e fshatit Stankaj vazhdonin të kundërshtojnë një projekt të komunës së Pejës që planifikon ta dërgojë ujin prej burimit të fshatit të tyre në fshatrat përreth. Ata po ankohen se ky projekt shumë shpejt mund t’i lë pa ujë.
Banorët e fshatit Stankaj të Rugovës kundërshtojnë projektin e komunës që sipas tyre po i lë pa ujë
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.