Mungesa e bordit të OShP-së, mban peng tenderin për shërbime të telefonisë të Komunës së Pejës

Tenderi për blerjen e shërbimeve të telefonisë i Komunës së Pejës përfundoi në ‘gjykatën e tenderëve’, pasi kundër hapjes së tij ishte ankuar “Telekomi i Kosovës” Sh. A.

Ndonëse afati ligjor për trajtimin e kësaj ankese ka skaduar, si rezultat i mosfunksionalizimit të bordit të OShP-së, vendimi i OShP-së i katër viteve më parë, për tender të ngjashëm të komunës doli të jetë i kundërligjshëm me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.

Më datë 4 gusht 2021, Komuna e Pejës inicoi aktivitetin e prokurimit për blerjen shërbimeve të telefonisë mobile për nevojat e institucioneve komunale. Për blerjen e këtyre shërbimeve, komuna kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në 65,000 euro.

Ishte përdorur procedurë e hapur e prokurimit me kriter të dhënies së kontratës, tenderin ekonomikisht më i favorshëm.

Mirëpo, ky tender u pezullua pasi, kundrejt këtij inicimi u paraqit ankesë nga “Telekomi i Kosovës” Sh. A.

Para se ndërmarrja publike në fjalë, t’i drejtohej OShP-së, ajo fillimisht më datë 18 gusht 2021 kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim të vendimit në komunë, mirëpo në përgjigjen e datës 16 shtator 2021, Autoriteti Kontratkues e kishte vlerësuar si të pa bazuar.

Në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), më datë 20 shtator 2021, “Telekomi i Kosovës “Sh. A. paraqiti ankesë.

Milot Gashi shef i prokurimit në Komunën e Pejës thotë rasti tashmë është në OShP.

“Me të thënë të drejtën unë tashmë jam udhëheqës i ri në prokurimi, ai ish menaxheri ka dal në pension, mirëpo qysh e di unë, qysh jam i informuar mirë, është në OShP lënda”, tha ai.

Tutje Gashi tha se lënda është pezulluar menjëherë, pasi është ankuar operatori tjetër ekonomik edhe tash lënda duhet të trajtohet në OShP.

Nga komuna thonë se aktualisht shërbimet po i marrin nga operatori ekonomik aktual, “Telekomi i Kosovës” deri në vendimin e ri të bordit të OShP.

Në anën tjetër nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) bëhet e ditur se me të pranuar ankesën lidhur me këtë tender, është autorizuar eksperti shqyrtues ku është dorëzuar edhe raporti i tij, mirëpo është e pa mundur të merret vendim në mungesë të bordit.

“Lidhur me pyetjen tuaj të cekur nën (a) që ka të bëj me 694-21 të ankuesit “Telekomi i Kosovës” të datës 22.09.2021. Organi Shqyrtues i Prokurimit  sqaron se për ankesën në fjalë OSHP menjëherë ka autorizuar ekspertin shqyrtues dhe për këtë lëndë është dorëzuar edhe raporti  i ekspertit shqyrtues me të cilin raport janë njoftuar palët në procedurë. Është e pa mundur të merret vendim për këtë lëndë ashtu siç u sqarua edhe më lart, sepse OShP është duke funksionuar pa bord, e që kompetent për marrjen e vendimeve për ankesat e OE-ve është Bordi i OSHP-së. Sqarojmë se të gjitha ankesat që kanë raport të ekspertizës janë pa vendime të bordit”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Nga OShP, sqarojnë se Kuvendi i Republikës së Kosovës me vendimin Nr. 05-V-261 të datës 30 mars 2016, ka emëruar Kryetarin dhe dy anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit për një mandat 5 vjeçar, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurim Publik i Republikës së Kosovës, ku vendimi i lartcekur ka hyrë në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi. Andaj duke pas parasysh faktin se më 30.03.2021, bordi ka mbushur pesë 5 vjet nga emërimi i tyre, ju sqarojmë se OSHP nga data 30.03.2021 është pa Kryetar dhe pa asnjë anëtar bordi (sepse edhe dy anëtarëve tjerë ju ka skaduar mandati më parë).

Gjykata gjeti shkelje ligjore në tenderin e njëjtë paraprak

Nuk është hera e parë që për tenderë të blerjes së shërbimeve të telefonisë nga Komuna e Pejës, është parashtruar ankesë.

Para më shumë se 4 vjetësh, përkatësisht në muajin korrik të vitit 2017, Komuna e Pejës kishte hap tender me titull “Shërbimet e telefonisë mobile për nevojat e institucioneve komunale”. Për atë tender kishte zotuar 75,000 euro.

Mirëpo qysh në fazën e pas hapjes së njoftimit për kontratë, pasi komuna i refuzoi kërkesën për rishqyrtim si të pa bazuar, “Telekomi i Kosovës” Sh. A. ishte ankuar në OShP.

Telekomi i Kosoves_Sh.A_ Ankesa 280-17
Telekomi i Kosoves Sh.A. Ankesa 280-17

Përmes ankesës, “Telekomi i Kosovës” Sh. A. propozoi të anulohet ky aktivitet prokurimit ku sipas tyre nuk ka nevojë për procedurë prokurimi.

“Të anulohet njoftimi për kontratë, nga Kuvendi Komunal i Pejë, dhe të fillohet një procedurë e re në përputhje me interpretimet e KRPP-së, dhe në kërkesat e nenit 9.4 të LPP-së. DMTH, Kuvendi Komunal Pejë, nuk ka nevojë të përdor procedurë të prokurimit, pasi që shërbimet ofrohen nga një institucion publik që përdor fonde publike”, thuhet në ankesën e telekomit.

Më 18 shtator 2017, Komuna e Pejës anuloi këtë aktivitet të prokurimit pasi një gjë e tillë u kërkua me vendimin 280/17 të datës 12 shtator 2017 nga OShP-ja.

Ndonëse vendimi sipërpërmendur nuk u gjet i publikuar, përmes kërkesës zyrtare KALLXO.com i është drejtuar OShP-së, mirëpo përveç përgjigjeve të ofruara nga OShP nuk është ka ofruar edhe dokumenti i kërkuar.

Kundër vendimit të OShP-së, kompania e telefonisë “Ipko Telekomunication” kishte parashtruar kërkesë-padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në seancën kryesore të datës 12 qershor 2019, siç thotë rolpik.org, përfaqësuesi i paditësit i propozoi gjykatës që të miratoj të bazuar kërkesëpadinë dhe vendimin e OShP-së ta anuloj si të kundërligjshëm.

Për më shumë për këtë proces, nga OShP thonë se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka aprovuar padinë e palës dhe gjykata çështjen e ktheu në rivendosje.

“Lidhur me pyetjen tuaj nën (b) që ka të bëj me ankesën 280/17 të datës 12.09.2017, Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se, kundër vendimit të OSHP-së PSH nr. 280/2017, pala e pa kënaqur ka ushtruar kërkesë-padi në gjykatë dhe OSHP më datën 06.08.2019, ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin është aprovuar kërkesë-padia e palës dhe ku nga gjykata çështja është kthyer në Rivendosje tek e paditura OSHP”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Sipas OShP-së, kundër këtij aktgjykimi OSHP brenda afatit ligjor ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Edhe Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e OShP-së

“Me datën 19.04.2021 OSHP ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës se Apelit me te cilin aktgjykim  gjykata ka refuzuar ankesën e OSHP-së dhe ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të datës 17.07.2019. Sqarojmë se OSHP aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar me datën 19.04.2021, në kohen kur OSHP funksionon pa bord  andaj në mungese te bordit për vendimmarrje  ka qenë e pa mundur te  procedohet me tutje kjo lende.”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Dyshime për vendime tjera të kundërligjshme

Ankesë të tillë “Telekomi i Kosovës” kishte parashtruar edhe ndaj njoftimit për kontratë të Komunës së Klinës në mars të vitit 2020.

Në po të njëjtin muaj të vitit 2020, “Telekomi i Kosovës” Sh. A. ankohet edhe kundrejt inicimit të tenderit nga Universiteti i Prishtinës, dhe si bazë për forcimin e ankesës përveç nenit 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik dhe interpretimit të KRPP-së, përmenden edhe vendimet e mëparshme të OShP-së, si: Vendimi nr.409/19 i datës 4 shtator 2019 kundër njoftimit për kontratë të Kuvendit të Kosovës, Vendimit 338/19 i datës 16 gusht 2019 kundër njoftimit për kontratë nga Universiteti “Haxhi Zeka”.

Edhe këto ankesa të sipërpërmendura, OShP i aprovoi si të bazuara.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com gjeti se për më shumë se tri vite pasi Gjykata e Tenderëve e kishte anuluar tenderin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) për furnizim me internet për rrjetin sizmologjik të Kosovës dhe lidhjet kabllovike për MZhE-në, Gjykata e Prishtinës e ka anuluar vendimin e saj dhe e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje.

 

Pas tre viteve, Gjykata e Prishtinës “përmbys” vendimin e OShP-së për tenderin e internetit