Mundësitë e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë në botë.

Sa i përket Kosovës, kjo organizatë thotë se janë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Pjesa më e madhe e tyre janë të papunë dhe gëzojnë pak përkrahje shoqërore dhe institucionale.

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që me kushte të përshtatshme të punësoj një PAK në çdo 50 punëtorë.

Ligji për aftësimin, ri-aftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas nenit 12 pika 3 të këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në Buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 % të shumës së pagës minimale, por përkundër kësaj, kjo pikë e këtij neni nuk gjen zbatim në praktikë.

Problem konsiderohet edhe moskrijimi i infrastrukturës së përshtatshme dhe mos krijimi i kushteve të barabarta për punë efikase.

Duke qenë se ligji garanton ri-aftësim profesional për PAK, në nëntor të vitit të kaluar nga masa 1.6. Ministria e Financave, Punës dhe Transferit kanë ndarë 5 milionë euro për këtë qëllim ku janë përfshirë 243 persona me tendencë të rritjes.

Të pakta janë institucionet, si publike e po ashtu edhe private, që punësojnë një person me aftësi të kufizuar në 50 punëtorë.

Republika e Kosovës ka miratuar norma ligjore përmes të cilave përcaktohet, definohet dhe avancohet pozita e personave me aftësi të kufizuara. Kuadri ligjor vendor dhe ndërkombëtarë njeh dhe rregullon të drejtat e këtij komuniteti për punë dhe punësim por sfidë mbetet zbatimi i këtyre akteve si dhe mungesa e një qasjeje strategjike nacionale që do të nxiste punësimin e kësaj kategorie të shoqërisë përmes mbështetjes së punëdhënësve që punësojnë persona me aftësi të kufizuara.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar një strategji nacionale për të drejtat e PAK 2013/2023 si dhe planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie.

Qëllimi i kësaj strategjie është që të promovojë të mbrojë dhe të sigurojë zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjithë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga të gjithë personat me aftësi të kufizuara dhe të kontribuoj në respektimin e dinjitetit të tyre të qenësishëm. Kjo strategji nuk adreson në mënyrë të veçantë aftësimin, ri-aftësimin profesional dhe punësimin e PAK, por e trajton në kuadër të politikave sociale.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji i punës dhe Ligji për aftësim , ri-aftësim profesional dhe punësimin e PAK, ndonëse garantojnë këtë të drejtë, megjithatë, kërkohet të shikohet pak më thellë se si shteti dhe institucionet inkurajojnë dhe mbështesin punësimin e këtij komuniteti. Përtej garantimit ligjor të së drejtës për punë dhe përzgjedhjen e lirë të profesionit edhe për personat me aftësi të kufizuara, shtrohet pyetja: cilat janë politikat ligjore që nxisin rritjen e punësimit të kësaj kategorie të shoqërisë?

Baza ligjore e zgjidhjes së problemit

Siç edhe u përmend më sipër, në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që garanton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara pa diskriminim, Kuvendi ka miratuar një ligj të veçantë që për qëllim ka avancimin e pozitës së tyre në shoqëri.

Ligji në fjalë, i përkufizon personat me aftësi të kufizuara si ata persona që kanë dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afat-gjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët.

Si qëllim i këtij ligji, ligjvënësi ka paraparë që të garantojë përkrahje ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara duke u mbështetur në principet dhe tretmanin e mundësive të barabarta, përfshirë edhe mundësitë gjinore.

Madje, në vete ky ligj ka paraparë politika qeveritare për aftësimin profesional që i rregullon neni 10, e që proklamohet që këto politika do të përfshijnë aftësimin, riaftësimin profesional dhe format tjera të mbështetjes për punësimin e personave me aftësi të kufizuara e ndër të tjera edhe planprogramet mësimore sipas sistemit modular që mundësojnë aftësim individual për personat me aftësi të kufizuara.

Ndalimi i diskriminimit

Ligji gjithashtu ndalon qartazi diskriminimin ndaj këtyre personave duke e përkufizuar atë si çdo dallim, përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjuhës ose anëtarësisë sindikale, i cili konsiston në mosdhënien e mundësive të barabarta ose trajtimit jo të barabartë në punësim apo në profesion.

Gjithashtu ju garanton mbrojtje ligjore, me nenin 5 pika 3, që thotë ndalohet çdo lloj diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar dhe personave me aftësi të kufizuar ju garantohet mbrojtje ligjore e barabartë dhe efektive ndaj çdo lloj diskriminimi në të gjitha situatat.

Ligji tutje mbron edhe procesin e krijimit të marrëdhënieve të punës duke trajtuar edhe punësimin në tregun e hapur të punës, kështu obligon punëdhënësin që të punësoj një person me aftësi të kufizuar në çdo 50 punëtorë. Pra parasheh raport 1 me 50.

Madje Legjislacioni për të stimuluar punësimin e tyre, parasheh edhe benificione ndaj punëdhënësve në rastin e punësimit e personave me aftësi të kufizuara.

“Punëdhënësi i cili punëson persona me aftësi të kufizuara si dhe personi me aftësi të kufizuar që ushtron veprimtari të pavarur, të drejtën për lehtësime doganore dhe tatimore e realizojnë sipas ligjeve tatimore dhe doganore në fuqi” – thuhet në nenin 18, pika 1 e këtij Ligji.

Po ashtu parashihet edhe stimulim në të holla, ky stimulim përcaktohet në lartësinë e kontributit të obliguar në paga, i përcaktuar me dispozitat e obligueshme të sigurimit pensional, në bazë të kontributit të obligueshëm të paguar për paga (rroga), i përcaktuar me dispozitat mbi sigurimin shëndetësor si dhe kontributit të obligueshëm të paguar për paga, i përcaktuar sipas ligjit, i cili rregullon ndërmjetësimin me rastin e punësimit dhe të drejtave gjatë kohës së papunësisë. Stimulim i cili i faturohet Buxhetit të Kosovës.

Ky ligj, në vete ngërthen edhe dispozita ndëshkimore, i cili parasheh gjobë 500-2000 euro ndaj punëdhënësve të cilët kanë diskriminuar personin me aftësi të kufizuar apo kanë shkelur të drejtat e PAK të garantuara me legjislacion.

Nëse qytetarët shohin se këto rregulla nuk zbatohen atëherë të njëjtat duhet t`i raportojnë në Institucionin e Avokatit të Popullit apo të inicojnë procedura ligjore në gjykatë.

Qytetarët këshillohen që në mungesë fondesh për të financuar paditë apo çështjet juridike për këtë kategori të kontaktojnë ndihmën juridike falas për të marrë asistencë falas nga avokatët e paguar nga agjencia.