Mulliri me ujë në Pejë, Foto: KALLXO.com

Mulliri i Bërdynjave që i mbijetoi kohës dhe luftërave për tre shekuj (VIDEO)

Gurët e vjetërsuar me gypat që lejojnë rrjedhën e ujit të Drinit të Bardhë tek Mulli i Bërdynjave vazhdojnë të jenë të fortë edhe pas treqind vjetëve. 

Në mes Radavcit i rrethuar nga shtëpi, i lidhur me rrjedhën e Drinit të Bardhë ashtu si para tre shekujve edhe tani çdo ditë bëhet punë në shërbim të komunitetit.

Dikur në mullirin e ujit punonin 90 anëtarë të familjes Bërdynaj ndërsa sot prej tyre vetëm dy anëtarë punojnë në të.

Izet Bërdynaj bashkë me gruan e tij, e vazhdojnë këtë traditë me shumë pasion.

“Punoj në mulli që tre vite, puna e mirë është ka fitim me mbajt me këtë punë është një mulli 300 vjeçar monument historik, punë ka çdo ditë punoj pa u ndalë tërë muajin. Punën brenda ditore e bëjmë bluarjen e gjithë lloje të misrave, çfarëdo misri që e sjellin për ta bluar, i vendosim në sanake këtu që janë edhe kryhet bluarja e misrit varet sa është misri i tharë nëse është i terur mirë bluhet më shpejtë”- tregoi ai.

Mulliri përbehet nga katër gurë, më katër gypa prej të cilave rrjedh uji dhe vë në funksion rrotullimin katër gurëve.

“Katër gurë i ka, çdo gurë e ka nga një lug, përfundi poshtë është ajo flutura që e bien ujin direkt këtu e rrotullon, prapa i lugët shtatë metra gjatë me lartësi tre metra. Misri sillet këtu, vendoset në sanak (kuti) edhe lëshohet në funksion guri edhe i ka operacionet e veta për me vendos më trash se i sjellë ai me blu”- tha pronari i mullirit.

Ai thekoi që brenda dy ore mund të bluhen rreth 100 kilogramë miell duke nënkuptuar që edhe pse funksionon nga uji puna nuk shkon ngadalë.

Qerim Bërdynaj që është historian nga Famija Bërdynaj rrëfeu disa ngjarje si ka vijuar historia e mullirit sipas tij është blerë nga parardhësit e familjes së tyre pas luftës së parë botërore 1918 me formimin e Jugosllavisë kur janë shpërngulur turqit në vendlindjen e tyre.

Mulliri me ujë në Pejë, Foto: KALLXO.com

“Është e vërtetë se që tre shekuj ky është në funksion edhe më tepër ndoshta sepse ne kemi blerë pas luftës së parë botërore kur është formuar Mbretëria Serbe Kroate Sllovene, shqiptarëve ju ka vendos kusht të shpërngulen prej këtu, me dorëzuar armët edhe me pagu tatimet e ndryshme. Shqiptarët janë shpërngulur shumë dhe pronari i këtij mulliri janë quajtur “Mehmet Kamberët”, janë shpërngulur në Turqi dhe katërgjyshat tonë e kanë blerë prej tyre, atëherë ka qenë një kat tani e kanë vazhduar edhe një kat lart e ka shfrytëzuar për ata që kanë ardhur këtu dhe nuk kanë mundur të bluajnë për një natë”-rrëfeu qërim Bërdynaj.

Ai tregon se afërsia me Drinin e Bardhë ka qenë një faktor tjetër që në kaluarën ka pasur shumë mullinj në këtë zonë po ky është i vetmi që ekziston në këtë pjesë.

Si dhe historiani i familjes Bërdynaj tha se prej gjithë lagjes në luftën e fundit mulliri është i vetmi që ka shpëtuar, sipas tij serbët e kanë pasur për interesa të tyre.

“Gjatë luftës së fundit gjithë lagjja prej 10 shtëpive është djegur, prej kulmit në themel, këtë nuk e kanë djegur kanë menduar që ta shfrytëzojnë edhe për vete”- bëri të ditur ai.

“Përpara në këtë regjion që është regjion i Potgurit kanë qenë jashtë shtatë mullinj, ka qenë edhe një derrstilë që i ka shkel pantollat i ka punuar që me i qep më lehtë edhe kanë qenë më lehtë me i bart sepse i ka zbutur shtypja”- pohoi ai.

Po ashtu, Qerim Bërdynaj tregoi që deri në vitet e 60-ta ka qenë edhe një mulli tjetër mirëp atë e kanë shkatërruar vetë duke nxjerrë gurë për t’i sjellë tek mulliri i tanishëm.

Mulliri me ujë në Pejë, Foto: KALLXO.com

“Aty rreth viteve të 60-ta kur dolën mullinjtë me rrymë, atëherë ra interesimi për mullinjtë e ujit edhe ne e mbyllëm atë atje. Mulliri tjetër është shkatërruar krejt, prej nesh sepse kanë qenë gurët e latuar”- tregoi ai.

Izet Bërdynaj që punon në mulli tha se këtu me ujë ka funksionuar edhe sharra e drurit.

“Prej këtij mulliri kanë jetuar 90 familjarë kanë qenë në shtëpi, prapa mullirit ka qenë edhe sharra me ujë që ka punuar babai për dërrasa për çka iu ka nevojit ka qenë edhe salla me ujë pa rrymë fare edhe ky mulli tashmë funksionon vetëm me ujë edhe nëse ndalet rryma ky gjithmonë si verë si dimër”- theksoi pronari mullirit.

Ndryshe mulliri kishte shërbyer si “shtëpi për ballistët” prej vitit 1939, sipas Qerim Bërdyaj ky rol ishte i zakonshëm në punën e përditshme të mullirit.

“Ky mulli ka qenë qendër e ballistëve këtu ballistët prej Rugove prej Shalës së Bajgorës, në këtë relacion vazhdimisht është shërbyer me miell, se kanë jetuar nëpër shpella kanë marrë armatim këtu që ia kemi siguruar ne fashat e ndryshme për lidhjen e plagëve, kanë marr duhan armë çka u kemi lënë këtu. Këtu kanë bluar prej Novi Pazarit boshnjakët unë e mbaj mend karvanët e kuajve rreth 40 kuaj kanë ardhur njëkohësisht, e kanë blerë drithin në Pejë e kanë sjellë këtu për ta bluar”- bëri të ditur ai.

Ai tregoi që pritjet e njerëzve për të tu furnizuar me miell kanë zgjatur me javë dhe nëse nuk kanë arritur të përfundonin të gjitha kërkesat, konsumatorët kanë pritur aty.

“Ata që nuk kanë mundur të bluajnë këtu kanë ngjarë me prit një javë ditë në rend me blu ata tash kanë fjetur në dhomë të mullirit ata që nuk i ka zënë këtu i kemi dërguar tek oda e burrave, nëse ka qëndruar një javë bukën e ka pasur falas”- u shpreh historiani i familjes Bërdynaj.

Mulliri me ujë në Pejë, Foto: KALLXO.com

Gurët të cilët funksionojnë në mulli janë të vjetër afro 50 vite të cilët i kanë marrë prej Shalës së Bajgorës.

“Janë lloj guri që vështirë shpenzohet edhe është i fortë që me pre është problem, ka dy gur që janë të vendosur njëri poshtë është i palëvizshëm ky lart është i lëvizshëm”- shpjegoi pronari i mullirit.

Ai tha që njerëzit janë të interesuar që mulliri të mos mbyllet, dhe në rast të çfardo prishje janë të angazhuar që mulliri të punojë dhe shërbejë atyre.