Mulaku: Fabrika e Ujit do të Ndërtohet

Kreu i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, premton se problemin e ujit do ta zgjidhë gjithsesi brenda mandatit të mbetur. Sipas tij, tashmë ka nisur ndërtimi i një fabrike të re të ujit në fshatin Balinc.
 
“Është duke punuar në fshatin Balinc një projekt trevjeçar. Vitin e kaluar ka nisur puna dhe për tri vjet do të kryhet. Kjo fabrikë do përpunojë 350 litra në sekondë dhe kjo mund të jetë e tepërt për komunën tonë. Me përfundimin e kësaj fabrike, komuna së Vushtrrisë ka me pasë ujë”, është zotuar Mulaku, gjatë debatit “Jeta në Komunë”.
 
E si suksese, Mulaku ka përmendur ndërtimin e rrugëve nëpër fshatrat e Vushtrrisë, ndërtimin e një qendre të mjekësisë familjare në Vushtrri si dhe ndërtimin e një ure në fshatin Prelluzhë. Ndërsa, sfida për Vushtrrinë vazhdojnë të mbesin mbeturinat dhe kujdesi për rastet sociale.
 
Sa i përket mbeturinave, Mulaku thotë se në Vushtrri janë disa deponi ilegale të mbeturinave, të cilat komuna disa herë i ka larguar, mirëpo ato mbushen sërish. E kjo, sipas tij, ndodh për shkak se kompania rajonale nuk ka kapacitete për t’i mbledhur.
 
“Kjo kompani nuk po mundet me realizu punën e saj. Problem është se ajo është rajonale, duhet patjetër që këto të bëhen kompani publike komunale”, ka thënë Mulaku, i cili i ka ftuar edhe qytetarët e Vushtrrisë që të kujdesen për ambientin e tyre.
 
Komuna e Vushtrrisë e ka problem edhe emërtimin e shkollave të kësaj komune, kjo pasi që familjet e dëshmorëve dëshirojnë t’i emërtojnë shkollat me emrat e familjarëve të tyre. Sipas të dhënave, janë shtatë shkolla të kësaj komune të cilat nuk kanë emra. Mirëpo, kreu i Komunës ka mohuar të ketë përgjegjësi në këtë çështje. Ai pohon se kjo është kompetencë e këshillave të shkollave, e Drejtorisë së Arsimit, e në fund edhe e Ministrisë së Arsimit.
 
Ai gjithashtu e ka mohuar të ketë lidhje me rastin të cilin tashmë është duke e hetuar EULEX-i, me ç’rast një shkolle në këtë komunë, me intervenime, i ishte ndërruar emri për t’iu vënë emri i vëllait të ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxas.
 
Mulaku është kritikuar gjithashtu, nga opozita, se në sektorin e arsimit ka punësuar persona pa kriteret adekuate.

“Në arsim pranohen njerëzit që janë militant për një vend pune për një bibliotekë me 300 libra pranohen dy vetë”, ka thënë Qazim Azemi nga AAK-ja.

Ai ka përmendur si rast konkret të punësimit familjar, të birin e të zyrtarit të Arsimit, Murtez Dallku, Valdet Dallku, si mbikëqyrës i kompjuterëve në komunë.

E Mulaku ndonëse pranon se është në dijeni për këtë rast, thotë se aty janë zbatuar procedurat e konkurrimit. “Unë për Valdet Dakun kam pa që ka tendenca; kanë pasur të drejtë të ankohen secili në mënyrë ligjore. Por si kryetar nuk mund t’i them mos apliko. Ai ka aplikuar dhe është pranuar”, ka thënë Mulaku, duke theksuar se kush i pakënaqur me këtë konkurs mund të ankohet.