MTI Shqyrton Dy Opsione për Çimenton

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) po shqyrton dy opsione për ndryshimin e vendimit të marrë në muajin qershor, i cili favorizon korporatën greke “Titan”, që është pronare i fabrikës së çimentos në Han te Elezit.

MTI-ja i ka vendosur një taksë prej 35 për qind importuesve të çimentos, duke favorizuar kështu çimentoren në Han të Elezit me arsyetimin se është prodhues vendës. Kjo është bërë duke u bazuar në Ligjin për masat mbrojtëse në importe.

“Njëri prej opsioneve është shfuqizimi i vendimit për ‘Sharrcemin’, kurse tjetri është marrja e një vendimi që bazohet në aplikimin e tarifave në kuotë për të gjithë importuesit e çimentos”, i tha Gazetës JnK, Bernard Nikaj, këshilltar i ministres Mimoza Kusari-Lila. 

Aplikimi i tarifave në kuotë, sipas tij, parasheh heqjen e taksës për një sasi të caktuar të importit të çimentos. “Këtu parashihet që të hiqet taksa për një sasi të caktuar për të cilën sasi ende nuk është vendosur.  Nëse importi e tejkalon këtë sasi, atëherë taksohet”, ka thënë Nikaj.

Modalitetet për hartimin e vendimit të ri janë duke ende duke u diskutuar, por sipas tij, ato do të kryhen brenda javës. “Vendimi do të merret sigurt brenda kësaj jave”, tha Nikaj.
 
Vendimi për taksën mbi çimenton ka nxitur reagime të shumta. Edhe në Kuvend ka pasur kërkesa për shkarkimin e ministres që vjen nga radhët e AKR-së.

Njëri prej deputetëve të Aleancës Kosova e Re , Emin Gërbeshi, kishte inicuar mocion në Kuvendin e Kosovës  kundër vendimit të ministres Kusari-Lila, por një ditë më vonë ishte shkarkuar nga partia e tij.