MSH Mund të Mos Përfill Rekomandimet

(E plotësuar) Ministri i Shëndetësisë konsideron se rekomandimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC), i cili ka kërkuar anulimin e sërishëm të konkursit në QKUK,  nuk janë të bazuara, për faktin se drejtorët e Klinikave, Instituteve dhe Shërbimeve, të përzgjedhura me këtë konkurs, nuk menaxhojnë as buxhet dhe as resurse.

Andaj, Ferid Agani konsideron se bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë, e jo për shërbyes civilë.

Rekomandimet e KPMSHC-së, të cilat i ka siguruar Gazeta JnK, e obligojnë sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorin ekzekutiv të QKUK-së që në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh të bëjnë rishpalljen e konkursit, në pajtim me Ligjin për Shërbyesit Civilë.

Sa i përket interpretimit të Ministrisë së Administratës Publike, që në paragrafin e pestë të rekomandimeve, e citon drejtori i KPMSHC-së Mehdi Geci, ministri Agani thotë se ai nuk është interpretim institucional.

“Ne kemi konkluzionet e grupit të punës së kësaj ministrie dhe në ato konkluzione definohet qartë se bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë, e jo për staf civil”, thotë ministri Agani.

Sipas tij, Ministria, pas 15 ditësh do t’i përgjigjet KPMSHC-së.

I pyetur nëse dikush duhet dhënë dorëheqje, në rast të anulimit të konkursit, duke pasë parasyshë që një herë është anuluar konkursi për të njëjtat pozita, Agani ka thënë se nuk ka bazë për këtë.

“Bëhet fjalë për paqartësi të dispozitave ligjore, dhe nuk ka arsye për dorëheqje”, tha ai.

Këshilli: Anulojeni Konkursin në QKUK

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës rekomandon anulimin e konkursit për drejtorë në QKUK. Mes tjerash, në arsyetim thuhet se konkursi është shpallur pa autorizim, komisioni intervistues ishte joadekuat, shpallja në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, nuk ka pasur përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive dhe se Këshilli nuk u ftua ta monitorojë konkursin. QKUK akuzon për ndërhyrje.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC) ka rekomanduar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të anulojë shpalljen publike për vendet e punës – drejtor Klinike, drejtor Instituti dhe drejtor të Shërbimeve të QKUK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar rekomandimet e KPMSHC-së, që e obligojnë sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorin ekzekutiv të QKUK-së në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh të bëjnë rishpalljen e konkursit, në pajtim me Ligjin për Shërbyesit Civilë.

Në arsyetimin e rekomandimeve, në pikën e parë thuhet se QKUK-ja ka bërë shpalljen e konkursit pa pasur autorizim prej Ministrisë së Administratës Publike.

Më tutje, thuhet se komisioni për intervistimin e kandidatëve nuk ka qenë adekuat. Dy anëtarë nuk kanë qenë me status të nëpunësit civil. Kurse, njëri nga ta ka pasur nivel më të ulët se pozita e drejtorit klinik.

Shpallja publike është bërë në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, thuhet në pikën e tretë të rekomandimeve të Këshillit. “Nuk ka pasur përshkrim të detyrave të punës dhe përgjegjësisë…”

Këshilli konfirmon se nuk kanë qenë fare i ftuar për të monitoruar konkursin. (Lexo Rekomandimet Komplet)

Në anën tjetër, Nexhmedin Shala, ndihmësdrejtor mjekësor në QKUK, thotë se zyrtarisht Këshilli nuk i është drejtuar QKUK-së me asnjë rekomandim. Shala, insiston se njerëz të caktuar të Këshillit po bëjnë ndërhyrje me qëllime të caktuara.

Sipas Shalës, drejtorët e klinikave, instituteve dhe shërbimeve të QKUK-së janë shërbyes pune, e jo shërbyes civilë. Andaj, sipas tij, nuk ka asnjë arsye që KPMKSHC-ja të përzihet në këtë konkurs.

Por, njëri nga rekomandimet e KPMSHC-së, të nënshkruar nga kryetari Mehdi Geci, thotë se në një interpretim ligjor për punëtorët shëndetësorë dhe joshëndetësor, i bërë nga Ministria e Administratës Publike, del se drejtorët e përzgjedhur me këtë konkurs, janë shërbyes civilë.

Geci i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se në rast të mosrespektimit të rekomandimeve, atëherë për mosveprim nga Këshilli do të lajmërohet kryeministri dhe Kuvendi i Kosovës, pasi një gjë e tillë parashihet me ligj.

Edhe Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) thotë se QKUK-ja obligohet të respektojë rekomandimet e këshillit të pavarur.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe ushtruesin e detyrës të sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, si dhe ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, mirëpo nuk ka mundur.

Kjo është hera e dytë që zgjidhen drejtorët e Klinikave, Instituteve dhe Shërbimeve të QKUK-së, pas një dështimi të konkursit në fillim të këtij viti.