Foto: MPJD

MPJD i jep fund rokadës me pozitën e drejtorit të përgjithshëm

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD)  i ka dhënë fundit ‘ping-pongut’ me pozitën e Drejtori të Përgjithshëm.

Albert Prenkaj, diplomat i karrierës i është kthyer karriges së tij si drejtor në këtë ministri.

Prenkaj ishte pezulluar e degraduar nga ish-ministrja Meliza Haradinaj- Stublla.

Ani pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte obliguar MPJD-në që ta kthente në punë Prenkajn.

Historiku i ‘telasheve’ Prenkaj- Haradinaj

Pak ditë pasi kishte marrë udhëheqjen e diplomacisë, ish-ministrja Meliza Haradinaj- Stublla kishte marrë vendim për pezullim me pagesë për drejtorin e përgjithshëm.

Haradinaj e kishte emëruar Visar Fetajn ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm.

Në vendimin e datës 17 qershor të vitit 2020, të siguruar nga KALLXO.com ish-kryediplomatja kishte pezulluar me pagesë prej 50 për qind të pagës drejtorin Prenkaj nën dyshimin për shkelje të rënda dhe shkelje të detyrave të punës.

Në debatin, nëse duhej të rrënohej Teatri Kombëtar në Shqipëri, ishte përfshirë edhe drejtori Albert Prenkaj.

Përmes një postimi në facebook, Prenkaj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama e ka krahasuar me Neronin (që i vuri flakën Romës), duke e quajtur “psiko politik” dhe “autokrat” Ramën.

E ky koment i Prenkajt, sipas ish-ministres Meliza Haradinaj e dëmton imazhin e Kosovës.

“Z. Prenkaj ka ndërhyrë në punët e një shteti të huaj siç është Republika e Shqipërisë, një rregull kjo rreptësishtë e ndaluar me sjelljen e një diplomati aq më shumë një pozitë drejtuese siç është Drejtori i Përgjithshëm e i MPJD-së”, kishte shkruar Haradinaj në vendimin për pezullim.

Një arsye tjetër të cilën Haradinaj e kishte përmendur në vendimin e saj ishte edhe bojkotimin që Prenkaj ia kishte bërë video konferencë të shefave të misioneve diplomatike.

Kjo video konferencë ishte mbajtur më 10 qershor dhe ishte dashur të moderohet nga vet Prenkaj.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme telefonike (3 herë) nga ana e Ministres, i njëjti nuk është përgjigjur për ta udhëhequr video-konferencën të cilën pra ishte planifikuar ta drejtonte ashtu siç ishte njoftuar në emailat paraprak”, thuhet në vendimin e datës 17 qershor.

Tutje Haradinaj- Stublla kishte thënë se drejtori Prenkaj kishte ushtruar presion psikik ndaj një personi tjetër në MPJD.

Albert Prenkaj, kishte parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ndaj vendimit të ministres Stublla-Haradinaj.

Më 8 shkurt të këtij viti, ky organ e kishte obliguar Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Shkëlzen Morina që ta kthej Prenkajn në pozitën e drejtorit.

Obligimi ishte përmbushur nga Morina, më 22 shkurt, mirëpo jo edhe nga ish-ministrja.

Një ditë më vonë, 23 shkurt, ministrja kishte marrë një vendim tjetër për drejtorin Prenkaj.

Atë e kishte transferuar përkohësisht në pozitën e Udhëheqësit të Departamentit për Çështje Rajonale.

“Me qëllim të menaxhimit të punëve, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe realizimit të detyrave në këtë Departament, e për qëllim dhe interes të institucionit në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh”, kishte shkruar ajo në vendimin e siguruar nga KALLXO.com.

Edhe ndaj këtij vendimi Prenkaj ishte drejtuar me ankesë në KPMSHCK.

Kryediplomatja e re, Donika Gërvalla më 29 mars i ishte drejtuar KPMSHCK në të cilën ka kërkuar rekomandim nëse paraqet pengesë për kthimin në pozitën e drejtorit.

Më 30 mars, vet Prenkaj kishte njoftuar KPMSHCK se është kthyer në vendin e tij të punës.

Ndërsa diplomati Visar Fetaj sipas burimeve të KALLXO.com brenda ministrisë është kthyer në departamentin që ka qenë më herët.

KALLXO.com ka kontaktuar ish-ministren Haradinaj- Stublla e cila ka thënë se këto vendime janë marrë për shkak se bashkëpunimi me drejtorin Prenkaj ka qenë i pamundur.

“Përkundër përpjekjeve, bashkëpunimi me z.Prenkaj nuk ishte i mundur. Me gjasë, z.Prenkaj ishte mësuar që të sabotojë e bojkotojë ministrat e kaluar, derisa ata t’i binden atij – por unë nuk kisha pse të toleroj një gjë të tillë sepse në MPJD tashmë shumëçka rregullohet e sanksionohet me akte ligjore e nënligjore andaj secili do të duhej të ishte në krye të detyrës”, ka thënë ajo në një përgjigje për KALLXO.com.

Në lidhje me pretendimet e ministres, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin Prenkaj dhe zyrën për media në MPJD, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.