MPB-ja i Jep Një Javë Afat Kompanisë Austriake

Përfaqësues të kompanisë austriake OEsD, kanë kërkuar, të enjten, zyrtarisht që negociatat për zgjedhjen e kontesteve të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike të shtyhen edhe për 15 ditë, meqenëse kanë nevojë të konsultohen me ekspertë të Bashkimit Evropian, ka njoftuar MPB, nëpërmes një komunikate për shtyp.

“Ndërsa komisioni përkatës i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka vendosur që këtë kërkesë ta pranojë pjesërisht, sipas nenit 16.1, të kontratës për zgjedhje miqësore të mosmarrëveshjeve dhe  që negociatat të shtyhen edhe për 7 ditë, pra deri më 23 janar të këtij viti”.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se pavarësisht rezultateve të negociatave që pritet të bëhen, procesi i prodhimit të pasaportave do të vazhdojë normalisht.

Në një takim të mbajtur të mërkurën ndërmjet zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake të angazhuar për prodhimin e pasaportave biometrikë, OeSD, është diskutuar për “paqartësitë e kontratës”, ka raportuar Gazeta Jeta në Kosovë.

Behar Haziraj, ushtrues detyre i Drejtorit për Komunikim me Media në MPB, ka thënë se “nëse s’ka marrëveshje, do të ketë tender të ri për pasaporta”.

Në takim janë diskutuar disa çështje, ndër të cilat edhe pagesa e TVSH-së për materialin (pasaportat) e sjella nga OeSD përmes doganave të vendit. “Tash problem është edhe TVSH-ja”, ka thënë Haziraj. 

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme nuk shlyen pagesat për OESD pa pasur faturat që TVSH-ja është paguar.

OeSD është shpallur fituese në muajin gusht të 2011-ës në tenderin e MPB-së për prodhimin e pasaportave biometrikë.

Zyrtarë të kompanisë austriake nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se “kompania nuk komenton procedurat ose bisedimet që janë në vazhdim”.

Skandali me pasaporta në MPB ka filluar vitin e kaluar kur kompanisë austriake nuk i shkuan në llogari 1.4 milionë euro, për të cilat një nga nënkotraktueset e OeSD-së, Natali Velija, shtetasja gjermane, u arrestua në Prishtinë.

Velija në prokurori ka deklaruar se 1.4 milionë euro është dashur t’ia japë ryshfet zyrtarëve të kësaj ministrie.