Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

MPB do të vazhdojë pas pandemisë aktivitetet me fëmijët e kthyer nga Siria e Iraku

Aktivitete të ndryshme të parapara që të mbahen për fëmijët të cilët u kthyen nga zonat e luftës si Siria e Iraku janë shtyrë për kohë të pacaktuar.

Këto aktivitete që qëllim kanë risocializimin e fëmijëve të kthyer nga luftërat e huaja sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të fillojnë pasi të krijohen kushtet pas pandemisë COVID-19.

“Këto aktivitete do vazhdojnë sapo te krijohen kushtet pas pandemisë Covid-19. Aktivitetet janë ndjekur në grupe dhe në numër të vogël të fëmijëve dhe nuk do jetë problem të vazhdohen aty ku kanë mbetur”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjithashtu. Ministria ka treguar se aktivitetet që janë anuluar përkohësisht janë ato të  OJQ-ve “Të rinjtë për të rinjtë” dhe “Programi BRICK”. Ndërsa anulimin e këtyre aktiviteteve e kanë bërë për shkak të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në fund të prillit të vitit të kaluar institucionet kosovare arritën që të rikthenin në Kosovë grupin më të madh të personave që i ishin bashkëngjitur me dashje apo jo organizatave terroriste dhe luftërave të huaja në Siri e Irak.

110 persona ishin riatdhesuar, nga ta 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë. Nëntë nga 74 fëmijët u rikthyen pa asnjërin prind ndërsa iu dorëzuan familjarëve të vajzave e djemve të vrarë në luftërat e huaja.

Për riintegrimin e këtyre fëmijëve, institucionet e Kosovës përgatitën aktivitete të cila do t’u ndihmonin fëmijëve të kuptonin një jetë tjetër, atë të cilën në Siri e Irak nuk kishin arritur ta bënin.

Sa i takon arsimimit të fëmijëve të rikthyer, nga gjithsej 74, 10 nga ta i takonin nivelit të kopshteve, pesë i takonin nivelit parashkollor, 25 nivelit fillor dhe 34 nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit.

MPBAP tregon se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët e rikthyer edhe pas anulimit të aktiviteteve për ta ndërsa janë përkujdesur që ata t’i ndjekin edhe mësimet online.

“MPBAP do i përmbahet udhëzimeve të IKSHP-së, si dhe do i realizojë proceset dhe aktivitetet në përputhje me ecurinë e virusit dhe ne kemi qenë në vazhdimësi në kontakt me fëmijët e kthyer nga Siria për të u siguruar që fëmijët janë duke ndjekur mësimet online, dhe për ketë qëllim një familje  i është siguruar një aparat TV nga një organizatë ndërkombëtare”, ka thënë MPBAP për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta JnK në disa shkrime të gjata ka sqaruar edhe se shumë gra të rikthyera nga zonat e luftës kanë pasur nevojë për arsistencë sociale për shkak të kushteve jo të mira financiare.

Në lidhje me këtë, Gazeta JnK ka kërkuar sqarime nga Ministria e Brendshme se cilat kanë qenë kërkesat e grave të rikthyera sidomos në kohën e pandemisë.

Kjo Ministri ka treguar se me ndihmë të disa OJV-ve dhe donacioneve kanë hapur një kurs të rrobaqepësisë për gratë e rikthyera, kurs ky i cili do të ri-filloj pas kthimit në normalitet pas pandemisë.

“MPBAP në vazhdimësi ka kontakt me të rikthyerit dhe nga këto familje pranojmë kërkesa te ndryshme te cilat brenda mundësive dhe ne përputhje me programet realizohen. MPBAP pas kthimit të grave nga Siria, përmes Divizionit për parandalim dhe ri integrim jemi munduar që të kthyerit e në veçanti gratë të ndjekin kurse dhe trajnime për tu bërë të pavarura ekonomikisht dhe përmes donacioneve një OJQ vendore ka organizuar një kurs të rrobaqepësisë, i cili per momentin është anuluar dhe do të rifilloj menjëherë pas kthimit në normalitet”, thuhet tutje në përgjigjen e MPBAP-së.

Gjithashtu Ministria përmes Divizionit për parandalim dhe riintegrim ka thënë se ka asistuar familje për t’i plotësuar kriteret dhe që të gjithë të kthyerit pranojnë asistencë sociale dhe gratë nuk janë të ndjekura penalisht në këtë kohë sepse kanë vendime të gjykatave.

“Edhe gjatë kësaj kohe ne kemi kontaktuar familjet për t’u siguruar që po i pranojnë ndihmat sociale dhe në disa raste është dashur të intervenohet për shkak se disa komuna janë në karantine. Gjithashtu është vazhduar me pakot e planifikuara të cilat sigurohen me buxhetin e MPB-së,  dhe këto pako janë shpërndarë gjatë muajit Mars-Prill”, thuhet në përgjigjet e MPBAP-së.

Madje, Ministria tregon se kanë marrë edhe donacione të cilat më pas i janë dhuruar një pjese të familjeve të rikthyera ndërsa një pjesë tjetër pritet të furnizohet me ndihma pas donacioneve të ardhshme që do të vijnë.

“OJQ vendore dhe ndërkombëtare, përmes donacioneve kanë ofruar ndihma për të kthyerit, ku janë shpërndarë për 15 familje pako ushqimore dhe higjienike. OJQ vendore dhe ndërkombëtare, përmes donacioneve kanë ofruar ndihma (pako ushqimore dhe higjienike) të cilat do shpërndahen tek familjet e kthyera dhe personat e radikalizuar”, thuhet në përgjigje të MPBAP-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka trajtuar në disa shkrime të ndryshme sfidat e arsimimit të fëmijëve të rikthyer nga Siria e Iraku.

Pas rikthimit të fëmijëve nga Siria e Iraku janë mbajtur aktivitete të ndryshme të cilat u mundësonin atyre që të takoheshin me realitetin dhe gjërat të cilat në luftërat e huaja nuk e dinin edhe se ekzistonin.

Lodra, vizatime, kalërime, fëmijët i provuan për herë të parë ndërsa në shtator një pjesë e madhe e tyre filluan shkollimin në nivele të ndryshme.