Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Moti ekstrem në 10 vitet e fundit në Kosovë, sfidat në menaxhmin e situatave emergjente

Një numër i katastrofave ekstreme të motit karakterizuan vitin 2021, duke përfshirë përmbytje dhe shpërthime zjarresh.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), shihet se si planeti po ndryshon që nga thellësia e oqeaneve, deri tek majat më të larta të maleve si dhe nga shkrirja e akullnajave – deri te ngjarjet e pamëshirshme ekstreme të motit. Ekosistemet dhe komunitetet, sipas këtij raporti në mbarë globin po shkatërrohen.

“Ngjarjet ekstreme të motit janë norma e re”, thotë Profesor Petteri Taalas, njëkohësisht dhe sekretar i WMO-së.

“Ka prova shkencore se ndryshimet klimatike janë të shkaktuara nga njeriu”, vazhdon ai.

Kosova gjithashtu është përballur me të ashtuquajturin “moti ekstrem” gjatë muajve që lam pas. KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për përmbytje dhe shpërthim zjarresh në disa qytete gjatë këtij viti.

Përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) për KALLXO.com ka njoftuar se përmbytjet më të mëdha në 10 vitet e fundit konsiderohen ato të periudhës 6-12 janar 2021.

“Që nga viti 1979, në Kosovë nuk kemi pasur përmbytje të përmasave të tilla si këto të janarit 2021, me rreth 200mm reshje apo litra/m2 ”, njofton IHMK-ja.

Sipas IHMK-së nga përmbytjet ndër rajonet me të prekura kanë qenë sistemet lumore të Drinit të Bardhë me degët e tij, Morava e Binçës e sidomos Kriva Reka me degët e saj dhe Sitnica.

“Sitnica, pati shkaktuar përmbytje masive në rrethinën e Lipjanit, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe sidomos në Vushtrri, duke përmbytur toka, objekte industriale, të banimit dhe toka bujqësore. Dëme nga vërshimet gjatë kësaj periudhe kishte shkaktuar edhe Lumi Drenica në zona e Drenasit, Komoranit, Llapi – Pjesa e rrjedhës së mesme, Lupçi i Poshtëm, etj.”, shpjegon IHMK .

KALLXO.com pati raportuar për vërshimet në janar të këtij viti në disa komuna të Kosovës. Komuna e Vushtrrisë ka qenë një nga komunat më të prekura nga vërshimet që ndodhën si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës.

Drejtori i Drejtorise për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enis Maxhuni për KALLXO.com ka treguar se rreth 200 shtëpi dhe prona bujqësore, 136 prej tyre ekonomi familjare dhe pjesa tjetër prona dhe prodhimtari bujqësore, janë përmbytur nga vërshimet e janarit.

“Komisioni Komunal për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore kanë shqyrtuar kërkesat e 202 qytetarëve të cilët kanë bërë kërkesë për vlerësim. Vlera e tërësishme e dëmit të shkaktuar vlerësohet të jetë 514 mijë e 133 euro. Nga vlera e tërësishme e dëmeve, komuna ka kompensuar dëmet në ekonomi familjare me 162 mijë euro apo 31.30 % të shumës së përgjithshme të dëmit”, ka thënë Maxhuni.

Zjarret dhe dëmet e shkaktuara

Zjarret që përfshinë zona të shumta në disa prej komunave të Kosovës në gusht të këtij viti, kanë lënë pas dëme të konsiderueshme si në pronat private, po ashtu edhe na ato publike.

Komuna e Suharekës është një ndër zonat e prekura nga zjarret për të cilat gjithashtu KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht.

Të dhënat e siguruara nga drejtori për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjencë, Enver Shabani në Suharekë tregon se gjatë muajit gusht kjo komunë kishte pasur rreth 79 zjarre; 28 zjarre fushore dhe malore diku rreth 30.

“Një shtëpi e djegur në fshatin Mushtisht, një shtëpi ndihmëse në fshatin Krushicë e Ulët ( shtallë) dhe një kasolle tek Rruga Sllapuzhan-Biraq, një njehsor elektrik në fshatin Gelancë, gjashtë mbeturina, dy lopë të djegura në fshatin Dragaqinë”, tregon Shabani.

Shabani në përgjigje për KALLXO.com ka shpjeguar se sa i përket ndihmës nga ana e Komunës do të ketë kompensim rreth 20% të dëmit të shkaktuar nga zjarret për arat e mbjella me grurë, gjithashtu në procedurë janë edhe për zjarret fushore.

Kërkesat e qytetarëve për kompensim, Shabani njofton se janë nga gjashtë familje.

Në disa raste, erërat e forta janë bërë shkas i përhapjes më të madhe të zjarreve. Kjo ndodhi po në gusht të këtij viti, për të cilat KALLXO.com kishte raportuar se si pasojë e erërave të forta situata me zjarrin në Shtupeq të Madh të Rugovës, ishte vështirësuar.

Në një bisedë për KALLXO.com, Shefi i Emergjencës në Komunën e Pejës, Muhamet Mahmutaj, kishte treguar se zjarri ka pas përhapje të madhe për shkak të erërave

Erërat e forta dhe dëmet e shkaktuara

IHMK-ja bën të ditur se gjatë 10 viteve të fundit erërat më të fuqishme me shpejtësi maksimale janë regjistruar në stacionet meteorologjike si në: Ferizaj, Prishtinë, Pejë dhe rajonin e Istogut.

KALLXO.com kishte raportuar se në shkurt të vitit 2020, komuna e Pejës ishte përballur më erëra të forta të cilat shkaktuan dëme materiale.

Në komunën e Pejës, erërat kishin shkaktuar dëme në objekte të banimit, objekte lëvizëse, objekte të bizneseve si dhe në objektet dhe kulturat bujqësore.

“Në objekte dëmi zakonisht ka qenë kryesisht në çati të objekteve, në tjegulla dhe llamarinë, po ashtu kemi raste ku çatia e objekteve është dëmtuar tërësisht”, thuhet në raportin e siguruar nga KALLXO.com.

Tutje në raport bëhet e ditur se vlera e dëmeve të shkaktuara arrin vlerën prej 1 milion e 166 mijë e 321 euro.

Fshatrat e dëmtuara nga erërat e forta dhe vlera e dëmeve në komunë e Pejës janë si në tabelën më poshtë:

Reshjet e borës dhe dëmet e shkaktuara

Sa i përket reshjeve më të mëdha të borës në 10 vitet e fundit, Instituti Meteorologjik i Kosovës për KALLXO.com njofton se viti 2012 karakterizohet si viti me më së shumti reshje të borës.

“Numri i ditëve me reshje të borës dhe shtresë të borës gjatë atij viti, ishte konkretisht gjatë muaji shkurt. Në Ferizaj gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 84 ditë me mbulueshmëri të borës me trashësi maksimale prej 72 cm, pastaj Prishtina kishte 52 ditë me mbulesë të borës me trashësi maksimale prej 55 cm”, tregon IHMK-ja.

Shtresa më e lartë e borës sipas IHMK-së ishte krijuar po në vitin 2012 gjatë periudhës 13-14 janar.

Në shkurt të po atij viti, një ortek bore kishte ndodhur në fshatin Restelicë të Dragashit si pasojë e të cilit mbetën të vdekur dhjetë anëtarë të familjes Reka.

Nga kjo fatkeqësi natyrore vetëm vajza e vogël Amsera, atëherë 7 vjeçe, ishte nxjerrë e gjallë nga gërmadhat e shtëpisë.

Më 26 janar 2019 si pasojë e një orteku tjetër të borës në Brezovicë ka mbetur i vdekur, Arian Daci, 37 vjeçar, zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëkohësisht djali i kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci.

Mjetet financiare të ndara nga Qeveria për dëmet nga fatkeqësitë natyrore (1 janar- 16 nëntor 2021)

Më 24 nëntor të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, të periudhës 1 janar 2021- 16 nëntor 2021 në vlerë prej 1.7 milion euro.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci kishte thënë se evidentimi i dëmeve është bërë nga komunat përmes komisioneve komunale, ku në rastet e caktuara ka pasur edhe komisione të përbashkëta me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.

“Nga 30 drejtoritë përkatëse komunale janë raportuar dëme të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në vlerë prej 5.3 milionë euro për 2 mijë e 540 fermerë. Ndërsa pas shqyrtimit të raportit janë kualifikuar 29 komuna me gjithsej 2 mijë e 460 fermerë me shumë totale prej 4.6 milionë euro. Sipas kualifikimeve si dhe duke u bazuar në buxhetin dhe mundësitë e parapara prej  1.7 milion eurove do t’u kompensohet dëmet në vlerë prej 36% të vlerës së dëmit për dallim prej viteve paraprake kur kjo vlerë ka qenë në 25%”, kishte njoftuar Peci.

Tutje, ministri pati shtuar se dëmet që po kompensohen kryesisht janë në sektorin e hortikulturës, në fushë të hapur dhe në serra ku janë të përfshira 29 komuna; Hanit i Elezit, Kaçaniku, Klina, Juniku, Prishtina, Leposaviqi, Zveqani, Ranillugës, Vitisë, Shtimes, Kllokotit, Prizrenit, Ferizajt, Rahovecit, Obiliqit, Vushtrrisë, Suharekës, Mamushës, Gjilanit, Podujevës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Kamenicës, Gjakovës, Skenderajt, Drenasit, Graqanicës dhe Zubin Potokut.

Kosova nuk ka njësi civile të kërkim-shpëtimit, të gjitha shpresat te FSK-ja

Një hulumtim i KALLXO.com në vitin 2020, kishte treguar se Kosova nuk ka njësi civile të kërkim-shpëtimit, përveç regjimentit ushtarak të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Kërkimi dhe shpëtimi është një operacion i ngritur nga shërbimet e urgjencës, shpesh vullnetarë të trajnuar mirë, për të gjetur dikë që besohet se është në ankth, i humbur, i sëmurë ose i plagosur qoftë në një zonë të largët ose të vështirë për t’u arritur, si male, pyje, ose në det.

Përderisa në ushtrinë e Kosovës, ushtarët janë të përgatitur dhe kanë pajisjet e mjaftueshme për reagim emergjent, njësitet e zjarrfikësve nuk janë të gatshëm të reagojnë në këto lloje krizash.

Hajriz Sejdiu nga Departamenti i Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës kishte thënë për KALLXO.com se janë mbi 800 zjarrfikës, ndërsa vetëm rreth 30 pjesëtarë të kësaj njësie janë të trajnuar nga FSK-ja për reagim në situata emergjente në kërkim-shpëtim.

“Vendimmarrja politike nuk e ka pasur prioritet menaxhim e fatkeqësive. Si Agjenci e Reagimit Emergjent është viti i katërt që dërgojmë një specifikacion për ta ngritur një brigadë të mbrojtjes civile, e cila e ka brenda edhe njësinë e kërkim shpëtimit urban. Njësitet e zjarrfikësve nuk janë të certifikuara dhe nuk kanë pajisje të kërkim-shpëtimit si njësi civile”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu shtoi se tashmë kanë një marrëveshje me FSK ku i dërgojnë grupet e zjarrfikësve për t’u trajnuar në kërkim-shpëtim urban, ujor e malor, por sipas tij problematikë mbetet mungesa e zjarrfikësve.

Ejup Maqedonci nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se ky institucion ka përgatitjen dhe pajisjet e nevojshme për reagim në tri situata emergjente të mundshme.

“Brenda disa njësive në FSK gjendet edhe regjimenti në të cilin ndodhet kompania e kërkim-shpëtimit. Më pas ndahet në tri fusha kryesore: kërkim-shpëtimi në male, në ujëra dhe kërkim-shpëtimi urban. Në kërkim-shpëtimin urban janë toga prej 30 personave të specializuar për reagim në tërmete. I kemi të gjitha mjetet. Në Regjion jemi të vetmit që jemi të certifikuar individualisht, por edhe si ekip për kërkim-shpëtim urban sipas standardeve të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Maqedonci.

Maqedonci ka shtuar se në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të FSK është Qendra Ndërkombëtare e kërkim-shpëtimit që trajnon grupe të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës në tërmetin e para dy viteve që goditi Shqipërinë ku mbetën të vdekur mbi 50 persona kishte dërguar mbi 50 ushtarë, oficerë e nënoficerë në Task-Forcën e kërkim-shpëtimit.

FSK-ja është e pajisur me pajisje specialistike duke e përfshirë edhe njësinë e K9-shit- qentë e përgatitur dhe trajnuar për kërkim-shpëtim urban duke i përfshirë edhe pajisjet e tjera me kamera e sonda, të cilat i përdorë ushtria e Kosovës në rast të kërkim- shpëtimit urban.