Silhouettes of soldiers on lookout in a sunset landscape

Moska zyrtare e paralajmëron Moldavinë lidhur me rajonin e Transnistrisë

Sot është dita e 191 e invazionit ushtarak rus mbi Ukrainë, lufta më e madhe tokësore në dekada. 

Sulmi ushtarak rus mbi Ukrainë ka nisur në mëngjesin e 24 shkurtit mes deklarimeve nga presidenti rus Putin se sulmi ka si qëllim “çrrënjosjen e terrorizmit dhe dhe denacifikimit” të Ukrainës. 

Ukraina zyrtare i është përgjigjur sulmeve ushtarake ruse dhe po reziston me trupa ushtarake dhe artileri të madhe ndonëse shumë qytete të rendësishme ukrainase kanë rënë nën kontrollin e rusëve. 

Bota në përgjithësi, SHBA dhe shtetet përendimore e kanë dënuar invazionin ushtarak rus në Ukrainë dhe kanë reaguar duke i dalë në ndihmë Ukrainës duke vendosur sanksione të shumta politike dhe ekonomike kundër Rusisë si dhe duke e ndihmuar financiarisht dhe me mjete të shumta ushtarake Ukrainën. 

Ndërkohë, teksa kësaj lufte ende nuk po i shihet fundi, zhvillimet e fundit nga dhe në Ukrainë janë si në vijim:

Një ekip ekspertësh nga agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara planifikon të qëndrojë në uzinën bërthamore të Zaporizhzhia, të mbajtur nga Rusia, pasi fitoi qasjen e shumëpritur në Ukrainë të enjten. “Ne nuk po shkojmë askund. IAEA tani është atje, është në termocentral dhe nuk po lëviz – do të qëndrojë atje”, u tha gazetarëve kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, pasi u kthye në territorin e kontrolluar nga Ukraina. Ai tha se një grup ekspertësh të IAEA-s kishin qëndruar prapa në uzinën në Ukrainën juglindore dhe do të ofronin një vlerësim të paanshëm, neutral dhe teknikisht të shëndoshë të situatës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë e paralajmëroi Moldavinë se çdo veprim që shihet si rrezik për sigurinë e trupave ruse në rajonin separatist të Transnistrisë do të konsiderohet si një sulm ndaj Rusisë. Sergei Lavrov tutje ka shtuar se “të gjithë duhet të kuptojnë se çdo veprim që do të kërcënonte sigurinë e trupave tona [në Transnistria] do të konsiderohej sipas ligjit ndërkombëtar si një sulm ndaj Rusisë”.

Rusia dhe Kina nisën stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë ku përfshijnë disa vende aleate të enjten, në një shfaqje të bashkëpunimit në rritje të mbrojtjes midis Moskës dhe Pekinit dhe një demonstrim të fuqisë ushtarake të Moskës. Ministria ruse e mbrojtjes tha se stërvitja Vostok 2022 (Lindje 2022) do të mbahet deri të mërkurën në lindjen e largët të Rusisë dhe Detin e Japonisë dhe do të përfshijë më shumë se 50,000 trupa dhe 5,000 njësi armësh, duke përfshirë 140 avionë dhe 60 anije luftarake.

Agjentët federalë të Shteteve të Bashkuara kontrolluan pronat e lidhura me një oligark miliarder rus në Manhattan, Hamptons dhe një ishull ekskluziv të Majamit. Agjentët e FBI-së dhe personeli i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare i kontrolluan pronat, të lidhura me Viktor Vekselberg, i cili është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe jahti i të cilit në vlerë prej 120 milionë dollarësh u sekuestrua në prill, raportoi NBC Neës.

Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane po i heton pretendimet se dy nëpunës të lartë civilë mund të kishin spiunuar për Rusinë, sipas një raporti të medias lokale. Die Zeit, i cili zbuloi fillimisht rastin, tha se zyrtarët që po hetoheshin kishin pasur përfshirje të ngushtë me çështjet e furnizimit me energji dhe mbanin poste kyçe.

Një udhëheqës i lartë rus i naftës ka vdekur pasi ra nga dritarja e një spitali në Moskë, disa muaj pasi kompania e tij kritikoi pushtimin rus të Ukrainës. Ravil Maganov, kryetari i Lukoil, kompania më e madhe private e naftës në Rusi, “ra nga dritarja në spitalin qendror klinik”, njoftoi të enjten agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar një burim. “Ai vdiq nga plagët e marra.” Maganov është ekzekutivi i dytë më i lartë i Lukoil që ka vdekur në rrethana misterioze muajt e fundit.

Fëmijët u kthyen në shkollat ​​ukrainase të rrënuara nga forcat pushtuese ruse të enjten. Vetëm shkollat ​​që janë të përshtatshme për t’u përdorur, janë në zona që nuk përballen me një kërcënim të rregullt të granatimeve dhe që kanë mjaft nxënës që zgjedhin mësimin personal do të rihapen. Administratat e shkollave janë përgatitur për vitin e ri akademik duke i pajisur bodrumet si strehimore dhe duke i trajnuar mësuesit se çfarë të bëjnë në rast sulmi. Të gjithë fëmijëve që marrin pjesë u thuhet të mbajnë një çantë urgjence me ndërrimin e rrobave, çdo ilaç që mund t’u nevojitet, një shënim nga prindërit e tyre dhe, për fëmijët më të vegjël, një lodër të preferuar.

Forcat ruse kanë transferuar me forcë civilët ukrainas në Rusi ose në zonat e Ukrainës nën kontrollin e tyre, sipas Human Rights ëatch. Transferimet e detyruara ishin “një shkelje serioze e ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe krime të mundshme kundër njerëzimit”, tha ai./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala