(Mos)integrimi i serbëve, pikëpyetja e radhës pas heqjes së vizave për bartësit e "pasaportave ilegale"
Edhe pse jetojnë në Kosovë, me vendimin e fundit të Këshillit të Bashkimit Europian, serbët lokalë do të mund të udhëtojnë në zonën Schengen me pasaporta të lëshuara nga Zyra Koordinuese në Serbi, e të cilat nga autoritetet në Kosovë, cilësohen si ilegale.
Ky vendim i Këshillit të BE-së, nuk u prit fare mirë nga zyrtarët e lartë shtetëror në Kosovë. Ata, dhe jo vetëm, besojnë se ky vendim do të vështirësojë integrimin e serbëve në shoqërinë dhe institucionet kosovare, për çka Kosova shpesh kritikohet nga faktori ndërkombëtar. Nga këndi tjetër, shoqëria civile serbe në Kosovë, nuk e sheh këtë vendim si pengesë për integrim.
Se heqja e vizave për poseduesit e pasaportave të tilla nuk është pritur aspak mirë nga Qeveria e Kosovës, është bërë e dukshme nga Donika Gërvalla- Schwarz, zëvendëskryeministre e parë dhe ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Ajo tha se disa akterë në BE-së po punojnë për ndarjen e pakicës serbe në Kosovë.
“BE ka marrë një vendim, që jo vetëm sipas mendimit tonë çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh se disa akterë në BE nuk janë të interesuar për integrimin e pakicës serbe në Kosovë, por punojnë për ndarjen e tyre”- tha Gërvalla në një konferencë për media, më 24.07.2024.
Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë dhe të dëmshëm”. Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit për t’i hequr këto viza, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën” dhe atakon edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
Edhe Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tha për KALLXO.com, se ky vendim dёmton përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentat e Republikës sonë”- u shpreh Kadiu.
Se ky vendim i BE-së do të ndikojë negativisht në integrimin e serbëve, vlerëson edhe profesori Seb Bytyçi, analist politik, njëherësh dekan i asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Winchesterit në Angli.
“Ai (vendimi) gjithashtu është në kundërshtim me përpjekjet e përbashkëta për ta ndërtuar një shoqëri multietnike në Kosovë”- tha Bytyçi për KALLXO.com.
Përveç kësaj, ai thotë se kjo përbën edhe legjitimim të pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
Por, deklaratat e tilla po kundërshtohen nga dy pjestarë të shoqërisë civile.
Ian Bancroft, koordinator i projektit Kosovë- Serbi në Nismën e Ndryshimit Paqësor me bazë në Londër, e që më parë ka punuar kordinator i EULEX-it në veri të Kosovës, thotë se vendimi i BE-së është i duhur sepse ishte BE-ja që mandatoj krijimin e një procedure të tillë si pjesë e paketës së reformës së liberalizimit të vizave të Serbisë.
“Serbët e Kosovës kanë të drejtë për shtetësi të dyfishtë përmes Planit të Ahtisaarit, prandaj nuk ka asnjë arsyetim se pse ata nuk duhet të gëzojnë gjithashtu udhëtimin pa viza”- tha ai për KALLXO.com.
Bancroft, thotë se nuk është e vërtetë që ky vendim ngadalëson ose pengon integrimin e serbëve në Kosovë.
“Serbët e Kosovës po marrin letërnjoftimet dhe patentë shoferët, dokumentacionin që u nevojitet më së shumti për jetën e përditshme. Ndërsa ata preferojnë të mos flasin hapur për këtë dinamikë, ajo po ndodh”- tha ai.
Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e organizatës joqeveritare serbe në Kosovë, “Nisma e Re Sociale”, thotë që vendimi i BE-së, është shumë i vonuar, megjithatë është hap i domosdoshëm dhe logjik, që nuk prek sovranitetin e Kosovës dhe nuk pengon integrimin e serbëve.
Duke tërhequr diagonale krahasuese, Radosavljeviq, thotë se përderisa ligji i Kosovës për shtetësinë lejon shtetësinë e shumëfishtë – një e drejtë e ushtruar nga mijëra shqiptarë në diasporë – kjo e drejtë nuk duhet të vihet në dyshim për serbët e Kosovës apo qytetarët e tjerë të Serbisë që janë shtetas të Kosovës.
“Kjo çështje shtrihet përtej shtetësisë së Kosovës, pasi jo të gjithë mbajtësit e këtyre pasaportave janë gjithashtu shtetas të Kosovës, qoftë me zgjedhje apo për shkak të pengesave reale për integrim që i pengojnë ata të regjistrohen në gjendjen civile të Kosovës”- thotë ajo.
Radosavljeviq kritikon Qeverinë e Kosovës, pasiqë sipas saj, “qasja e qeverisë aktuale”, e jo “mundësia e udhëtimit pa viza”, ka penguar integrimin e komunitetit serb të Kosovës.
“Në vend që të shpenzojë energji duke kritikuar BE-në se gjoja po punon për të përçarë serbët në Kosovë, qeveria duhet të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve për ata që nuk janë në gjendje të marrin dokumente apo shtetësi të Kosovës. Kjo do të demonstronte një përkushtim për integrimin e të gjithë qytetarëve, në vend që të fokusohej vetëm në shqetësimet territoriale”- shtoi ajo.
KALLXO.com ka kërkuar një koment nga Këshilli i Europës me seli në Strasburg të Francës, por të njëjtit janë përgjigjur se nuk mund të japin komente në lidhje me këtë çështje.
Përveç integrimit, një çështje tjetër që u ngrit është konsultimi me Qeverinë e Kosovës.
Këshilltari Kadiu thotë se është e pashpjegueshme ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e Kosovës .
Por, Bancroft e ka të vështirë të besoj që qeveria e Kosovës nuk ka qenë në dijeni të këtij procesi, duke pasur parasysh praninë e konsiderueshme të BE-së në Kosovë dhe diplomacinë e vetë Kosovës në Bruksel.
Ditën kur u mor vendimi, më 22.07.2024, Këshilli Europian e arysetoi duke thënë se një rregullore e tillë siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash.
Më 21.11.2023, një grup prej rreth 20 organizatash joqeveritare nga komuniteti shqiptar, vlerësoi se heqja e vizave për pasaportat e Administratës Koordinuese do ta dëmtonte procesin e integrimit të serbëve, veçanërisht atyre që jetojnë në veri të Kosovës.
Nën ombrellën e Grupit për Studime Juridike, ishte thënë se nëse propozimi miratohet, ai do ta dëmtojë rëndë qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy vendet kanë rënë dakord në fund të shkurtit të këtij viti.
Me këtë rast u vu theksi te pika e Marrëveshjes lidhur me respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të të dyja palëve.
Reagimit të shoqërisë civile në Kosovë i kishte kundëreaguar shoqëria civile serbe në Kosovë.
“Asnjë serb i Kosovës më shumë nuk do të integrohet nëse i jepet pasaporta e Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe dëshmi të shtetësisë”- shkruante në reagimin e nënshkruar nga rreth 15 organizata, mes tyre edhe “Nisma e Re Sociale”.
Në vitin 2009, Serbia kishte formuar Administratën Koordinuese si organ të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme për lëshimin e pasaportave për qytetarët me vendbanim në Kosovë. Ky ka qenë kusht i BE-së që Serbia ta merrte liberalizimin e vizave, në të kundërtën, ka rreziqe sigurie që kanë të bëjnë me migracionin ilegal.
Bartësit e pasaportave nga Drejtoria Koordinuese Serbe, nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Europian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë. Ndërkohë që më 19.04.2024, Kosova kishte marr dritën e gjelbër nga të gjitha instancat e Bashkimit Europian.
Vendimi për Kosovën shënoi hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Pas më shumë se gjashtë muaj pas vendimit për bartësit e pasaportave të Kosovës, më 16.11.2023, Komisioni Europian kishte publikuar një propozim për heqjen e këtij përjashtimi të mbajtësve të pasaportave serbe, duke amandamentuar Rregulloren (BE) 2018/1806, duke u mundësuar kështu të gjithë qytetarëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në zonën Schengen.
Aty ishte theksuar që përfshirja e mbajtësve të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe është konsistente me përpjekjet e BE-së për të përshpejtuar integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Që nga fillimi, Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.