Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Foto: KALLXO.com

Mosfunksionalizimi i ujësjellësit problem edhe në mandatin e tretë të Sokol Halitit në Viti

Ndonëse janë bërë 13 vjet që kur është thënë se rrjeti i ujësjellësit është shtrirë në këtë komunë, Vitia ende po vazhdon të përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Sokol Haliti nga radhët e LDK-së po përfundon mandatin e tretë në Viti, e mungesa e ujit të pijes vazhdon të jetë ende problematikë që po i sfidon qytetarët e kësaj komune. 

“Remniku sigurisht do të zgjidhet, pjesën e parë të vitit të ardhshëm”. Kështu pati premtuar Haliti në vitin 2021 kur po garonte për të fituar betejën për të parin e Vitisë edhe për mandatin e tretë me radhë. Në terren ekipi i “Jeta në Komunë” verifikoi se banorët e fshatit Remnik ende nuk kanë ujë të pijes. 

“Ujë të pijes nuk kemi, ujë të pijes kemi veç prej pusetave”- ka treguar banori i fshatit Remnik, Asllan Hajdari. 

Në përgjigjen e Komunës së Vitisë thuhet se rrjeti i ujësjellësit do të funksionalizohet në vitin 2025, ndonëse thonë se rrjeti i ujësjellësit në këtë komunë është shtrirë. 

“Rrjeti është shtrirë që nga vitit 2011 nga ish-qeveria e kaluar, kurse vitin e ardhshëm do të funksionalizohet dhe është paraparë në buxhet të vitit 2025”- thuhet në këtë përgjigje. 

Ndërsa kryetari i Vitisë, Sokol Haliti deklaroi se për këtë çështje i ka kryer obligimet që atij i takojnë.

“Ka qenë një memorandum mes Qeverisë së Kosovës dhe agjencisë zvicerane, implementues CDI-ja me Hidromoravën, ku është involvu edhe komuna dhe obligimet më kanë mbetë mua nga qeveria e kalume dhe unë natyrisht i kam adresu në kuvend dhe me vendim të kuvendit e kemi bo pagesën sa i përket obligimeve komunale”- tha Haliti në “Jeta në Komunë”. 

Për mungesë të ujit të pijshëm janë ankuar edhe nga fshati Skifteraj i Komunës së Vitisë. 

“Ujësjellës ka, ama rrjet të ujit nuk ka… jo, jo, për larje kemi, e uji i shkollës nuk pihet, nxënësat e bartin me shishe prej shpisë”-  theksoi Sinan Ademi, banor i këtij fshati.

Problematika e mungesës së ujit përplasi asmblistët opozitarë me kryetarin në sallën e Kuvendin Komual të Vitisë. 

“Prej vitit 2021 ku për investim për ngritjen kapaciteteve  për  ujin të pijshëm janë parapa 150 mijë deri në 200 mijë euro investime, kryetari për çdo vit ka shku duke i zvogëlu këto mjete, madje në buxhetin e miratuar në vitin 2023 ku ishin paraparë 10 mijë euro për ngritjen e kapacitetit të ujit të pisjhëm këto mjete ishin destinuar dhe ishin bartur nga kryetari për ndërtimin e sallave sportive”- tha asamblistja nga Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Shabani. 

Ndërkaq, bashkëpartiakja e saj Liridona Bislimi ngriti problematikën e bartjes së ujit nga lokalitetet e ndryshme të Vitisë. 

“Çdo herë në fshatin Lubishtë edhe në Kabash aty ku janë dy rrjedha të ujësjellësve të vendeve të lokaliteteve, qytetarët e Vitisë çdo herë janë të obliguar me shku me mbushë ujë të pijshëm me bidonë (shishe)”- tha Bislimi.

Përveç mungesës së ujit të pijes, i pari i Komunës së Vitisë u kritikua edhe për mostrajtimin e duhur të ujërave të zeza.

“Komuna  e Vitisë nuk ka asnjë impiant që i trajton ujërat e zeza dhe të gjitha kanalizimet derdhen në fusha të hapura apo përrocka dhe lumenj”- deklaroi asamblisti Musli Neziri nga PDK. 

Për këtë, kryetari i Vitisë përgjegjësinë ia hodhi nivelit qëndror. 

“Planifikimi i buxhetit i cili është miratuar në Kuvendin e komunës tek ujësjellësi parasheh edhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza. Ka qenë një projekt 13-milionësh që Kuvendi e ka miratu me plan rregullativ, me projekt detal që e kanë financu austriakët që ish-kryeministrat dhe ministrat e financave e kanë nënshkru që Parlamenti i Kosovës e ka ndalë me këtë qeverisje. Ai projekt ka paraparë fabrikën 100 litra në sekond për ujë të pijes, trajtimin e ujërave të zeza, kolektorët e përpunimit të ujërave të zeza në fund të Budrikës”- u shpreh Haliti.

“Vula e Krypometrit” – Sa premtime u mbajtën nga kryetari Haliti? 

Përveç premtimit të parealizar për ujin e pijshëm, Krypometri gjeti edhe zotime të tjera të papërmbushura të  kryetarit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Haliti ishte ndër kryetarët e paktë që pati premtuar ndarje të barabartë të drejtorive komunale të udhëhequra nga burrat dhe gratë në kabinetin e tij. 

“Sigurisht 50/50 do të jem”- kishte thënë Sokol Halili.

Mirëpo, tre vjet nga marrja e mandatit në Viti katër drejtori nga 10 sa janë gjithsej, udhëhiqen nga gratë. 

I pari i Vitisë nuk ishte kursyer as për premtimet për parqe. Por pas tre vitesh, Krypometri gjeti se as gjysma nuk janë përmbushur. 

“Çdo fshat do të ketë parqe, por jo vetëm fshati do të kenë shkollat, ambulantat do të kenë, QKMF-ja do të ketë parkun më të mirë. Dhe në qytete do të jenë pesë miniparqe”- kishte premtuar Haliti në vitin 2021. 

Krypometri konstatoi se Komuna e Vitisë për tri vite mandat ka ndërtuar vetëm pesë parqe.

“Është ndërtuar parku te xhamia e qytetit, te sheshi “Calmi Rey” është rivitalizuar edhe hapësira gjelbëruese para Shtëpisë së Kulturës”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Vitisë. 

Në vitin 2021 deklaroi se parashohin të ndërtojnë 570 parkingje të reja, mirëpo rreth tri vjet nga ky premtim Komuna e Vitisë ka 55 parkingje të reja. 

Premtimi i radhës i Sokol Halitit ka qenë edhe ndërtimi i shtegut të biçikletave në rrugën që lidhë fshatin Pozhoran me qytetin e Vitisë. Mirëpo në këtë rrugë ka vetëm një trotuar në vetëm njërën anë të rrugës, mirëpo shteg të biçikletave nuk ka. 

“Shtigjet e biçikletave, ne faktikisht prej Vitisë deri në Ramnishtë tek rruga e Lubishtës ne i kemi ndërtu, tash vetëm sinjalistika edhe ngjyrosja do të bëhet” – u arsyetua Haliti në debatin “Jeta në Komunë”. 

Në vitin 2021 ishte premtuar edhe ndërtimi i një palestre sportive në Drobesh. 

“Palestra Sportive do të jetë në Drobesh por do të jetë me fushat sportive, fushat të tenisit, fusha të futbollit të vogël, fusha të basketit, volejbollit e të tjera”- kishte thënë Haliti në debatin e vitit 2021. 

Kjo palestër ka filluar të ndërtohet por ende nuk ka përfunduar. Nga Komuna e Vitisë kanë thënë se 60% e punimeve të kësaj palestre kanë përfunduar. E kryetari Haliti premtoi se deri në fund të mandatit të tij, palestra në Dobresh do të përfundojë. 

“Palestra vitin e ardhshëm, brenda madatit po besoj është e gatshme”- përfundoi Haliti. 

Ndërsa në  zonën  ekonomike që ishte premtuar se do të mbushej me biznese dhe do të përfundonte shumë shpejt,  kishte përfunduar vetëm infrastruktura. 

“Parku industrial te zona ekonomike është përuruar, është kryer faza e aplikimit nga ana e bizneseve që është një interesim shumë i madh dhe së shpejti, komisioni do ta kryejë detyrën e vet”- thuhet në përgjigjen e kësaj komune. 

Ndërkaq për kryetarin “esenciale është që ka shumë interesim” të bizneseve për t’u vendosur në këtë pjesë.

Pamje të mjerueshme nga stadiumi i Vitisë

Gjendje e mirë nuk u pa as në stadiumin e qytetit të Vitisë. Atje  ekipi i KALLXO.com gjeti se fusha e lojës së futbollit nuk i plotëson standardet minimale ngase bari ishte i pakositur. Përpos kësaj, karriget e stadiumit kanë filluar të dëmtohen, njëjtë edhe rrjetat e portave. 

“Zhveshtoret që i ka ndërtu komuna janë më të mirat pas stadiumit të Prishtinës, në Kosovë, janë ndërtu me buxhet të komunës”- u shpreh kryetari Haliti.

Zhveshtorja në stadiumin e Vitisë, Foto: KALLXO.com

Mirëpo, një gjendje krejt ndryshe u pa brenda zhveshtoreve. Muret e zhveshtoreve ishin të mykura e në tavanin e objektit pikonte ujë. 

Ndërkaq në katin e dytë të objektit, dera ishte krejtësisht e prishur, një pjesë e tavanit kishte rënë, dhe po ashtu edhe në këtë vend pikonte uji. Ndërsa dyert e banjove janë djegur të gjitha.  

“Këtë fushë e kemi përuruar, por është shuar ekipi në tërësi “Vitia” e tash ka vandalizëm aty. Përndryshe ky stadium ka qenë në gjendje të rregullt kur është dorëzuar”- u arsyestua Basri Sylejmani, asamblist i LDK-së.

Tetë vjet nga fillimi i ndërtimi – Shkolla në Pozheran ende nuk është gati         

Asamblistja nga PDK në Viti, Zyrafete Rama, kritikoi kryetarin për mospërfundimin e objektit të kësaj shkolle duke bërë që siç thotë ajo, mësimi të mbahet me pesë ndërrime.

“Tash u bënë tetë vite dhe ende nxënësit e shkollës së Pozheranit mësojnë me pesë ndërrime, kush do të jap llogari për këta nxënës që ende mësojnë me pesë ndërrime, me 25 minuta orën”- iu drejtua asamblistja Rama kryetarit Haliti. 

Haliti tha se punimet të cilat ishin ndalur në këtë shkollë kanë filluar përsëri dhe se ndërtimi i plotë i shkollës do të përfundojë. 

“Qe tri vite është ndalë, tash ka fillu para dy jave, në kohë të fushatës, me rëndësi është me përfundu”- iu përgjigj kryetari. 

Ndërsa sa i përket çerdhes në Viti, kryetari Haliti tha se mjetet financiare të cilat ishin ndarë nga Ministria e Arsimit janë bartur për të ndërtuar një çerdhe në Kamenicë. 

“Dy çerdhe i kemi ndreqë, qeveria kurrë s’ka ndreqë kurgjo në këtë Kosovë. Ka qenë një tender i hapur për Viti, i cili është anulu nga Ministria e tanishme, ka shku në Kamenicë, vitin e kaluar, për shkaqe politike sigurisht”- u shpreh Haliti.  

Këtë e kundërshtoi asamblistja e LVV-së, Majlinda Shabani.

“Brenda vitit kur janë nda mjetet për ndërtimin e çerdhes në Kamenicë, përbrenda vitit kanë qenë edhe mjetet financiare për ndërtimin e çerdhes në Viti, lënda është në OSHP”-  u shpreh Shabani.

Edhe nënkryetari i Vitisë, Hasan Aliu, tha se ishte Kuvendi Komunal i Vitisë kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e çerdhes në Viti, por buxheti që ishte planifikuar për të ka shkuar në Kamenicë. 

“Në vitin 2022, po ky Kuvend dhe këta asamblista e kanë nda lokacionin për çerdhe  me unanimitet të plotë dhe çerdhja ka qenë e ndarë për Vitinë dhe buxheti ka qenë i ndarë, ai buxhet ka shku në Kamenicë, edhe sot e asaj dite lokacioni është aty, por çerdhja nuk është e ndërtume”- u sqarua Aliu.

“Shiriti” sfidon Halitin me projektet që i promovoi 

11 mijë njerëz e ndjekun në rrjetin social Facebook kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, ku ai  gjatë qeverisjes së tij në Viti promovoi projekte që i realizoi në këtë komunë. Ngjashëm si kryetarët e tjerë edhe Haliti u përball me gjendjen në trren të projekteve që i ka promovuar në rrjete sociale.

Në maj të vitit 2024, Haliti publikoi fotografi në të cilat promovohej puna në rrugën “Rrustë Sadiku” në fshatin Skifteraj. Mirëpo pa u mbushur ende 5 muaj, gjendja në terren kishte ndryshuar, pasi asfalti i shtruar në këtë rrugë ishte plasaritur. 

Në qershorin e vitit 2023, Haliti kishte publikuar fotografi duke inspektuar punimet edhe në rrugën e cila lidhë Sllatinën e Epërme dhe Sllatinën e Poshtme me Vitinë.  Gjendja e kësaj rruge në terren nuk ishte e mirë, pasi vetëm pas pak më shumë se një viti asfalti kishte filluar të dëmtohej. 

Haliti promovoi edhe punimet që po kryheshin në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, ku krahas investimeve në objektin e shkollës, kryetari tregoi se aty po ndërtoheshin edhe dy fusha të gomës. Mirëpo fushat e promovuara kanë probleme me cilësinë e punimeve.

Ekipi i KALLXO.com kontrolloi edhe një fushë tjetër në afërsi të shkollave të mesme në Viti, ku gjeti parregullsi e cilësi jo të mirë të punimeve. Rrjeta dhe koshat ishin të shtrirë në tokë dhe të dëmtuar, ndërkaq mbeturinat ishin të pranishme gjithandej fushës. 

“Vërejtjet janë me vend, por po e shihni që është një vendpunishte aty, 11 projektet janë duke u realizu. Janë 90% të fushave në mënyrë ekselente të shtruara, i kemi disa dobësi, por këto dobësi s’po du me ua atribu njerëzve që e shfrytëzojnë, por komunës  dhe vetes, për mirëmbajtje ne duhet të angazhohemi që ta mirëmbajmë”- tha Haliti. 

Ndërkaq për prishjet në rrugët e saposhtruara me asfalt, kryetari tha se u ka shqiptuar gjoba kompanive përkatëse që i kanë kryer punimet aty. 

Mungesa e mjekut në QMF-në e Sllatinës së Epërme

Në vitin 2021, Sokol Haliti kishte premtuar edhe ndërtim të ambulantave. Ekipi i “Jeta në Kosovë” ka gjetur se Haliti e ka mbajtur këtë premtim. Deri më tani janë funksionalizuar katër ambulanta, dy prej të cilave janë adaptuar nga objektet e tjera përcjellëse.

Por në Viti është evidentuar një problematikë tjetër. Në QMF-në në fshatin Sllatinë e Epërme, mjeku, në vend se të shkojë dy herë në javë, sipas raportimeve dhe stafit të QMF-së, përafërsisht shkon dy-tri herë në muaj. Kjo për shkak se komuna është duke e angazhuar në QMF të tjera.

“Nuk ka përkujdesje shëndetësore më të mirë në teren sesa që e bën Vitia dhe QKMF-ja e Vitisë”. Kështu u shpreh Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, pasi u përball me këtë raportim nga Sllatina e Epërme. 

“Për këta duhet me iu referu mjekut dhe eprorëve dhe udhëheqësve të QMF”- tha kryetari. 

Ndërsa një arsyetim tjetër për këtë dha drejtoresha e QKMF-së në Viti. 

“Fakti që ka numër jashtëzakonisht të vogël të qytetarëve që kërkojnë shërbime në QMF dhe AMF atëherë e kemi vlerësu se ku duhet të jetë mjeku saktësisht”- tha Vjollca Kadolli Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti.

Vlerësimi i performancës për Komunën e Vitisë 

Vitia sipas të dhënave të Raportit të Performancës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal del të jetë në vendin e 14-të  në fushën e  barazisë, në mesin e të gjitha komunave të Kosovës. Po ashtu vendin e 14-të e zë edhe për punësim dhe shërbime sociale. Ndërsa më keq qëndron në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike për të cilën kjo komunë është renditur në vendin e 23-të.

Në kujdesin e shëndetit primar del e 13-ta komunë në Kosovë kurse në fushën e transportit publik është listuar e 20-ta. Vitia humë më mirë qëndron në mbrojtje të mjedisit, ku zë vendin e pestë në mesin e të gjitha komunave të Kosovës. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti kundërshtoi të dhënat e vlerësimit të performancës për punësimin e personave më aftësi të kufizuar. 

“Jo, nuk jemi zero, ne mund t’i argumentojmë edhe me emra të hendikepuarit që i kemi punësu”- u përgjigj ai. 

Sa i përket qasjes së personave me aftësi të kufizuar, Emine Drainca nga “Handikos”, shpjegoi problematikën e qasjes në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Viti.

“Këtu po kemi shumë problem, se kur është ndërtu këtu trotuari nuk është ba pak një qasje dhe për karroca me hy brenda”- tha Drainca.

“Ajo nuk i plotëson standardet, na ftojnë në takime, mirëpo personat me aftësi të kufizuar nuk munden me marrë pjesë sepse ajo sidomos në kohën e dimrit është e pakalueshme sepse është shumë  e pjerrët dhe është pllakë”- u shpreh Drainca. 

Këtë e kundërshtoi kryetari i Vitisë, Sokol Haliti. 

“Shtëpia e Kulturës i ka tri pjerrina, nuk e ka vetëm një”- përfundoi Haliti.

Ndonëse janë bërë tetë vjet prej kur kryetari Sokol Haliti kishte vendosur gurëthemelin e shkollës “Halil Halidema” në fshatin Pozheran, kjo shkollë nuk ka përfunduar ende.