Mos i fajësoni qytetarët e Ballkanit për rritjen e madhe të rasteve të COVID-19

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë të prirur t’i fajësojnë qytetarët e papërgjegjshëm për rritjen e shpejtë së fundmi të rasteve të koronavirusit – mirëpo problemi i vërtetë në këtë rajon është mungesa themelore e besimit ndërmjet qytetarëve dhe shtetit.

 

Kur pandemia Covid-19 goditi Evropën, qeveritë e Ballkanit Perëndimor, së bashku me shumë shtete të Evropës Qendrore, ndërmorën masa strikte dhe numri i viktimave fillimisht mbeti i vogël.

Ndërkohë që Italia, Franca, Belgjika dhe, më vonë edhe Britania e Madhe, pësuan më së keqi në Evropë, Evropa Lindore fillimisht ia doli mbarë.

Për më shumë, gjendja e pasigurt e sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor i shtyri këto qeveri që të ndërmarrin masa drastike në fazat e hershme, ndërsa shumë qeveri në Evropën Perëndimore hezituan të ndërmarrin masa kufizuese.

Ky avantazh dukej se po zhvillohej kësisoj deri në muajin maj ose qershor. Por që nga ajo kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rrëshqitur nga të qenit vendet më të prekura në ato me numrin më të madh të rasteve të raportuara në Evropë.

Si shpjegohet ky ndryshim, nga të qenit një rajon që fillimisht shënoi shumë pak raste në Evropë, por që pastaj arriti një numër të madh të rasteve?

Disa arsye specifike të këtyre shteteve mund të shpjegojnë rastet individuale, të tilla sikurse zgjedhjet e fundit në Serbi dhe Maqedoni e Veriut, ose kriza qeveritare në Kosovë, apo edhe protestat në Mal të Zi dhe Serbi. Sidoqoftë, asnjëra prej këtyre nuk ofron një perspektivë gjithëpërfshirëse rajonale.

Kjo nuk do të thotë që asnjë nga këto arsye nuk janë me rëndësi. Të gjitha janë pjesë e sfidave më të mëdha me të cilat përballen këto shoqëri. Shkalla e mosbesimit ndërmjet qytetarëve dhe shtetit në Ballkanin Perëndimor është e lartë. Qytetarët nuk u besojnë institucioneve shtetërore dhe qeveritë nuk u besojnë qytetarëve të tyre. Ky mosbesim i dha mundësi arritjes së rezultateve të hershme të mira dhe kontribuoi në zhvillime më shqetësuese gjatë javëve të fundit.

Pothuajse të gjitha qeveritë në Ballkanin Perëndimor aplikuan masat e orës policore që i penguan njerëzit të dilnin nga shtëpitë e tyre gjatë fundjavave dhe festave. Një prej masave më ekstreme ishte ora policore 80 orëshe për festën e Pashkëve Ortodokse në Serbi. Kufizime të tjera i pamundësuan të moshuarit dhe ndonjëherë fëmijët të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Këto masa represive ishin të krahasueshme vetëm me ato vende në Evropë të cilat ishin goditur shumë rëndë nga pandemia, sikurse Italia dhe Spanja.

Përveç masave kufizuese, mesazhi kryesor nga këto qeveri ishte të fajësuarit e  qytetarëve të tyre për papërgjegjshmëri dhe mosrespektim të masave kufizuese ose për shkak se nuk kanë shfaqur kujdes të mjaftueshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, parakaloi përgjatë kryeqytetit, Tiranës, duke i qortuar qytetarët për mosrespektimin e masave kufizuese. Qeveria malazeze publikoi një listë online (në internet) të qytetarëve nën masa të karantinimit shtëpiak, dhe gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të kujdesen (kontrollojnë) bashkëqytetarët e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, fillimisht fajësoi serbët që ktheheshin nga jashtë për përhapjen e COVID-19, dhe pastaj qytetarët e zakonshëm për sjelljen e papërgjegjshme.

Masa të tilla të ashpra u aplikuan për ti mbajtur shifrat e COVID sa më të ulëta dhe, megjithë natyrën e tyre represive, gjithashtu dukej se gëzonin një mbështetje në masë. Pjesërisht, kjo është pjesë e një fenomeni më të gjerë ku qytetarët e vendosin besimin e tyre në institucionet shtetërore në kohë krize – për sa kohë që funksionojnë.

Është një lloj besimi i bazuar në shpresën se shteti mund të sigurojë kujdesin e nevojshëm. Në Ballkanin Perëndimor, ajo gjithashtu bazohet në dëshirën për një shtet të fortë dhe një udhëheqës të fortë që reagojnë me vendosmëri, edhe nëse ata mbështeten në represion më shumë sesa në edukim. Kur shtetet u shfaqën të dobëta për sa i përket zbatimit të rregullave, kjo rezultoi me zhgënjimin me shtetin dhe me rritjen e mbështetjes ndaj ligjit nga një burrështetas i fortë.

Sondazhet gjatë dy dekadave të fundit sugjerojnë se ndërkohë që shumica e qytetarëve në rajon ende e mbështesin demokracinë, mbështetja e përgjithshme për demokracinë ka shënuar rënie. Për më tepër, shumë sosh do të preferonin që demokracia të kombinohej me një sundimtar që nuk kufizohej nga kontrollet dhe ekuilibrat.

Masat e efektshme të ndërmarra nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor ishin lojëra ndjenjash dhe projektuan një ide të një qeverie të fortë, vendimtare.

Sidoqoftë, këto masa rezultuan edhe me të meta fatale. Së pari, ato shpesh ishin gjysmë të pjekura; orët e stërzgjatura policore duke i bërë hapësirat publike më të ngarkuara para dhe pas orës policore, duke e bërë më të vështirë distancimin social, mbase edhe të pamundshëm.

Së dyti, masat e orëve policore rigjide nuk ishin të qëndrueshme, veçanërisht pasi këto vende nuk kishin përjetuar raste të mëdha të vdekjeve sikurse që përjetuan Spanja, Italia dhe Franca. Qëndrimi brenda në shtëpi për disa ditë pa qenë në gjendje të parashikosh rreziqet e mos respektimit të rregullave, e bënë më të vështirë vazhdimin e masave të tilla në terme afatgjata.

Këto sfida nuk ishin unike për Ballkanin Perëndimor. Shumë qeveri më parë kanë ndërmarrë një qasje paternaliste, duke i qortuar qytetarët dhe duke i fajësuar ata për dështimet.

Mirëpo, për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo prirje ka qenë më e theksuar pasi masat kufizuese ishin më të rrepta dhe kontribuuan në trendin ekzistues autoritar.

Si rezultat, masat kufizuese shpesh u bënë më rigoroze me shpejtësi gjatë majit dhe qershorit. Rasti më ekstrem ishte Serbia, e cila ishte veçanërisht radikale në këtë aspekt. Aty, gati të gjitha aktivitetet, përfshirë ato për të cilat dihet se janë me rreziqe të larta, siç janë lojërat e futbollit dhe klubet e natës, u lejuan ta rifillojnë punën e tyre.

Kudo tjetër, masat kufizuese u rritën gjithashtu më shpejt sesa në vendet e tjera. Në disa raste, shtetet hezituan ti kufizojnë traditat fetare, si në Maqedoninë e Veriut, e cila lejoi shërbime të Pashkëve të kryera nga kisha ortodokse si dhe festën e Bajramit. Të dyja këto ditë feste u shënuan me pak kufizime.

Me shifrat e COVID tani në rritje, veçanërisht në Serbi, masat kufizuese duhet të rivendosen. Sidoqoftë, kërcënimi për masa të bllokadave të reja u përball me një shpërthim pakënaqësie nga ana e publikut, duke rezultuar me disa ditë protestash publike në Serbi, disa prej tyre të dhunshme. Ishte më pak rezultat i masave të ndërmarra kufizuese sesa pasiguria e krijuar nga bllokadat – heqja e kufizimeve e pasuar me  rinisjen e masave të mbylljes.  Në veçanti, pasi heqja e masave kufizuese kishte të bënte me mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi si dhe me përpjekjet e Partisë Progresive në pushtet për të projektuar një ndjenjë [false] të fitores ndaj COVID-19, manipulimi politik i pandemisë është bërë i qartë tashmë për të gjithë.

Rezultati ka qenë thyerja e mëtejshme e besimit, tashmë të brishtë, ndërmjet shtetit dhe shoqërisë, dhe sa më shumë polarizim.

Polarizimi dhe mosbesimi kanë qenë kontribuuese kësisoj në pandemi. Një karakteristikë kryesore për të gjitha vendet e rajonit është niveli i lartë i polarizimit midis qeverive dhe opozitës, i cili lë pak hapësirë për një gjuhë të përbashkët.

Pandemia nuk i ka ofruar këto përçarje, përkundrazi vetëm sa i ka larguar ato më shumë nga njëra tjetra. Kjo nënkupton se në Mal të Zi, për shembull, Kisha Ortodokse Serbe nuk ka besim në masat kufizuese ndaj veprimtarisë fetare dhe se në Serbi, opozita ka kundërshtuar masat e ndërmarra nga qeveria.

Në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi dhe qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti garonin ndërmjet vete lidhur me atë se çfarë masash duhet ndërmarrë dhe, meqë qeveria Kurti u rrëzua, ka pasur një mungesë lidhjeje logjike sa i përket politikave që kanë të bëjnë me pandeminë.

Në Maqedoninë e Veriut, gara ishte e vendosur në një qeveri tranzitore të përbërë nga anëtarët e Social Demokratëve në pushtet dhe nacionalistët e opozitës nga VMRO-DPMNE.

Ky rivalitet u pasqyrua nga mënyra se si Ministri Social Demokrat i Shëndetësisë, Venko Filipce, e vuri në pah komunikimin ndaj rreziqeve prej pandemisë, ndërsa Nakje Culev, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm të VMRO-DPMNE, u përqendrua më shumë në represionin. Në Shqipëri, qeveria përdori rrethanat e pandemisë për ta shkatërruar Teatrin e vjetër Kombëtar, duke ditur që opozita dhe qytetarët do të ishin më pak të aftë të protestojnë gjatë pandemisë.

Prandaj, do të ishte shkurtpamësi të fajësohen qytetarët e papërgjegjshëm për rritjen e madhe të rasteve të COVID-19 në Ballkanin Perëndimor, ose të fajësohet mentaliteti proverbial i Ballkanit, siç kanë bërë shumë politikanë kryesorë. Sfida në luftimin e pandemisë lind nga një kombinim i masave kufizuese nga lart-poshtë në një kontekst të besimit të ulët midis shtetit dhe qytetarëve dhe një niveli të lartë polarizues.

Florian Bieber është koordinator i Grupit Këshillues të Politikave “Balkans in Europe” (BiEPAG)

Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN