Monitorimi nga KALLXO.com rezulton me ndryshime pozitive në respektim të masave anti-COVID në Universitetin e Prizrenit

Në fakultetet e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, kanë filluar të merren më seriozisht masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

KALLXO.com që nga muaji nëntor i vitit 2020 ka monitoruar Universitetin e Prizrenit.

Gjatë monitorimit në muajin shkurt, KALLXO.com ka vërejtur ndryshime pozitive në këtë Universitet.

Ndryshe nga muajt e kaluar, gjatë monitorimit në muajin shkurt, është vërejtur që nëpër klasat e fakulteteve janë vendosur njoftime se sa studentë mund të qëndrojnë brenda klasave dhe Universiteti është pajisur me termometër.

Ndryshime të tjera janë vërejtur edhe te banjot, të cilat janë pajisur me sapun dhe letra higjienike dhe po ashtu janë vendosur dezinfektues në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të fakulteteve.

Klasat pa shenjim

Klasat në fakultetet në Universitetin e Prizrenit nuk kanë pasur shenjim të mbajtjes së distancës në asnjë fakultet.

Por në këto fakultete që nga muaji nëntor ka pasur gjithmonë pano informuese në lidhje me COVID-19, në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të kampusit universitar.

Gjatë muajve të kaluar, në klasat ku mbahet mësimi nuk ka pasur shenjim nëpër karrige se në cilat është e lejueshme ulja e në cilat jo.

Mungesa e shënjimit është vërejtur edhe tash në monitorimin e muajit shkurt.

Po ashtu, mungesë të shënjimit ka edhe në hapësirat e jashtme, në oborr të Universitetit.

Vendosja e njoftimit se sa studentë lejohen brenda klasave

Ndryshim pozitiv në muajin shkurt 2021, ndryshe nga muajt e kaluar është vërejtur në shënjimin se sa studentë lejohen brenda një klase.

Secila nga klasat nëpër fakultetet e Universitetit të Prizrenit, në derë ka të ngjitur nga një njoftim se sa studentë lejohet të qëndrojnë brenda një klase.

Pajisja e banjove me sapun dhe letra higjienike

Ndryshe nga monitorimi tre mujor, në muajt nëntor, dhjetor 2020 dhe janar 2021 kur nuk ka pasur letër higjienike në banjot e fakulteteve, KALLXO.com ka parë se gjatë monitorimit në muajin pasues banjo ka pasur letër higjienike dhe shampon për pastrimin e duarve.

Mungesë të shamponit të lëngshëm, KALLXO.com ka vërejtur vetëm gjatë muajit janar në Fakultetin e Edukimit.

Në përgjigjet e Universitetit të Prizrenit thuhet se kanë të caktuar enkas një person për monitorimin e implementimin e masave që bazohet në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Në përgjigje thuhet se dezinfektimi i Universitetit nuk është i rregullt, por që dezinfektohet kur ka aktivitete nëpër fakultete.

“Universiteti nuk dezinfektohet rregullisht. Fakulteti i Edukimit tash është dezinfektuar pasi së fundmi ka pasur zgjedhje, të cilat janë organizuar nëpër klasat e këtij fakulteti. Universiteti është dezinfektuar edhe para mbajtjes së provimeve të afatit të janarit dhe nëntorit”, thuhet në përgjigjen e Universitetit.

Universiteti i Prizrenit nuk ka ndaluar asnjëherë ofrimin e shërbimeve për studentët, por që ka shkurtuar kohën e ofrimit të tyre.

Pajisja me termometër pas disa muajve

KALLXO.com gjatë monitorimit të Universitetit gjatë tre muajve nëntor-dhjetor-janar, ka vërejtur se nuk ka pasur termometër për matjen e temperaturës, ndërsa tash në monitorimin e muajit shkurt, UPZ ka pajisur të gjitha fakultetet me termometër.

Mbajtja e maskave në hapësirat e brendshme të këtij Universiteti janë obligative ndërsa sipas zyrtarëve, kontrollimi dhe menaxhimi në hapësirat e jashtme nuk është i mundur.

Mësimi në semestrin dimëror është organizuar online ndërsa së fundmi Qeveria ka vendosur që t’u kalojë në kompetencë universiteteve që të vendosin se si dëshirojnë ta organizojnë mësimin.

“Shtabi Emergjent ka rekomanduar që mësimi të vazhdojë online për shkak të numrit të studentëve, përjashtimisht fakultetet ku kanë numër të vogël të studentëve, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe të Mjedisit dhe dy degët e Fakultetit të Edukimit – Dega Gjuhë Turke dhe ajo Gjuhë Boshnjake. Ushtrimet laboratorike, provimet e kolokfiumet mbahen me prani fizike”, thuhet në përgjigjen e UPZ-së.

Universiteti i Prizrenit pajiset me dezinfektues

Gjatë monitorimit në muajt e kaluar nëntor-dhjetor-janar, në hapësirat e brendshme të gjashtë fakulteteve të Universitetit të Prizrenit, nuk janë parë dezinfektues të cilët mund të përdoren nga studentët.

Gjatë monitorimit në muajin shkurt, dezinfektues janë parë te të gjithë fakultetet, në hapësirat e brendshme ose edhe në hyrje të fakulteteve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në institucionet e arsimit të lartë të zhvillohet me prani fizike.

“Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Është bërë e ditur se procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19″.

Universiteti i Prizrenit deri më tash ka pasur 46 të infektuar me COVID-19 nga stafi, ndërsa nuk ka evidencë për numrin e studentëve të infektuar.

Po ashtu, ky Universitet ka liruar nga puna punëtorët që kanë sëmundje kronike. Pesë punëtorë punojnë nga shtëpia.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.