Modeli i Prishtinës në risocializimin e fëmijëve të rikthyer nga lufta

Në vitin 2019 në Kosovë ishin kthyer 74 fëmijë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Në trajtimin e tyre institucionet e vendit vendosën të siguronin një metodologji edukimi e cila në disa raste ndryshon nga trajtimi i fëmijëve të tjerë të cilët riatdhesohen.

Të dhënat tregojnë që fëmijët të cilët ri-atdhesohen nga vendet e BE-së kalojnë në një proces normal të kthimit në klasa të përziera mirëpo kjo praktikë nuk është ndjekur në të gjitha rastet e të rikthyerve nga zonat e luftës.

Në njërën nga shkollat e Prishtinës është ndjekur një model i veçantë ku fëmijët janë grupuar në një klasë për të vijuar mësim intensiv.

Në këtë shkollë me një klasë të veçantë shtatë nxënës të moshave 11 deri në 15 vjeç.

Të njëjtit ishin rikthyer nga zonat e luftës në vitin 2019 ndërsa procesi i shkollimit në fillim ishte konsideruar mjaftë sfidues.

“Viti i parë ka qenë sfidues shumë, nuk kemi arritur një kohë që të bisedojmë siç duhet, vërehej trauma që kanë marrë nga qëndrimi në zonat e luftës, nuk kanë dashur që të jenë pjesë e aktiviteteve apo që të përzihen me nxënësit e tjerë të shkollës, krejt kjo për shkak se kanë menduar se do të paragjykohen se nuk janë të njëjtë me të tjerët”, ndan eksperiencën e tij për ekipin e KALLXO.com, mësuesi i shtatë nxënësve.

Disa nga nxënësit duan që të shërbejnë si doktorë, e disa të tjerë si artistë, inxhinierë e fotograf.

Fëmijët, gratë e burrat që janë rikthyer nga zonat e konfliktit si Siria e Iraku, tash e një kohë janë pjesë e ri- integrimit dhe ri-socializimit. Me një proces të mbikëqyrur nga Ministria e Punëve të Brendshme fëmijët janë bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme të cilat mundësonin që të njëjtit të bëhen pjesë e shoqërisë dhe të shkollohen pa dallim nga nxënësit e tjerë.

Mësuesi në një bisedë me KALLXO.com flet për një ndryshim të madh i cili ka ndodhur me fëmijët e rikthyer, nga frika se mund të paragjykohen të njëjtit sot kanë lënë pas këtë sfidë dhe kanë filluar që të kontribuojnë në aktivitetet shkollore.

Brenda shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, zhvillohen edhe lëndë të shkathtësive në të cilat janë të involvuar edhe fëmijët që janë rikthyer nga zonat e luftës.

“Ideja e pjesëmarrjes në lëndët e shkathtësive të cilat janë të ndara si lëndë arti, lëndë të edukatës fizike, lëndë muzikore, është që në këto lëndë ne krijojmë shoqëri ose me bashkëbisedu me nxënësit e tjerë”, tregon tutje mësuesi.

Tutje i njëjti shton se janë zhvilluar disa vlerësime për të parë se si kanë shënuar progres në ri- integrim.

“Tani ne e kemi një grup që nuk kanë ndonjë dallim të madh në vite, njëri nga ta është 11 vjet ndërsa pjesa tjetër e kemi moshën prej 13 deri në 15 vjet. Po mundohemi me u përshtat. Ne kemi shku në mënyra të ndryshme i kemi bërë pjesë të klasave të ndryshme, kemi mbajtë mësim me nxënësit e tjerë i kemi dërgu që me shiku që nuk ka ndonjë dallim mes tyre dhe të kuptojnë që janë nxënës si gjithë të tjerët”, tregoj përvojat mësuesi.

Madje mësuesi tregon një ngjarje që e kishte prekur e që kishte ndodhur në fillim të shkollimit të fëmijëve pas rikthimit.

“Deri vitin e kaluar unë nuk kam mujt me ju thënë që duhet të bëheni pjesë të aktiviteteve, vitin e kaluar kemi filluar dhe kam bisedu me nxënësit fillimisht. Në fillim po du me nda me ju, kur ju kam thënë që do të marrim pjesë në një aktivitet të organizuar të shkollës, ditën tjetër të mësimit ata kanë munguar. Pra nuk kanë qenë të gatshëm. Por që nga viti i kaluar kemi filluar që të marrim pjesë në aktivitete të ndryshme të cilat u japin atyre hapësirë që të shoqërohen edhe me nxënësit e tjerë”, thotë mësuesi i shtatë fëmijëve të rikthyer nga zonat e konfliktit.

Në zyrën e Drejtorit të Shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, janë vendosur dy piktura të cilat janë të vizatuara nga njëri prej fëmijëve të rikthyer nga zonat e konfliktit.

“Njëri nga nxënësit është talente në art, punon me akryl dhe ka një imagjinatë në art të jashtëzakonshme. Madje në një bisedë me nxënësin më ka pyetur se si duhet të shkoj në Paris se kam dëgju që atje ka shumë piktura do të doja t’i vizitoja. Punimet i ka shumë të mira, kemi bërë disa prej punimeve të saj dhurata për mysafir të shkollës ndërsa ka raste kur familjarët apo rrethi i saj shoqëror i blen punimet e saj”, tregon mësuesi.

Pikturat e vizatuara nga njëra nga nxënëset e rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri, Foto: KALLXO.com

Valbona Tafilaj është caktuar koordinatore e shëndetit mendor për fëmijët e rikthyer nga Siria që nga viti 2019.

Në një intervistë për KALLXO.com, psikiatrja Tafilaj  tregon se gjendja psikike- emocionale e fëmijëve në fillim ka qenë e rënduar por që për shkak të trajtimeve që kanë marrë situata ka ndryshuar.

“Fëmijët nga dita e kthimit e deri me tani kanë një përmirësim të kënaqshëm si në aspektin emocional dhe psikik, kanë avancuar për të mirë, kanë filluar shkollimin dhe janë nxënës të shkëlqyeshëm fatmirësisht”, tregon Tafilaj.

Vetë Tafilaj, pranon se për të kaluar një traumë duhet trajtim i vazhdueshëm e që mund të zgjas ehdhe me vite.

Mirëpo fëmijët e rikthyer, thekson Tafilaj se kanë filluar që të kalojnë simptomat e traumës dhe të vazhdojnë jetën në normalitet.

“Aktivitetet si ne vijim, si art terapia, shëtitjet në vende të ndryshme trashëgimisë kulturore, teatër, e disa të tjera, pra të gjitha aktivitet e sipër lartshënuar kanë qenë ndihmuese për të mësuar se si të zhvillojnë aftësitë e tyre kognitive”, shpjegon Tafilaj trajtimin e traumës te fëmijët.

Edhe Tafilaj përmend talentin e njërës prej fëmijëve të rikthyer.

“Po mundohem të tregojë shkurtimisht një histori e cila ka të bëjë me njërën nga të rikthyerit ku aty kemi zbuluar talentin që e ka për të pikturuar që është e mahnitshme dhe jemi shumë të kënaqur me punën që ajo e bën dhe kjo është falë aktiviteteve që ne i kemi realizuar e të cilat kanë ndikuar në njohjen e talentit të saj. Disa nga pikturat e vogëlushes, janë shitur dhe përfituese drejtpërdrejt nga shitja e pikturave është familja e vogëlushes”, tregon psikiatrja.

E njëjta në fund shton se pavarësisht progresit në procesin e ri- integrimit të fëmijëve që janë rikthyer nga zonat e luftës, trajtimi i tyre psikik dhe emocional vazhdon edhe më tutje në baza mujore dhe varësisht nga nevojat e tyre.

74 fëmijë ishin rikthyer në vitin 2019 në Kosovë nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Një operacion i gjatë për të identifikuar kosovarët që kishin shkuar në zonat e konfliktit ishte realizuar me sukses dhe tri vite më parë Kosova riktheu 110 qytetar të saj.

Muaj më pas, fëmijët e rikthyer ishin përcaktuar që të vijonin mësimin në klasa të ndryshme varësisht nga njohuritë e tyre.

Disa nga ta do të fillonin në parashkollorë, disa në nivelin fillor. Përgjatë këtyre viteve të shumta kanë qenë aktivitetet që janë ndërmarrë për fëmijët e rikthyer nga zonat e konfliktit.

KALLXO.com në disa prej tyre ka marrë pjesë dhe nga afër ka përcjellë procesin i cili vazhdimisht është mbikëqyrur nga Ministria e Punëve të Brendshme më saktësisht Drejtoria për Siguri Publike dhe Divizioni për Ri- integrim.

Takimi i mësuesit me fëmijët Kosovarë të kthyer nga Siria e Iraku