Ilustrim

Modeli i përkrahjes për të shmangur faktorët e terrorizmit 

Procesi i rikthimit dhe ri-integrimit të qytetarëve nga Kosova të cilët u kthyen nga zonat e luftës është përballur me një sfidë serioze në fillim të saj.

Hulumtimet dhe analizat në terren kishin vlerësuar që investimet dhe përkrahja e të rikthyerve mund të krijonte probleme tek komuniteti kjo për faktin se komuniteti pritës do perceptonte që shteti po i trajton me benificione vetëm të rikthyerit nga zonat e luftës.

Një analizë e gjendjes në terren kishte paraparë rrezikun që kategori të varfëra të shoqërisë të nxiteshin në kryerjen e veprave të ndaluara vetëm për të përfituar nga skemat sociale.
Shkaktarët ekonomik ishin vlerësuar në vazhdimësi si faktorë shtytës të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në Kosovë. Ndërprerja e këtij shkaktari kërkonte edhe metodologji e cila synon zgjidhjen e problemeve edhe në komunitet.

Në disa zona të vendit u ndërtua një program i cili synonte adresimin e sfidave të punësimit dhe sfidave të tjera të cilat vlerësohen si shtytës të ekstremizmit.

Programi ishte dizajnuar për të mbështetur të rikthyerit me ndihma e bashkë me ta ndihmat do shpërndaheshin edhe tek komuniteti pritës apo fqinjët e personave të rikthyer.

Projekti është implementuar nga MPB me përfshirjen edhe të organizatave të shoqërisë civile.

Rebeka Qena nga CDF ka koordinuar këtë program dhe ndihmën që është shpërndarë tek të rikthyerit dhe komuniteti.

“Përkrahja e kategorive në nevojë dhe jo vetëm të rikthyerve e eviton diskriminimin ndaj vetëm një grupi dhe kjo mendoj se është e rëndësishme. Gjithashtu e rëndësishme është që prapa secilës mbështetje qëndron jo vetëm një vendim dhe diskutim por qasje e përgjithshme shoqërore që Kosova e ka si përcaktim”, thotë Qena.

Ajo shpjegon se përkrahja për përfituesit realizohet bazuar në një analizë e cila synon të identifikoj problemet që i kanë komunitetet pritëse.

“Zyrtarët e MPB-së na njoftojnë për nevojat që kanë identifikuar dhe ne, në kuadër të projektit diskutojmë se cila është mënyra më e mirë për t’u dalë atyre në përkrahje, duke qenë në përputhje me rregullat e donatorit dhe qëllimit të programit”, vazhdon tutje Qena.

Ganimete Gërbovci nga MPB ka punuar në analizë dhe në mbikëqyrje të programit.

“Në varësi të kërkesës nga ana jonë kanë ardhur edhe ndihmat, ndihmat më të mëdha kanë qenë me pako ushqimore dhe higjienike pastaj kemi pasur pako me veshmbathje për personat e riatdhesuar, materiale didaktike për fëmijët e riatdhesuar si dhe lëndë djegëse për ngrohje për disa familje”, thotë Gërbovci.

Ideja për të ndihmuar përveç familjeve të ri- atdhesuara edhe familjet tjera në nevojë kishte ardhur në bazë të një vlerësimi të MPB-së.

“MPB ka bërë vizita edhe në familjet tjera që trajton në komunitet apo fqinjësi. Mbështetja është bërë me pako humanitare për komunitetin me fokus të fuqizimit të gruas në shoqëri”, thotë tutje MPB.

Gjatë këtyre aktiviteteve të zhvilluara nga MPB dhe organizata të ndryshme fëmijët janë përkrahur me kurse, libra e pajisje mësimore, nënat me kurse prindërimi dhe kurse që ndihmojnë në punësim.

“Qëllimi i përkrahjes është që të mbështeten individët në aspektin e vet qëndrueshmërisë dhe funksionimit të tyre të plotë në kuadër të shoqërisë kosovare”, thotë Rebeka Qena nga CDF.

Qena thotë se mbështetja duke të ekzistoj për të gjitha kategoritë shoqërore që janë në nevojë.

“Aktualisht shumica e këtyre shërbimeve ofrohen në kuadër të programeve  që shumë organizata realizojnë, megjithatë roli i fuqishëm i koordinimit dhe identifikimit të përfitueseve është një barrë që realizon MPB-ja që këtë e bën më shumë përgjegjësi, duke evituar diskriminimin e cilitdo grup në nevojë dhe duke krijuar një ndjenjë të përkatësisë sidomos tek subjektet që përfitojnë përkrahje”, shpjegon procesin Qena.

Sipas Qenës, “Ndihmat, të cilësdo natyrë kanë për qëllim mbështetjen, çoftë atë momentale të individit, çoftë të një kategorie shoqërore, në tejkalim të shtrëngesës ekonomike por edhe të atyre problemeve të përkatësisë, ndjenjës së pranimit në shoqëri, mos- diskriminimit dhe mundësisë për ri-integrim dhe kontribut të tyre në shoqërine kosovare”.

Rezultatet e një aktiviteti të tillë Qena i vlerëson të larta.

“Veprimet që Republika e Kosovës ka realizuar konsiderohen si shumë të suksesshme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë dhe kanë kontribuar shumë në ri-integrim dhe rehabilitim të të kthyerve. Aktivitetet e përkrahjes kanë mundësuar dhe mundësojnë që individit t’i jepet mundësia e kthimit në normalitet, si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë me mundësi të dhënies së kontributit pozitiv në ndërtim të shoqërisë demokratike e të bazuar në të drejta njerëzore”, përfundon bisedën Qena.

Ministria e Punëve të Brendshme për KALLXO.com ka thënë se përveç familjeve të rikthyera nga zonat e konfliktit, mbështet edhe personat e ri-atdhesuar nga vende të ndryshme të BE-së.

Sipas MPB, rehabilitimit dhe ri-integrimi i personave apo familjeve të riatdhesuara ndihmon komunitetin që të ketë një qëndrueshmëri ndaj këtij fenomenti që prej edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.

MPB tregon edhe se ka trajnime që gratë e rikthyera kanë marrë pjesë së bashku me gratë tjera të komunitetit. Këto trajnime sipas MPB janë zhvilluar në partneritet me IOM e më pas nga CDF.

Ndihmat e MPB-së për këto kategori janë ndarë në regjione apo komuna të ndryshme në gjithë Kosovën.

Statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se familjet e rikthyera asistohen çdo tre muaj me pako ushqimore e higjienike, ndërsa 19 familje mbështeten me akomodim përmes qirasë ndërsa pjesë e trajtimit të tyre janë edhe proceset e edukimit, shërbimet e shëndetit mendor, social , vet-punësimit dhe ngritja profesionale sipas tregut të punës..

Komunat e Kosovës duhet të ndjekin një proces të ngjashëm ashtu siç është vepruar edhe nga ana e Ministrisë së Punës të Brendshme në mënyrë që komuniteti të përfitoj në mënyrë të barabartë në bazë të nevojave të tyre.