Mladiqi Kërkon Ndjesë për Sjelljen e Tij
Gjatë seancës së mbyllur të premten para Tribunalit të Hagës, ICTY, avokati mbrojtës i Mladiqit, Branko Lukiq, kërkoi ndjesë në emër të klientit të tij ndaj ish-gazetarit të Sky News, Aernout Van Lynden, dhe “gjithë të tjerëve”.
Trupi Gjykues pastaj vendosi ta bëjë seancën të hapur për publikun “duke qenë se kërkimi ndjesë ishte i rëndësishëm dhe në interes të drejtësisë”.
Mladiqi e quajti dëshmitarin “gënjeshtar” dhe “spiun të CIA-s” të mërkurën, pasi raportimet televizive të Van Lyndenin nga lufta në Bosnjë u shfaqën në sallë të gjyqit.
Lukiqi tha se gjyqi është stresues për Mladiqin, për shkak të shëndetit të dobët, dhe se përdor të njëjtin ton agresiv me të gjithë, përfshirë dhe avokatët mbrojtës.
Trupi Gjykues e paralajmëroi Mladiqin edhe njëherë se do të largohej nga salla e gjyqit nëse sjellja e padenjë do të vazhdojë.
Tribunali i Hagës ka vendosur, më 16 gusht, të filmojë Ratko Mladiqin ndërsa qëndron në sallë të gjyqit, për shkak të gjuhës vazhdimisht ofenduese.
Marrja në pyetje e dëshmitarit Colm Doyle, ish-shef i Misionit Monitorues të Komunitetit Europian në Bosnjë, vazhdoi gjithashtu në seancën e të premtes.
Doyle konfirmoi edhe një herë se komuniteti ndërkombëtar ishte i shqetësuar për armët e rënda që serbët e Bosnjës kishin.
Sidoqoftë, Doyle nuk mund të konfirmonte nëse luftëtarët ishin paramilitarë, apo jo, duke qenë se nuk ishte në dijeni të strukturës së forcave serbe të Bosnjës.
Dëshmitari i mbrojtur, RM115, i mbijetuar i luftës në Bosnjë, pritej gjithashtu të dëshmonte të premten, por për shkak të problemeve shëndetësore të tij, dëshmia është shtyrë për të hënën.
Mladiqi, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit boshnjak mes viteve 1992 dhe 1995.
Mladiqi akuzohet për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe në disa komuna të tjera në Bosnjë në vitin 1992, dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga komunat që ishin nën kontroll të serbëve të Bosnjës, terrorizim të banorëve të Sarajevës me sulme bombardimi dhe snajperësh, si dhe pengmarrje të ushtarëve ndërkombëtarë në 1995.
Gjyqi do të vazhdojë më 27 gusht.