Mladiq Largohet nga Salla e Gjyqit Sepse Qeshi

Kur dëshmitari përfundoi dëshminë, Trupi Gjykues e lejoi Mladiqin, ish-shef i ushtrisë serbe të Bosnjës, të kthehej në sallë të gjyqit për të ndjekur dëshminë e ish-oficerit të UNPROFOR-it, Pyers Tucker.

Dëshmitari RM-081 dëshmoi të premten, për kohën që u mbajt i burgosur në ndërtesën në Rogaticë, ku tha se ishte i burgosur bashkë me qindra boshnjakë të tjerë, verën e vitit 1992.

Ai tha se forcat serbe të Bosnjës i mbajtën të burgosurit në kushte çnjerëzore, i rrahën dhe abuzuan seksualisht, dhe i vranë.

Dëshmitari shtoi se dy fëmijët e tij nën moshë ishin mes të abuzuarve, ndërsa ai “nuk kishte kurajën” ta pyeste bashkëshorten nëse edhe ajo ishte abuzuar gjithashtu.

Për shkak të masave për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit, seanca e të hënës u mbajt pa praninë e publikut, kështu që nuk dihet se pse Mladiqi qeshi.

Pasi u largua nga salla e gjyqit, Mladiq kërkoi të kthehej në njësinë e burgimin dhe që avokatët mbrojtës të mos merrnin pjesë në seancë.

Avokati i Mladiqit, Miodrag Stojanoviq, tha se e kishte informuar Mladiqin për masat që gjyqtarët mund të marrin në këtë rast, por se klienti i tij ishte përgjigjur se “do të fillonte grevë urie dhe nuk do t’i merrte më ilaçet, nëse caktohen avokatë të tjerë mbrojtës për ta përfaqësuar”.

Avokati mbrojtës pastaj ndaloi së marri në pyetje dëshmitarin RM-081, sipas udhëzimeve të Mladiqit.

Gjyqtari kryesues, Alphons Orie, paralajmëroi se refuzimi i Mladiqit për t’u paraqitur në sallë të gjyqit do të interpretohet si heqje dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjyq.

Stojanoviq i tha Trupit Gjykues se Mladiq kishte thënë se “nuk mund t’i kontrollonte emocionet, qofshin ato të qeshura, ose lot”.

Gjyqtari Orie u përgjigj se “e qeshura me zë të lartë në praninë e një dëshmitari” përbën pengim të seancës gjyqësore.

Mladiq, ish-komandanti i ushtrisë së Republikës Srpska, akuzohet për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjës ndërmjet viteve 1992 dhe 1995.

Oficeri anglez Pyers Tucker, ish-asistenti i komandanti të UNPROFOR-it, Philippe Morillon, dëshmoi se bombardimi në Sarajevë nga pozitat e forcave serbe të Bosnjës kishte për synim të “terrorizonte dhe frikësonte” popullatën vendase.

“Granata hidheshin në lagje të banuara pa asnjë qëllim të dukshëm ushtarak. Sipas kuptimit tim, qëllimi kryesor ishte të terrorizohej popullata”, tha Tucker.

Avokati mbrojtës i Mladiqit do të vazhdojë të marrë në pyetje oficerin Tucker të martën, më 9 tetor.