MKRS stopoi privatizimin e ‘Kosova Filmit’

Shtëpia më e vjetër për prodhimin e filmit në vend, “Kosova Filmi” së shpejti mund të bëhet një njësi në kuadër të Qendrën Kinematografike (QKK). Ndërsa, për pronën e saj, institucionet nuk kanë përgjigje, edhe pse gjasat janë që ajo t’i bartet QKK- së, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E kjo parashihet edhe me Projektligjin e ri për Kinematografinë.

Kjo ndërmarrje që aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), posedon një pasuri milionëshe, mbi 3 mijë metra katrorë objekt e mbi dhjetëra hektarë tokë në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë, e njohur ndryshe edhe si “Film City” ku është e vendosur komanda kryesore e KFOR-it. Po ashtu posedon edhe dhjetëra filma të realizuar ndër viteve.

Rikthimin e “Kosova Filmi” nën menaxhim të saj, MKRS fillimisht e synoi përmes kërkesës në AKP për mos shtije të aseteve të kësaj ndërmarrje e më pas përmes Projektligjit për Kinematografi, duke e shndërruar në një njësi brenda QKK-së.

MKRS nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com nëse i është drejtuar AKP që prona e “Kosova Filmit” t’ i kalojnë QKK-së, përkatësisht MKRS-së, deri në publikimin e artikullit.

Ndërsa, nga AKP kanë pranuar se qysh në 2018 kanë marrë një kërkesë nga MKRS e cila i ka kërkuar që të pezullohet shitja e aseteve të NSH “Kosova Filmi”.

“Më datë 26.07.2018 MKRS kishte parashtruar kërkesë në AKP duke kërkuar që të pezullohet privatizimi/shitja e aseteve të NSH Kosova Filmi. Kjo kërkesë ishte bërë edhe për faktin se ishte iniciuar plotësim-ndryshimi i Ligjit për Kinematografinë 2004/22 në të cilin përfshihet edhe Kosova Filmi. AKP e kishte marrë në konsideratë këtë kërkesë të MKRS, ndërsa tani jemi në koordinim të ngushtë me MKRS për finalizimin e këtij procesi”- thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com.

AKP thotë se është në koordinim me MKRS për çështjen e “Kosova Filmit”, siç ka bërë edhe gjatë draftimit të Projektligjit për Kinematografinë.

Sipas AKP-së, “Kosova Filmi” ka në pronësi një ndërtesë administrative dhe disa hektarë tokë në Arbëri.

“Nuk ka ndonjë vlerësim të tillë specifik. Më poshtë keni një përshkrim të aseteve në pronësi të Kosova Filmi (PRN060): Ndërtesë administrative dhe tokë (objekt i fortë) me sipërfaqe prej 3,312.28 m2. Tokë me sipërfaqe totale prej 199,456 m2 ose 19 Ha 94 ari 56 m2”- kanë thënë nga AKP.

Gani Mehmetaj, ish- drejtor i “Kosova Filmit” ka thënë për KALLXO.com se në kohën kur ai drejtonte këtë ndërmarrje vlera e pronave të saj arrinte në 30 milionë euro.

“Sipas një vlerësimi të para 10 vjetëve vlera e kësaj prone ka qenë diku 30 milionë eurove pasuri shtetërore ose të ‘Kosova Filmit’- tha ai.

Ai e kundërshton zhvlerësimin që i bëhet “Kosova Filmit” me Projektligjin për Kinematografinë duke e shndërruar në njësi të QKK-së.

“‘Kosova Filmi’ duhet mbetet institucion i pavarur kulturor në kuadër të MKRS, e veprimtaria e tij të rregullohet me ligj”- ka thënë Mehmetaj.

Me Ligjin aktual për Kinematografi, “Kosova Filmi’ është kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, ndërsa me Projektligjin e ri për Kinematografi do të jenë njësi në kuadër të QKK-së.

“Ndërmarrja Shoqërore “Kosovafilm” e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale, është njësi e posaçme në Qendrën Kinematografike të Kosovës”-thuhet në nenin 7 të Projektligji për Kinematografi. Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë, tani prite të miratohet në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës për t`u bërë ligj i zbatueshëm.

E themeluar më 1969 si ndërmarrje publike për prodhimin e filmave (prodhime kinematografike) “Kosova Filmi”, deri më tani ka realizuar dhjetëra filma artistik, dokumentarë të shkurtër.