Mjekët Mund të Punojnë Kudo

Gjykata Kushtetuese miratoi pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 41 ka të bëjë me “Parandalimin e konfliktit të Interesit”, e pikat e hedhura poshtë  nga Gjykata janë 1, 5 dhe 6.

Ky nen ishte më i debatueshmi dhe kundërshtohej kryesisht nga mjekët, sindikata e tyre  dhe një grup deputetësh, prej nga  u iniciua edhe procedura për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Parashtrues të kërkesës ishin 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës të prirë nga Dr. Shaip Muja (PDK) të cilët me 20 dhjetor 2012 iu drejtuan kësaj Gjykate.

Me vendimin e vet, Gjykata Kushtetuese pjesërisht në disa pika i ka dhënë të drejtë edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), duke kundërshtuar pretendimet e grupit të deputetëve.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës Foto: qkuk.org

Në verdiktin e shpallur, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se nenet 18,19 dhe 60 të Ligjit për Shëndetësi, të miratuar me 13 dhjetor 2012, janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Neni 18 flet për kujdesin parësor shëndetësor, ai 19 për kujdesin e dytë shëndetësor dhe neni 60 për financimin e  institucioneve të kujdesit shëndetësor.

Çfarë thonë pikat e hedhura poshtë nga Gjykata?

Pikat 1, 5 dhe 6 të nenit 41 të Ligjit për Shëndetësi që përcakton  “Parandalimin e  konfliktit të interesit” të hedhura poshtë nga Gjykata, praktikisht ua mundësojnë mjekëve të punojnë në dy sistemet-publike e private.

Pika 1 e nenit 41, hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese thotë se: “Profesionisti shëndetësor i punësuar në sektorin publik shëndetësor, me orar të plotë ose të pjesërishëm të punës, nuk ka të drejtë të punojë në institucionet private të kujdesit shëndetësor”.

Pika 5 e të njëjtit nen thotë se: “Institucionet publike shëndetësore kanë të drejtë që t’ua mundësojnë profesionistëve shëndetësorë të punësuar në to, që të ushtrojnë veprimtari private shëndetësore brenda vetë institucionit publik shëndetësor”.

Kurse pika 6 thotë se: “Veprimtaria private shëndetësore nga paragrafi 5. i këtij neni do të zbatohet në bazë të aktit të veçantë nën-ligjor të nxjerrë nga Ministria”.

Në lidhje me këtë çështje më 7 mars 2013, është mbajtur edhe seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese ku të pranishëm ishin Dr. Shaip Muja si përfaqësues i grupit nënshkrues të deputetëve, Xheladin Hoxha nga  Kuvendi i Kosovës, Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë dhe Isa Hasani nga Avokati i Popullit. 

Me 24 janar 2013, Gjykata kishte pezulluar përkohësisht edhe zbatimin e  neneve 18, 19, 41 dhe 60 të Ligjit për Shëndetësi. Por me vendimin e sotëm, pushon ky pezullim.