Misteri i mosfunksionimit të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore
Krerët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kishin folur me mburrje në nëntorin e vitit 2018 kur ishte përuruar një pjesë e fabrikës për përpunimin dhe asgjësimin e mishit të kafshëve të ngordhura dhe mbetjeve ushqimore. Ishte thënë se kjo është fabrika e parë e këtij lloji në Rajon, e ndërtuar falë një donacioni të Bashkimit Evropian përmes fondit të IPA-së.
Edhe pse kanë kaluar 43 muaj që prej kohës kur ishte finalizuar objekti administrativ dhe industrial, i financuar nga BE-ja, kjo fabrikë nuk është funksionalizuar ende pasi Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj. Ndërtimi i objektit administrativ dhe industrial ishte finalizuar me 29 dhjetor 2017 dhe ishte në kuadër të llotin e dytë që ishte financuar nga BE-ja.
Kurse në llotin e parë të këtij tenderi ishte paraparë rregullimi i infrastrukturës së jashtme përfshirë objektin për trajtimin e ujërave të zeza që është financuar nga Qeveria e Kosovës.
Para funksionalizimit të plotë, Qeveria e Kosovës ka qenë e obliguar që të miratojë aktet ligjore për rregullim të operimit të kësaj fabrike si dhe të vendos për mënyrën e operimit të saj: si shërbim publik, privat apo ndonjë formë e përzier e partneritetit publiko-privat.
Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer këto obligime dhe për rrjedhojë kjo fabrikë nuk është funksionale.
KALLXO.com ka kontaktuar zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si donatorë të pjesshëm të projektit për mosfunksionalizimin e kësaj fabrike. Ata kanë thënë se i kanë kryer obligimet e tyre.
“Punët ndërtimore lidhur me objektin administrativ dhe industrial janë kryer dhe certifikata e pranim-dorëzimit ishte nënshkruar me 29 dhjetor 2017”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.
Por, Zyra e BE-së ka thënë se duhen edhe disa parakushte për të funksionalizuar këtë fabrikë, e të cilat janë obligime të qeverisë së Kosovës.
“Disa punë infrastrukturore lidhur me lotin 1 nuk janë kryer ende, për shembull, rezervuari i gazit dhe infrastruktura e gypit të tij. Gjithashtu nevojitet testimi dhe miratimi i duhur për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Impianti për trajtimin e mbetjeve organike do të jetë funksional pasi të plotësohen parakushtet për operim dhe mirëmbajtje të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Zyra e BE-së ka shpjeguar se pjesët që janë financuar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të llotin 1 kanë qenë: infrastruktura e jashtme përfshirë objektin për trajtimin e ujërave të zeza si dhe furnizimin me pajisje në impianti për trajtimin e mbetjeve organike.
Në vitin 2018 ishte thënë se ky projekt është fituar nga Komisioni Evropian dhe ka kosto financiare prej 7.7 milionë euro. Sipas deklaratës së AUV, 5.7 milionë do të jepen nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA, kurse 2 milionë tjera nga Qeveria e Kosovës.
KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Qeveria e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë nëse në ndërkohë ka pësuar ndryshim mënyra e financimit të këtij projekti, duke përshirë shumën e saktë të mjeteve që kanë investuar palët (BE-ja dhe Qeveria e Kosovës) në këtë projekt, por deri në publikim të artikullit asnjëra palë nuk është përgjigjur.
KALLXO.com nuk ka marr përgjigje as në sqarimet e kërkuara nga Qeveria e Kosovës për arsyet e zvarritjes së punëve të projektit që janë financuar nga Qeveria e Kosovës.
Por, përgjigje kanë dhënë edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si bashkëfinancuese e këtij projekti. Ata e kanë pranuar se lloti i parë që ishte financuar nga Qeveria e Kosovës ende nuk është finalizuar.
Në përgjigje, AUV-ja ka thënë se Impianti i ujërave të zeza është i vendosur në fabrikë, por testimi i tij duhet të realizohet.
“Pranimi final i Lot2 të ndërtimit është realizuar në Nëntor 2020 kurse pranimi final për Lot1të ndërtimit do të realizohet pas testimit të impiantit të ujërave të zeza përbrenda fabrikës. Ndërsa, furnizimi dhe instalimi i pajisjeve është kryer dhe pranuar nga komisionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AUV-ës.
AUV-ja ka treguar se ende nuk ka një vendim për mënyrën e operimit të kësaj fabrike, pra nëse do të jetë publike, private apo partneritet Publiko-Privat.
“Për ta vënë në funksion këtë fabrikë, AUV është këshilluar me Ministrinë e Financave për të gjetur modalitetin më të mirë (PPP, koncesion, tenderim…) dhe për të shqyrtuar bazën ligjore me të cilën do të përzgjidhej mënyra e operimit. Nga Ministria na u rekomandua të hartohet një studim fizibiliteti për të vlerësuar se sa do të ishte atraktive e tërë veprimtaria e trajtimit të nënprodukteve shtazore dhe pastaj të zgjidhet mundësia e operimit”, thuhet më tej në përgjigjen e AUV.
Studimi i Fizibilitetit ende nuk ka nisur dhe AUV-ja nuk ka ende një kosto sa mund t’i kushtojë. Ata po mendojnë të kërkojnë ndihmën e BE-së.
“Studimi i fizibilitetit nuk është realizuar dhe ende nuk kemi parallogarite se sa mund të kushtojë një fizibilitet i tillë, prandaj AUV është duke i pare mundësitë të asistohet nga TAIEX apo nga donatorë tjerë”, thuhet në përgjigjen e AUV.
Edhe pse nga zyra e BE-së kanë thënë për KALLXO.com se Kosova nuk e ka përmbushur kushtin që të ketë një rezervuar të gazit. Nga AUV kanë thënë që ky rezervuar nuk ka qenë i paraparë në projektet teknike të hartuara nga inxhinierët e kontraktuar nga BE-së.
“Rezervuari i gazit nuk ka qenë i paraparë në projektet teknike të hartuara nga inxhinierët e kontraktuar nga BE, dhe vetëm pas vendosjes së pajisjeve, nga kompania kontraktuese na u është rekomanduar për vendosje të një rezervuari të mjaftueshëm për operim të fabrikës”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.
Gjithashtu AUV ka thënë për KALLXO.com se deri në fund të vitit pritet të aprovohen dy akte ligjore të cilat e rregullojnë trajtimin e nënprodukteve shtazore.
“Aktet normative të cilat e rregullojnë trajtimin e nënprodukteve shtazore janë në finalizim e sipër dhe deri në fund të vitit pritet aprovimi i dy akteve të rëndësishme të cilat e rregullojnë këtë fushë”, përfundon përgjigja e AUV.
Kosova bëhet me fabrikë për përpunimin e mbetjeve organike të kafshëve