Ministritë që pësuan ndryshime emrash e funksionesh sa herë ndërruan qeveritë

Me ndërrimin e qeverive të Kosovës ndër vite ndryshime kanë pësuar emërtimet e ministrive përkatëse dhe struktura e përgjithshme e ekzekutivit.

Varësisht prej vendimeve të partive politike e koalicioneve që merrnin miratimin për të qeverisur vendin, ka ndërruar edhe numri i ministrive që i shtoheshin dikastereve qeveritare.

Me kohën ministritë ndryshuan emërtim, shumë prej tyre u shtuan, disa u fuzionuan, por pati dhe prej tyre që u shuan në tërësi.

Që kur janë mbajtur zgjedhjet e para pas luftës më 2001-n, Kosova ka pasur 7 kryeministra [kryeministri i 8-të aktualisht – Avdullah Hoti], përderisa asnjëra nga qeveritë e kaluara nuk ka arritur ta çojë mandatin deri në fund.

Ministritë në qeverinë e parë me Bajram Rexhepin [Bajram Rexhepi ka vdekur në vitin 2017], kryeministër atë kohë nga Partia Demokratike e Kosovës, kishin emërtime specifike për fusha të ndryshme udhëheqëse, disa prej të cilave nuk kanë ndërruar emërtimin as në ditët e sotme.

Në udhëheqjen e Rexhepit nga viti 2002-2004, dikasteret qeveritare kishin këto emërtime: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ajo e Transportit dhe Komunikimit, e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Shërbimeve Publike, e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e Shëndetësisë, e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministritë pësuan ndryshime në emërtime edhe në Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në vitet 2004-2005.

Atë kohë, kabineti qeveritar i tij përbëhej nga këto ministri: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, e Ekonomisë dhe Financave, e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, ajo e Shërbimeve Publike, Ministria e Transportit dhe Postëtelekomit,  e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Energjetikës, e  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Pas Haradinajt, u formua Qeveria me kryeministër  Bajram Kosumin, i cili shërbeu në vitet 2005-2006.

Kabinetin i tij qeveritar nuk ka ndryshuar nga i mëparshmi, përveçse ishin ndërruar dy  ministra  në Ministrinë për Mjedis dhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Pas Kosumit, për afro 2 vjet Qeveria e Kosovës u drejtua nga Agim Çeku (2006-2008).

Në ekzekutivin e udhëhequr nga Çeku nuk ishin ndërruar ministritë paraprake e as ministrat, por se ishin shtuar dy ministri të reja, Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.

Ndryshimi i vetëm në kabinetin e tij, ishte pozita e zëvëndëskryeministrit, të cilin e kishte marrë ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri.

Pas Qeverisë Çeku, ekzekutivi i Kosovës është udhëhequr në dy mandate nga Hashim Thaçi, atë kohë kryetar i PDK-së, tash presidenti vendit. Nën qeverisjen e tij, si dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishin shtuar disa ministri, si ajo e Integrimit Evropian.

Qeveritë e Thaçit nga viti 2008, deri më 2014 kishte dikasteret me këto emërtime si: Ministria e Drejtësisë, e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Jashtme, ajo e Integrimeve Evropiane, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ajo e Punëve të Brendshme, e Financave, e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ajo e Administratës Publike, e  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete.

Pas udhëheqjes së Thaçit, në vitet 2014-2017 Qeveria e Kosovës u drejtua nga Isa Mustafa i LDK-së.

Me Mustafën kryeministër, kabineti qeveritar përbëhej nga këto dikastere: Ministria e Punëve të Jashtme, ajo Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Administratës publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e Arsimit, Shkencës dhe  Teknologjisë, e Drejtësisë, Ministria e Financave, ajo e Integrimit Evropian, ajo  e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Shëndetësisë, Ministria  e Infrastrukturës,  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Atë kohë Edita Tahiri ishte Ministre pa Portofol, si dhe kjo qeveri kishte edhe Ministrinë e Diasporës.

Pas Mustafës, në qeverisje qendrore ishte kthyer për herë të dytë, Ramush Haradinaj i AAK-së. Qeveria e Haradinajt (2017-2020) ishte një prej qeverive me numrin më të madh të ministrive si dhe me mbi 80 zëvendësministra.

Qeveria Haradinaj, Grafika: KALLXO.com

Kabineti qeveritar i tij kishte 21 ministri dhe pesë zëvëndëskryeministra. Një prej ministrive të reja të formuara rishtazi në atë kohë ishte Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Dikasteret qeveritare në atë kohë ishin: Ministria e Financave, ajo e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, ajo e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Infrastrukturës, Ministra e FSK-së, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e  Mjedisit dhe Planidikimit Hapësinor, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ajo e Diasporës, e Pushtetit Lokal, Ministria për Kthim dhe Komunitete, e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ajo e Administratës Publike dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka udhëhequr qeverinë me 15 ministri, dhe vetëm për katër muaj, nga 3 shkurti i vitit 2020 deri më 3 qershor të po këtij viti.

Në Qeverinë Kurti ishte bërë fuzionimi i disa ministrive, për të zvogëluar numrin e tyre. Ndërkaq emërtimi më i gjatë i një ministrie, ishte në këtë qeveri me Minsitrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Kabineti qeveritar i Kurtit kishte këto dikastere: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Financave dhe Transfereve, Minstria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Ministria e Shëndetësisë, ajo e Integrimit Evropian, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e  Infrastrukturës dhe Ambientit, ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovaacionit.

Qeveria me kryeministër Albin Kurtin kishte dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, dhe atë për Zhvillim Rajonal.

Ndërkaq, qeveria aktuale e vendit me kryeministër Avdullah Hotin që u formua nga Kuvendi i Kosovës më 3 qershor 2020, përbëhet nga 16 ministri dhe katër zëvendëskryeminstra.

Qeveria Hoti e ka shuar Ministrinë  e Integrimit Evropian, përderisa me çështjen e interimeve kanë njoftuar se do të merren nga Zyra e Kryeministrit.

Ekzekutivi aktual përbëhet nga këto dikastere qeveritare: Ministria e Administrimit të  Pushtetit Lokal, ajo e Financave, ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ajo e Mbrojtjes, Ministria e e Punëve të Brendshme, Ministria e Infrastrukturës, ajo e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, ajo e Ekonomisë dhe Ambientit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Mirëqeniës Sociale, ajo e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria për Kthim dhe Komunitete, dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.