Ministria që i ka 159 milionë euro borxh tek qytetarët

Shteti ia ka borxh 159 milionë euro qytetarëve. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që është e ngarkuar për shpronësimin e pronave private për realizimin e projekteve të ndryshme i ka borxh qytetarëve të Kosovës mbi 159 milionë euro.

Auditori ka gjetur se përkundër që ishin lëshuar vendimet përfundimtare për shpronësim, ministria ende nuk i kishte kryer obligimet ndaj qytetarëve për shpronësim.

E vlera e obligimeve të pashlyera në fund të vitit 2018 ishte 159 milionë 384 mijë e 567 euro.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë kishte probleme edhe me shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve që i kishte kontraktuar.

“Pasqyra e obligimeve të papaguara ndaj furnitorëve dhe qytetarëve për shpronësime në fund të vitit 2018 ishte 161,769,076€. Në këto obligime përfshihen: Vendimet përfundimtare të shpronësimit në vlerë 159,384,567€, obligime për investime kapitale në vlerë 2,206,432€, dhe obligime për mallra dhe shërbime si dhe komunali 178,077€. Këto obligime janë bartur për t’u paguar në vitin 2019”, përmend Auditori.

E gjetura e raportit thotë se mostrat e testuar tregojnë se pagesa nuk ishin kryer brenda afatit ligjore

“Nga lista e obligimeve të shpalosura në PFV, ne kemi testuar 19 mostra, dhe nga testimi ka rezultuar se 6 fatura me vlerë të përbashkët 125,995€ nuk ishin paguar brenda afatit të paraparë ligjor. Po ashtu, nga testimi i 25 pagesave për mallra dhe shërbime, të kryera përgjatë vitit, ne kemi vërejtur se në 4 fatura me vlerë të përbashkët prej 15,629€ janë paguar pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.”, thotë e gjetura e raportit.

Mos kryerja e obligimeve me kohë dhe me rregulloren e Thesari rrezikon që borxhet të rriten. Për më tepër kjo ministri probleme të ngjashme kishte edhe në vitet e kaluara.

Përkundër që ishte regjistruar ky borxh, Auditori thotë se ministrisë i kishin tepruar mjete të ndara për shpronësim. Në vitin 2018-të, Ministria nuk i kishte shpenzuar 21 milionë e 32 mijë e 332 euro për çështje të shpronësimit apo 99 për qind të mjeteve.

Auditori thotë se sfidë për ministrinë vazhdon të jetë shpronësimi, për realizimin e projekteve. Sistemi elektronik i shpronësimit që nga vitet e kaluara nuk është funksionalizuar, gjithashtu janë evidentuar edhe mangësi në ekzekutimin e pagesave.

Auditori gjen se ky dikaster nuk kishte përdorur fare Sistemin Elektronik të Shpronësimit (SESh) dhe regjistrimi i të dhënave vazhdon të mbahet me Excel.

Mos përdorimi i sistemit sipas Auditorit dëmton kualitetin dhe sigurinë e të dhënave si dhe mund ndryshimit të evidencave në Excel pa lënë gjurmë të Auditimi të cilat mund të jetë subjekt i ndryshimeve të pa autorizuara. Pagesa përmes vendimeve gjyqësor ishin realizuar 2.3 milionë euro pasi pronarët e tokave nuk ishin të kënaqur me çmimin dhe e paditën Ministrinë.

“Përmes vendimeve gjyqësore për shpronësime në vitin 2018 ishin ekzekutuar pagesa direkte nga Thesari në vlerë 2,377,885€. Kjo, për shkak se pronarët kanë marrë pagesën e rregullt të shpronësimit, por si të pa kënaqur me çmimin, kanë ngrit padi ndaj MMPH-së dhe kanë realizuar ndryshimin e çmimit përmes vendimeve gjyqësore. Në disa raste kur pala fiton kontestin, aktvendimin nuk e sjell për pagesë në MMPH, por e dërgon direkt te përmbaruesi. Kjo shkakton shpenzime shtesë për procedura përmbarimore. Për dhjetë (10) raste të testuara të këtyre pagesave, MMPH ka paguar 61,977€ shpenzime shtesë për procedura të përmbarimit dhe shpenzime tjera administrative”, gjen Auditori.

Kur një gjykatë nxjerrë një vendim për kompensim monetar atëherë ajo duhet të kryhet në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Auditori tregon se  kishte mosbashkëpunim në mes të gjykatave, avokatit shtetëror dhe ministrisë. Gjithashtu Auditori ka evidentuar se për shkak të buxhetit nuk janë realizuar pagesa për shpronësimet prej vitesh në disa komuna.

Sipas raportit, ekzekutimi i pagesave nga Thesari pa e njoftuar paraprakisht Ministrinë rrezikon që dy herë dhe moskryerja e pagesave me kohë ka shkaktuar shpenzime shtesë dhe duke dëmtuar buxhetin.

Ministrit iu rekomandua të rritet  bashkëpunimi në mes institucioneve për t’iu shmangur procedurave të përmbaruesve

“Ministri duhet të siguroj se janë analizuar shkaqet e gjetjeve të prezantuara më lartë. Në bashkëpunim me Avokaturën Shtetërore dhe Gjykatat, duhet të sigurohet që ministria e pranon një kopje të aktvendimeve, në mënyrë që obligimet nga këto aktvendime kryhen me kohë, për t’iu shmangur shpenzimeve shtesë të mundshme si rezultat i procedurave përmbarimore. Po ashtu, për të shmangur shpenzimet tjera shtesë, duhet të diskutohet edhe me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për të siguruar fonde shtesë për kryerjen e obligimeve me kohë për shpronësime. “, rekomandon Auditori.

Përves kësaj Ministria pagesat për shpronësime nuk ishin regjistruar në kodet adekuate, gjithashtu kishte mangësi në procesimin e pagesave, vonesa në inventarizimin e pasurisë,

Injorimi i rekomandimeve të auditorit

Kjo ministri, sipas Auditorit në vitin 2018 kishte probleme që ishin të pranishme edhe në vitet paraprake por që nuk ishin zgjidhur përkundër rekomandimeve që kishte marrë nga Auditori i Përgjithshëm.

Përgjatë viteve 2014-2018, raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH) kanë rezultuar me gjithsej 92 rekomandime. Këto rekomandime janë dhënë në lidhje me mangësitë dhe të gjeturat e evidentuara në punën e këtij institucioni. Numër më i madh i rekomandimeve është dhënë në vitin 2015-të me gjithsej 21 sosh. Mesatarja e rekomandimeve për vit i bie në 18 rekomandimeve për vit.

Në 75 rekomandimet e dhëna për periudhën 2014-2017, Ministria e MMPH ka arritur t’i adresoj plotësisht 30 rekomandim apo 40 për qind prej tyre, pjesërisht i ka zbatuar 23 rekomandime si dhe rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar fare bëjnë pjesë me rreth 29.3 për qind apo 22 rekomandime.

Dikasteri qeveritar i mjedisit në vend, iu është nënshtruar auditimit të rregullt vjetor të Pasqyrave Vjetore Financiare nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), për vitin 2018-të.

Në raportin 39 faqesh të auditimit për MMPH-ën për vitin 2018, Auditori i Përgjithshëm evidentoi gjithsej 17 gjetje për të cilat dha rekomandime. Dobësi dhe shkelje ka gjetur në planifikimin e buxhetit, pagat dhe mëditje për të punësuarit, mangësi në prokurimin shpronësim.

Në opinion e pa modifikuar të ZKA-së thuhet se këto pasqyra paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtet, por me theksim të çështjes në shpalosjen e pasurisë.

“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se regjistrat e pasurive dhe shpalosja e obligimeve të papaguara, dhe llogarive të arkëtueshme nuk janë plotësisht të besueshme dhe të sakta. Përveç kësaj, janë identifikuar pagesa të parregullta të shpenzimeve në kategorinë e pagave dhe mëditjeve në vlerë prej 126,242 euro”, thuhet në opinionin e pa modifikuar të ZKA-së.

Mangësitë me ekzekutimin e buxhetit

Ministria e Mjedisit assesi t’i evitoj probleme që po e shoqërojnë në realizimin e buxhetit. Probleme në realizimin e buxhetit kishte në vitin 2016-të e që u përcoll edhe në 2017-ën. Në vitin 2017-të, me buxhetin fillestare ishin paraparë të realizohen 80 projekte kapitale, përderisa me rishikim të buxhetit ishin anuluar 19 projekte. Problemet me ekzekutim të buxhetit vazhdojnë edhe në vitin 2018-të.

Ministria ka bërë shumë shkurtime dhe përshtatje buxhetore në anën tjetër kanë mbetur obligime mbi 2.2 milionë euro.

“Realizimi i buxhetit për investimet kapitale mbetet sfida kryesore me të cilën përballet MMPH. Edhe pse shpenzimi vjetor në raport me buxhetin final ishte 86% nuk mund të themi se është tregues i performancës së mirë. Fillimisht janë bërë shumë përshtatje/shkurtime gjatë vitit, derisa në anën tjetër obligimet e mbetura në fund të vitit në ketë kategori ishin shumë të larta (2,206,432€, pa përfshirë obligimet për shpronësimin e pronave/tokave)”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Më tej përmendet se nga 77 projekte kishin vonesa, disa prej tyre ishin vazhdim nga vitet e kaluar dhe 31 projekte të reja kishin vonesa të dukshme. Auditorit ka thënë se kishte vonesa në procedura të prokurimit, por edhe vonesa të shkaktuara për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) të cilët kanë pas pretendime se ministria kishte bërë shkelje ligjore.

Paga për të papunët, pabarazi për të punësuarit

Sipas Auditori kjo rrezikon me shfrytëzim jo efikas të fondeve dhe më pak projekte të realizuara.

Ministria iu rekomandua të sigurohet se hartimit të buxhetit i paraprinë një analizë e detajuar dhe eliminohen barrierat.

“Ministri duhet të siguroj që hartimi i buxhetit është mbështetur mbi një analizë të detajuar të të gjithë faktorëve që ndikojnë në ekzekutimin e tij, për të shmangur diferencat në mes planifikimit dhe shpenzimeve. Ministri, gjithashtu, duhet të sigurohet se janë eliminuar të gjitha barrierat lidhur me ekzekutimin e projekteve, si dhe të inicioj me kohë procedurat e prokurimit”, thuhet në rekomandim e Auditorit të dhënë në raportin për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur parregullsi edhe në mënyrën e pagesës së punëtorëve nga kjo ministri. Ky problem ishte i vazhdueshëm dhe asnjëherë nuk është adresuar nga ministri dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministri. Në katër vitet e mëparshme 2014 deri 2017, Ministria kishte aplikuar pagesa dhe koeficiente të ndryshëm për punëtorët që mbanin pozita të njëjta.

Auditori nëpër vite kishte gjetur se kjo ministri kishte mungesë të dëshmive për vijimin në punë të punësuarve, kishte caktuar ushtrues detyre që kishin qëndruar pa vendim për vendin e punës përtej afatit ligjor, e të tjera parregullsi që u evidentuan nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Për t’u qartësuar tutje, në raportin e vitit 2015-të thuhet se Ministria kishte angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta më shumë se tre muaj. Madje rekomandimet për rastet e pozitave me ushtrues detyre dhe mos plotësimi i vendeve të rregullta të punë me proces rekrutimi u mbyllën si të pa zbatuara. Përveç kësaj, këto probleme vazhduan edhe në vitin 2018-të.

Në raportin e ZKA-së, thuhet se me vendim të Qeverisë nr.06/39 i datës 22.07.2015, të bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” e cila ka vepruar në komunat veriore të vendit, ministria ka qenë e obliguar t’i sistemoj punëtorë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ministria kishte integruar 38 nëpunës të këtij komunitetit.

“Bazuar në ketë, në MMPH pas një procesi të rekrutimit, me akt emërime ishin integruar 38 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komuna në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në akt emërimet e tyre, të punësuarve u është caktuar vetëm pozita, e jo edhe vendi i punës”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori gjen se pjesa dërmuese nuk kishin punuar fare por pagat u paguan.

“Ne kemi vërejtur se për 29 nga 38 zyrtarët e lartcekur, ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018 për këta 29 zyrtarë ishte 126,242€“, thuhet në raport.

Pagesat e pagave pa u angazhuar fare në punë, Auditori i vlerëson si pagesa të parregullta dhe e dëmtojnë buxhetin e vendit.

Ministri të këtij dikasteri iu rekomandua se duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem ta diskutoj edhe në Qeveri, duke qenë se ky problem është i përhapur edhe në ministritë tjera.

Kuptimi i fjalisë, pagë e njëjtë për punën e njëjtë si duket nuk e ka kuptim në këtë dikaster Qeveritarë. Ngjashëm si vitet më parë edhe në 2018-ën, Ministria bëri diskriminim tek punëtoret sa i përket koeficientit të pagës për punën e njëjtë.

Auditori thotë se në MMPH nuk janë paguar paga të njëjta për punëtorët që mbajnë pozitat e njëjta.

“Gjatë krahasimit të dhënave për të punësuarit në MMPH dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) për muajin dhjetor, kemi identifikuar se në nëntë raste ishin aplikuar kompensime me koeficientë të ndryshëm për pozita të njëjta. Kjo kishte ndodhur pjesërisht si rezultat i punësimit të mëhershëm të zyrtarëve me kualifikime të ndryshme, në pozitat e njëjta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Pika 2 e nenit 3 e Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil thotë se Institucionet e Administratës Publike të Republikës së Kosovës janë të detyruara të paguajnë pagë të njëjtë me vlerë të njëjtë për punë të njëjtë.

Mos harmonizimi i koeficienteve dhe pagesave të zyrtarëve për pozitat e njëjta, Auditori vlerëson se ndikon në cilësinë e punëve të kryera nga zyrtarët përkatës dhe dëmtim të buxhetit.

Kreut të Ministrisë iu rekomandua që të sigurohet që pagesat e njëjta të  bëhen për punën e njëjtë.

“Ministri duhet të siguroj që pagesa e zyrtarëve bëhet sipas përshkrimit të detyrave të punës, duke shmangur mundësinë e pagesave të ndryshme për pozitat e njëjta”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Ministria gjithashtu ka vazhduar me avazin e vjetër sa i përket angazhimit të punonjësve për shërbime të veçanta. Në vitin që shkoi ishin angazhuar 148 punonjës, ku në 3 raste ishin tejkaluar afatet ligjore, në 13 raste ishin angazhuar për kryerjen e punëve të pozitave të rregullta, ndërsa 67 persona ishin punësuar pa procedura të rekrutimit.

Siç u tha edhe në fillim, kjo nuk kishte ndodhur vetëm në vitin 2018-të. MMPH gjatë katër viteve të fundit, kishte aplikuar pagesa dhe koeficient të ndryshëm për pozita të njëjta, kishte mungesë të dëshmive për vijimin në punë të të punësuarve, ushtrim të detyrës përtej afatit ligjor, e të tjera parregullsi që u evidentuan nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Gjithashtu në 2018-ën Auditori evidentoi se Ministria kishte mbuluar shpenzimet e udhëtimit për personat që nuk ishin pjesë e stafit të Ministrisë.

“Nga testimet tona kemi vërejtur se me datën 16.05.2018 Ministrja kishte marrë vendim për përkrahje financiare – mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit (bileta aeroplani) në vlerë financiare prej 7,144€ për 14 persona për pjesëmarrje në ‘’Ekspozitën e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut”. Personat në fjalë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në ketë ngjarje”, thuhet në të gjeturën e raportit të Auditorit.

Auditori tregon se sipas UA 2004/07, neni 2, udhëtimet zyrtare janë ato lëvizje të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil.

Raporti vlerëson se shpenzimi i mjeteve financiare për personat që nuk janë pjesë e ministrisë dhe pa përfitime për ministrinë, si dhe mos arsyetimi i mjeteve të shpenzuara, tregon menaxhim jo adekuat të financave publike, dhe shpenzimet si të tilla, mund të konsiderohen shpenzime të parregullta.

Ministrit iu rekomandua që çdo shpenzim nga buxheti të dokumentohet sipas rregulloreve financiare.

“Ministri duhet të siguroj se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i ministrisë bëhet për financimin e aktiviteteve të ministrisë, është i dokumentuar dhe është në përputhje me rregulloret financiare”, rekomandon Auditori.

Probleme e vazhdueshme me prokurim

Në vitet e kaluara, në fushën e prokurimit, Ministria kishte “fshehur” prokurimet, nuk kishte marrë pjesë në prokurimet e projekteve gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në procese të prokurimi për katër projekte në vlerë mbi 1.5 milionë euro për të cilat ishte bashkëfinancuese.

Shkelje e dobësi kishte gjatë viteve 2014 e deri në vitin 2017. Përkundër shumë rekomandimeve, telashet në prokurim kishin vazhduar edhe vitin e kaluar. Në fushën e prokurimit në 2018-ën, problemet filluan qysh në planifikimin e projekteve, procedurat e prokurimit kanë vazhduar edhe në vitin 2018-të. Ministria nuk kishte arritur t’i realizoj vetëm gjysmën e projekteve kapitale

“Në planin e prokurimit për vitin 2018 MMPH kishte paraparë prokurimin e 44 projekteve kapitale me vlerë të përbashkët prej 23,018,682€. Deri në fund të vitit, kishte arritur t’i realizojë vetëm 24 prokurime me vlerë financiare 4,492,279€.”, thuhet në të gjeturën e raportit të Auditorit.

Përmes raportit merret vesh se arsyet për mosrealizimin e projekteve përfshijnë: mungesën e projekteve të detajuara, vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit në raport me planin në mungesë të specifikimeve teknike të projekteve, anulime të proceseve të prokurimit si dhe vonesa në nënshkrim të kontratave si pasojë e procedurave të ankesave dhe kontesteve në OSHP.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) jo më pak se tridhjetë (30) ditë para fillimit të çdo viti fiskal, secili autoritet kontraktues duhet të përgatisë, planifikimin paraprak të prokurimit, në të cilin identifikohen me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët, që autoriteti kontraktues (AK) parasheh t’i prokuroj gjatë vitit fiskal në fjalë.

Mos realizimi i procedurave të prokurimit me kohë, Auditori vlerëson se e rrezikon realizimin e projekteve kapitale sipas planit të paraparë dhe zvogëlon mundësinë e përmbushjes së objektivave vjetore të ministrisë.

Ministrit iu rekomandua që me rastin e planifikimit të prokurimit të merren parasysh të gjithë faktorët të cilët mund të ndikojnë.

“Ministri duhet të siguroj se me rastin përgatitjes së planit vjetor të prokurimit, të merren parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në realizimin e planit, si: zgjidhja e kontesteve pronësore, përgatitja e projekteve ekzekutive, inicimi me kohë i procedurave të prokurimit, formimi i komisioneve të vlerësimit me përvojën dhe ekspertizën e duhur, etj“, rekomandon Auditori.

Raporti përmend se kishte planifikim jo të mirë buxhetit dhe fillimi i projekteve pas sigurimin e parakushteve për implementim.

Për projekti “Rehabilitimi i Ujësjellësit dhe rritja e kapacitetit të ujit për 9 fshatrat e Kaçanikut”, ministria fillimisht kishte paraparë një buxhet fillestar prej 400 mijë euro. Por, pas përfundimit të procedurave të prokurimit, ministria kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 948 mijë e 36 euro.

Për këtë projekt ministria më vonë kishte nënshkruar edhe aneks-kontratë në vlerë prej 92 mijë eurove. Këtu nuk kishin përfunduar shpenzimet për këtë projekt, pasi ministria e kishte nënshkruar edhe një kontratë të re për vazhdim të punimeve në vlerë prej 178 mijë euro. Në total, ministria kishte shpenzuar 1,2 milionë euro për këtë projekt, që në fillim kishte planifikuar të shpenzonte vetëm 400 mijë euro.

Probleme janë evidentuar edhe në projektin “Ndërtimi i gypsjellësit nga Shipoli (Mitrovicë) në Tërnovc (Skënderaj)” , “Ndërtimi i 7 Laurave në territorin e Kosovës për fuqizimin dhe menaxhimin e parqeve kombëtare Mali Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna”  dhe projekte tjera të përmendura nga raporti.

Inicimi i procedurave përtej mjeteve  të aprovuara rrezikon implementimin e projektet sipas planifikimit dhe krijon kosto shtesë.

Për dallim nga vitet e kaluara ku Ministria përzgjodhi procedura të prokurimit duke e eliminuar konkurrencën, në vitin 2018-të ajo shpërblej kompani që kishin borxhe të pashlyera tatimore, në kundërshtim me ligjin.

“Ne kemi vërejtur se gjatë procesit të prokurimit për projektin “Ndërtimi i 7 laurave në dy Parqet Kombëtare, Bjeshkët e Nemuna dhe Sharr “, kontratën në vlerë 334,649€, e kishte fituar një grup i OE. Mirëpo, gjatë vlerësimit të ofertave nuk ishin respektuar rregullat e përmendura më lartë, meqenëse njeri nga anëtarët e grupit kishte sjellë vërtetimin tatimor ku thuhej se personi ka obligime tatimore të pa shlyera. Përkundër kësaj, grupi në fjalë është shpërblyer me kontratë”, gjen auditori.

Auditori tregon se ky tender i iniciuar nga Ministria e Mjedisit është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe kërkesat në dosjen e tenderit. Kjo kishte ndodhur nga papërgjegjësia e anëtarëve të komisionit dhe Ministrit iu rekomandua që të rris përgjegjësin tek komisionet vlerësuese të ofertave që tenderët t’i fitojnë operatorët meritorë dhe të përgjegjshëm.

Por këto probleme nuk janë risi e viti 2018-të. Që nga viti 2014-të, Zyra kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në procedurat e prokurimit. Ministria nuk kishte aplikuar procedura të hapura të prokurimit në vitin 2015-të, pastaj në vitin 2016-të pranimi i mallrave nuk ishte bërë në harmoni me specifikacionin.

Mangësi në punën e Komitetit të Auditimit

Si në vitin 2017-të edhe në 2018-ën nuk ishin realizuar 4 takime të komitetit të auditimit siç e parasheh udhëzimi administrativ, gjithashtu nga takimet e mbajtura, procesverbalet tregojnë se këto takime ishin shumë të përgjithësuar.

“Sipas rregullave për funksionimin e Komitetit të Auditimit (KA), kërkohet që Komiteti i Auditimit ti mbajë së paku katër (4) takime të rregullta gjatë vitit. Ne kemi vërejtur se gjatë vitit 2018, KA kishte mbajtur vetëm tri takime pune. Nga procesverbalet e takimeve vërehet se është shqyrtuar puna e NjAB, mirëpo procesverbalet e takimeve janë të përgjithësuara. Komiteti i Auditimit ende nuk e ka hartuar statutin e saj që kërkon UA 11/2010 neni 4, pika 1.14 për themelimin dhe funksionimin e KA në subjektet e sektorit“, thotë raporti i Auditorit për vitin 2018.

Auditori i rekomandoi rishikoj mënyrën e vazhdueshme dhe planet e punës dhe raportet e auditimit.

“Ministri duhet të siguroj që Komitetit i Auditimit do të miratoj statutin e punës të KA dhe do t’i rishikoj në mënyrë të vazhdueshme planet e punës dhe raportet e auditimit të brendshëm dhe do të sugjeroj menaxhmentit marrjen e masave dhe veprimeve në lidhje me rekomandimet e dhëna nga auditimi. “, rekomandon Auditori.

Lidhur me të gjetura dhe rekomandimeve e raportit, Ministria nuk ishte pajtuar në disa raste nuk ishte pajtuara, në disa të tjera pjesërisht ishte pajtuar duke komentuar dhe arsyetuar çështjen por kjo nuk ka ndikuar në raportin, pasi sipas Auditorit të gjetura dhe rekomandimet kanë mbetur të pa ndryshuara

Ministria e Mjedisit, dobësi në prokurim e punësime