Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Ministria e Punëve të Brendshme shtyen aktivitetet me të rikthyerit nga luftërat e huaja

110 kosovarë në mesin e tyre 74 fëmijë, 32 gra, e të tjerët burra janë rikthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Një sërë aktivitetesh deri më tani janë mbajtur për fëmijët të cilët janë rikthyer nga vatrat e luftës.

Këto aktivitete janë përcjellur edhe nga ana e Gazeta ‘Jeta në Kosovë’. Tani fëmijët të cilët pritej që të zhvillonin aktivitete të tjera, janë mbyllur në shtëpi.

Që nga dita e premte e javës së kaluar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, janë marrë një sërë vendimesh edhe ajo e ndalimit të tubimeve dhe mbajtjen e aktiviteteve të ndryshme.

Kjo vlenë edhe për aktivitetet të cilat i kishte paraparë t’i mbajë Ministria e Punëve të Brendshme për fëmijët që janë rikthyer nga luftërat e huaja.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën ‘Jeta në Kosovë’, Drejtori i Departamentit për trajtimin e të rikthyerve brenda Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti.

Sipas Hotit, të gjitha aktivitetet të cilat kanë qenë të parapara në këtë kohë që të mbahen janë shtyrë në një periudhë të pacaktuar.

Gazeta ‘Jeta në Kosovë’ ka kërkuar nga ana e Hotit të dijë edhe për aktivitetet të cilat kanë qenë të parapara të mbahen në këtë periudhë por që ende nuk ka përgjigje në lidhje me këtë rast.

74 fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës, në shtatorin e vitit të kaluar kishin filluar edhe shkollimin.

Nëntë nga fëmijët që janë rikthyer sipas statistikave janë pa dy prindërit dhe kujdesin për ta e kanë marrë gjyëshërit apo edhe familjarë të tjerë.

Në ambientet e parkut të “Gërmisë”, te këndi i lojërave në Millenium në Ferizaj, e natyra e “Vali Ranch” në Gjilan ishin vendet të cilat u zhvilluan aktivitete të shumëta me fëmijët e rikthyer.

Takimi me realitetin, larg tankeve, armëve e thirrjeve për bashkim në grupet terroriste që funksiononin në Siri e Irak, fëmijët filluan të mësonin se ka një jetë tjetër pas asaj që kishin jetuar.

Hapësirat e gjelbëruara, habia se në vend të armëve mund të përdornin lodëra të posaçshme për moshën e tyre bënë që fëmijët të i gëzoheshin rikthimit në vendin e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme ishte përkujdesur që fëmijët që do të fillonin mësimin në nivele të ndryshme, të regjistroheshin në shkolla, ani pse ata që nga ardhja kishin pasur fare dokumentacione.

Një pjesë e madhe e fëmijëve kishin lindur në Siri e Irak por kjo nuk i ndaloi institucionet e Kosovës që pas rikthimit, të i sistemonin fëmijët në klasat e nevojshme.

Në Prishtinë, ekipi i KALLXO.com takon nëntë nxënës të moshave të ndryshme të cilët po ndiqnin intensivisht mësimin për të iu bashkangjitur më vonë shokëve të klasave të ndryshme.

Në të njëjtën shkollë mësimet zhvilloheshin për fëmijët nga mosha 9 deri në 14 vjeç.

Nga gjithsej 74 fëmijët që ishin rikthyer nga vendet në të cilat ishin mësuar të dëgjonin britma, shpërthime të granatave, armëve e tankeve, 10 nga ta i takonin nivelit të kopshteve, pesë të nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 të tjerët të nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimit.

Frikën se fëmijët e rikthyer mund të stigmatizoheshin dhe të përqesheshin nga fëmijët e tjerë e kishte shprehur edhe mësuesi që po zhvillonte mësimin me shtatë fëmijët që ishin rikthyer.

“Sfida kanë me kanë të ndryshme, duke nisur nga ngacmimeve të ndryshme, me sharje të ndryshme, për arsye se kanë qenë me familjet e tyre në një vend, në luftë që vazhdon ende të jetë, ka me pas sfida edhe të ardhmen por duke pasur parasysh se ata kanë filluar të integrohen në shoqëri s’besoj se kanë me pas problem por gjithsesi do të kenë sfida”, ishte shprehur mësuesi për Gazetën JNK.

Mundësia që të rikthyerit të socializoheshin dhe të shoqëroheshin edhe me fëmijët e tjerë nuk mungonte.

Ani pse të ndrojtur, fëmijëve të rikthyer u buzëqeshte fytyra dhe tregonin se kanë motiv për të mësuar dhe punuar në të ardhmen.

Gjatë kohës kur mbaheshin aktivitetet për të rikthyerit, posaçërisht, për fëmijët, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti shpjegoi se sa kishin sukses këto aktivitete.

“Këto aktivitete kanë qenë të suksesshme ashtu sic janë planifikuar, kanë dhënë rezultatin e pritur, i cili është vetëm një rezultat i suksesit i pjesshëm sepse ka qenë një plan me disa aktivitete të ndryshme”, tha Hoti.

Ai madje kishte treguar edhe se programet e përdorura nga ana e institucioneve të ndryshme të cilët bashkëvepronin me MPB-në, do të u ndihmonin fëmijëve në ri-integrim.

“Këto aktivitete kanë qenë të suksesshme ashtu sic janë planifikuar, kanë dhënë rezultatin e pritur, i cili është vetëm një rezultat i suksesit i pjesshëm sepse ka qenë një plan me disa aktivitete të ndryshme”, tha Hoti.

Ai tregoi se qëllimi kryesor ishte risocializimi i fëmijëve dhe ambientimi në Kosovë.

“Në bazë të krejt asaj çka dimë, një rol të rëndësishëm në këtë proces e ka e kaluara e tyre, ata kanë jetuar në zona të luftës në kushte jashtëzakonisht të këqija në kohët e fundit, trauma, plagë, kushte të këqija të jetesës, humbja e familjarëve dhe kjo do të jetë elementi kryesor që mund të paraqes problem në riintegrim”, shtoi Hoti.

Tërë procesi i njohjes së fëmijëve me ambientin e jashtëm me ambientin në të cilin do të jetonin pas rikthimit, ishte zhvilluar nën kujdesin maksimal të policëve civil e aty këtu edhe ndonjë në uniformë, me mjekë psikiatër, infermierë e zyrtarë të MPB-së.

Programet e parapara që të mbanin fëmijët do të u bënin mirë në procesin mësimor, shëndetësor, përfshirë edhe shëndetin mendor dhe ri-socializimin.

Edhe njëra nga psikiatret e cila po merrej me fëmijët e rikthyer kishte treguar se aktivitetet e vazhdueshme për fëmijët e rikthyer do të i ndihmonin atyre të ri-socializoheshin dhe të vazhdonin jetesën duke lënë pas atë që kishin përjetuar në vatrat e luftës.

Një numër të madh të grave dhe fëmijëve që janë rikthyer i ka takuar edhe ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë.

Nënat e fëmijëve kishin treguar se aktivitetet kanë qenë të mira dhe kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes mendore te fëmijët, largë tankeve, granatave, e armëve dhe hapësirave të kampeve të cilat ishin gjithmonë të rrezikuara nga shpërthime të ndryshme.

Në një sërë shkrimesh e emisionesh, të publikuara në “Drejtësia në Kosovë” e Gazetën “Jeta në Kosovë” ishin raportuar aktivitet e mbajtura dhe planet për fëmijët e rikthyer.