Ministria e Mjedisit synon shuarjen e Këshillit për ujërat, irritohen ambasadat

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po synon të shuaj një organ për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe hartimin e politikave për sektorin e ujërave. Ministria, sekretar i së cilës është Arben Çitaku, në draft-ligjin e ri për ujërat ka paraparë shuarjen e Këshillin Ndërministror të Ujërave, i cili mbështetet nga ambasadat e huaja dhe është funksional që nga viti 2013.

Kjo tentativë i ka alarmuar ambasadat që deri tash e kanë mbështetur këtë këshill. Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH, Arben Çitakut me datën 25 shtator të këtij viti, i ka shkuar një letër nga Ambasadat e Zvicrës, Suedisë, Francës dhe Gjermanisë dhe nga Bashkimi Evropian, zyra në Kosovë, të cilët e kanë shprehur shqetësimin rreth tentativës së ministrisë për shuarjen e Këshillin Ndërministror të Ujërave.

Në këtë Draft-Ligj të Ministrisë së Mjedisit që momentalisht është në fazën e dëgjimeve publike, në nenin 6 kërkohet shuarja e Këshillit Ndërministror, sepse sipas tyre, bie ndesh me Ligjin e Organizimit dhe Funksionimit të Administratës Shtetërore, kurse më poshtë në nenin 20, thuhet që nëse është e nevojshme çështja e Këshillit Ndërministror mund të rregullohet me Ligjin për Organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore.

Pra me këtë Ligj arsyetohet heqja e Këshillit dhe më pas me po të njëjtin Ligj sugjerohet rregullimi i kësaj çështje, ‘nëse është e nevojshme’.

Këshilli Ndërministror përbëhet nga katër ministra, të Financave, Administrimit të Pushtetit Lokal, të Zhvillimit Ekonomik dhe atij të Mjedisit, kurse kryeministri i vendit është drejtuesi më i lartë i këtij Këshilli. Gjithashtu, një përfaqësues i ambasadës së Zvicrës dhe të një shteti tjetër donator, janë anëtarë të Këshillit pa të drejtë vote.

Funksionet e këtij Këshilli të cilat janë të parapara me ligj, janë të ofrojnë rekomandime për ligje dhe akte nënligjore që lidhen me sektorin e ujërave, zbatim të ligjeve dhe akteve tjera që lidhen me administrimin e ujërave, hartim dhe miratim të Strategjisë Kombëtare të ujërave, zhvillimin e politikave në fushën e ujërave dhe zgjidhjen e politikave financiare në sektorin e ujërave.

Ky Këshill për më tepër është përmendur edhe në shtetet e rajonit, për tu përdorur si model.

Kurse sekretari Çitaku e ka kthyer përgjigjen ndaj ambasadave, duke thënë se Ministria nuk është kundër funksionimit të Këshillit Ndërministror dhe se nevojiten diskutime shtesë në lidhje me çështjen.

Çitaku gjithashtu e ka përmendur edhe një koncept-dokument që është miratuar në qeveri me 11 janar të këtij viti. Sipas tij, në këtë dokument janë shpalosur problemet e Ligjit aktual për Ujërat në Kosovë, që synojnë të zgjidhen me anë të Ligjit të ri.

Por, në këtë koncept-dokument prej 22 faqësh nuk është përmendur fare Këshilli Ndërministror i Ujërave dhe aq më tepër si problem.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Arben Çitaku është arsyetuar në këtë dokument që është miratuar nga qeveria. Në një përgjigje me shkrim, ai ka thënë se draft-ligji është i bazuar në kornizën e këtij dokumenti, pa sqaruar se pse po tentohet shuarja e Këshillit Ndërministror.

“MMPH ka të miratuar në qeveri koncept dokumentin e Ligjit për Ujërat e Kosovës, ku një gjë e tillë kërkohet të bëhet sipas rregullores së punës dhe i cili përbën kornizën mbi të cilën duhet të hartohet Ligji, si dhe është diskutuar edhe me institucionet e tjera të qeverisë”, ka thënë Çitaku.

Në koncept-dokumentin që thirret Çitaku, flitet për problemet e Ligjit aktual dhe zgjidhjet që ofrohen me anë të Ligjit të ri, kurse Këshilli Ndërministror nuk përmendet fare.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ambasadën e Zvicrës në lidhje me këtë çështje. Në përgjigjen e tyre flitet për rëndësinë e Këshillit Ndërministror dhe si i tillë duhet të ruhet.

“Zvicra dhe donatorët e tjerë morën shënimin e projektligjit, veçanërisht në heqjen e Këshillit. Si një donator kryesor në këtë fushë, ne jemi të bindur që një Këshill Ndërministror funksionues është një instrument koordinimi dhe vendimmarrjeje qendrore për sektorin e ujit të Kosovës dhe duhet të ruhet. Ne filluam diskutimet me autoritetet e Kosovës dhe jemi të bindur se do të gjendet një zgjidhje konstruktive për këtë çështje”, thuhen në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës.

Ministria e Mjedisit deri më tani është udhëhequr nga ministri në detyrë, Fatmir Matoshi. Sekretar në këtë ministri është Arben Citaku. Kjo ministri vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit kanë marrë në vendim për të zhbllokuar shqyrtimin e aplikacioneve për lejet aktuale dhe ato të reja për hidrocentrale përkundër faktit që nuk ishin plotësuar kushtet dhe arsyet pse ishte vendosur bllokada nga ish-ministrja, Albena Reshitaj.