Deponi Ilegale - FOTO KALLXO.com

Ministria e Mjedisit më 2021-ën shqiptoi vetëm 19 gjoba ndaj ndotësve të ambientit me mbeturina të ngurta

Me përbërje nga mbetjet e rërës, betonit, dheut dhe argjilës, mbeturinat e ngurta janë pjesë e listës së ndotësve të ambientit.

Për ndotësit e ambientit nga ky lloj i mbeturinave, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) gjatë vitit 2021, kanë shqiptuar 11 gjoba administrative mbi 500 euro dhe 8 gjoba mandatorë me vlerë deri në 100 euro.

“Nga inspektorati i MMPHI-së, ne vitin 2021 janë shqiptuar këto gjoba; 11 gjoba administrative mbi 500 euro dhe 8 gjoba mandatorë deri ne 100 euro. Për gjoba nga ana e komunave nuk kemi informacione”, thuhet në një përgjigje të MMPHI-së për KALLXO.com.

Mbeturina inerte konsiderohen mbeturinat të cilat nuk pësojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm fizik, kimik dhe biologjik në vendet ku janë deponuar si; mbeturina inerte që ndizen ose nuk reagojnë fizikisht apo kimikisht, nuk zbërthehen biologjikisht në kontakt me materiet tjera dhe nuk ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Ndërkaq, deponia e mbeturinave konsiderohet si vendi ku mbeturinat izolohen nga mjedisi dhe degradimi i pastajmë i tyre në vend menaxhohen në kuadër të një procesi të kontrolluar fizik, biologjik dhe kimik derisa të bëhen të sigurta.

Menaxhimi i integruar i mbeturinave të ngurta përkufizohet si përdorimi i koordinuar i një varg metodash dhe zgjidhjesh për menaxhimin e mbeturinave, secila nga të cilat e ka një rol funksional në një sistem të përgjithshëm të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe që kombinohen së bashku si një tërësi krejtësisht koherente.

Për çështjen e licencimit të deponive me mbeturina të ngurta/ inerte, MMPHI thotë se nuk ka ndonjë deponi të licencuar. Mirëpo, MMPHI ka treguar se sa deponi sanitare për mbeturinat e ngurta komunale janë të licencuara në Kosovë.

Deponitë sanitare janë vendet e vetme të autorizuara për të marrë mbeturina dhe në to mbeturinat duhet të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi në mjedis që mund të shkaktojë

“Për mbeturinat e ngurta/inerte (ndërtimit dhe rrënimit), nuk kemi ndonjë deponi te licencuar. Ndërsa për mbeturinat e ngurta komunale, deponitë sanitare të licencuara në Kosovë janë deponitë e menaxhuara nga Kompanitë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë; Prishtinë (Mirash), Gjilan (Velekincë), Podujevë (Dumnicë), Prizren(Landovicë), dhe Deponitë e menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Mbeturinave janë; Mitrovicë (Gërmovë), Pejë (Sferkë), Dragash (Sharr)”, shpjegon MMPHI për KALLXO.com.

Mbetjet e ndërtimit nënkuptojnë, çdo substancë, lëndë ose send që krijohet si rezultat i punimeve të ndërtimit dhe që është braktisur. Kostoja që duhet paguar për hedhjen e një ton mbeturina të ekonomive familjare në deponi, Ministria thotë se është nga 5,8 deri në 6 euro.

“Kostoja për hedhjen e një ton mbeturina të ekonomive familjare në deponi është nga 5,8 deri në 6 euro, ndërsa për mbledhje te këtyre mbeturinave për ekonomitë familjare për muaj është 4,7 deri në 5 euro”, tregon MMPHI.

Deponi ilegale e mbeturinave – FOTO- Kastriot Berisha/KALLXO.com

Ndikimi i ndotësve industrial në ajër sipas Inventarit të Emisioneve në Kosovë

Inventari i emisioneve ofron një vlerësim të vendndodhjes dhe sasisë së ndotësve që lirohen në ajër nga burime të ndryshme. Inventari është një nga mjetet kryesore të përdorura në menaxhimin e cilësisë së ajrit sepse ofron informata përmes të cilave kuptojmë se cilët janë kontribuuesit relativ sipas  aktiviteteve dhe burimeve, duke mundësuar kështu ndërmarrjen e veprimeve efektive për të zvogëluar emetimet dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit ambiental.

Ky inventar, i cili është zhvilluar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (FMK), është përgatitur për tërë Kosovën. Puna është bërë në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjes së Mjedisit në Kosovë dhe me përdorimin e inputeve nga një projekt i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Inventari i Emisioneve të ajrit përfshinte këta ndotës: PM10, PM2.5, oksidet e azotit (NOx), dioksidin e sulfurit (SO2), monoksidin e karbonit (CO), Bashkëdyzimet Organike të Avullueshme jo metan (BOAJM), arsenin, kadmiumin, merkurin dhe plumbin.

Sipas FMK-së pjesë e burimeve tek inventari i emisioneve të ajrit është industria e cila përfshin  emetimet nga instalimet e PKIN-së (me leje mjedisore të integruara ose duke aplikuar për PKIN), deponitë dhe guroret.

“Sa i përket emetimeve totale nga të gjitha burimet (djegia e vogël, transporti, industria, bujqësia) – djegia e vogël ka një pjesëmarrje prej 69% (PM10) dhe 84% (PM2.5) në emetimet totale të PM-së, transporti (rrugët) 12% dhe 7%, industria (industria dhe guroret) 17% dhe 8%, ndërsa bujqësia 3% dhe 1% përkatësisht. Pjesëmarrja e emetimeve nga sektorë të ndryshëm dallon në rastin e NO2: djegia e vogël – 5%, transporti (rrugët) – 32%, industria – 56% dhe bujqësia – 9%”, thuhet në Inventarin e Emetimeve.

Në anën tjetër sipas të dhënave për ndikimin e ajrit në shëndet të sistemuara në  nën-faqen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës  ndotja e ajrit njihet si një nga kontribuuesit kryesorë të barrës globale mjedisore të sëmundjeve. Çdo vit, mijëra njerëz që vuajnë nga efektet e ndotjes së ajrit shtrihen në spitale, e disa prej tyre edhe vdesin para kohe

Kur ndotësit e ajrit të përmasave mikroskopike hyjnë në trup, duke depërtuar thellë në sistemin e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut, ato mund të kenë efekte në organe dhe sisteme të ndryshme të organizmit, jo vetëm në sistemin e frymëmarrjes. Ndotësit mikroskopik të ajrit ndikojnë negativisht në pjekurinë e trurit dhe në zhvillimin mendor të fëmijëve.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë efekte serioze dhe të përhershme shëndetësore, që janë, plakja e shpejtë e mushkërive, humbja e kapacitetit të mushkërive, zhvillimi sëmundjeve si astma, bronkiti, emfizema, ndoshta edhe kanceri i mushkërive dhe sëmundja ishemike në zemër dhe goditjet në tru, që shkaktojnë 80% të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

Mbeturina, deponi ilegale – FOTO KALLXO – 2021

Strategjia (2021-2030) dhe Plani i Veprimit (2021-2023) për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton se ka hartuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë. Kjo strategji sipas MMPHI-së është aprovuar nga një vendim i Qeverisë së Kosovës.

“Me këtë dokument strategjik synohet të arrihet zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i menaxhimit të mbeturinave i cili ndikon në ruajtjen e shëndetit publik, zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, thotë MMPHI.

Sipas dokumentit Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë, i cili është aprovuar nga Qeveria, kjo strategji  paraqet qasjen e Qeverisë ndaj menaxhimit të integruar të mbeturinave të ngurta (MIMN-së) në Kosovë.

“Ajo paraqet hapin e ardhshëm drejt realizimit të këtyre prioriteteve strategjike kombëtare. Strategjia i përcakton objektivat strategjike, objektivat specifike, caqet dhe indikatorët për sektorin e menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave. Strategjia mbulon një periudhë dhjetëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2030 dhe e përfshin një Plan të Veprimit trevjeçar nga viti 2020 deri në vitin 2023”, thuhet në dokument.

Në dokument shpjegohet se ofrimi i shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave të ngurta komunale është përgjegjësi primare dhe funksion themelor i komunave.

“Komunat dhe kompanitë e tyre rajonale të mbeturinave (KRM-të) janë ofruese të shërbimeve të vijës së parë të frontit në këtë drejtim. Ka dhe do të mbetet rol për financimin publik të sistemeve të menaxhimit të mbeturinave, ndërsa ata që prodhojnë mbeturina duhet t’i kontribuojnë mbulimit të këtyre shpenzimeve”, bëhet e ditur në dokument.

Tutje në dokument bëhet e ditur se janë 90 kompani me licence për mbledhjen e fraksioneve të ndryshme të mbeturinave, por që asnjërës nuk i menaxhon mbeturinat e ndërtimit dhe të demolimit.

“Janë 90 kompani me licencë për mbledhjen e fraksioneve të ndryshme të mbeturinave (pothuajse gjysma e tyre mbledhin mbeturina të ngurta komunale), por asnjëra nga to nuk i menaxhon mbeturinat e ndërtimit dhe rrënimit”, shpjegohet në dokument.

Direktiva të BE-së për parandalimin e mbetjeve të ngurta – LINK

Në Direktivën e Bashkimit dhe Këshillit Evropian për mbeturinat thuhet se, mbetjet e ndërtimit dhe demolimit përbëjnë më shumë se një të tretën e të gjitha mbetjeve të gjeneruara në BE. Këto mbetje përmbajnë një gamë të gjerë materialesh si beton, tulla, dru, qelq, metale dhe plastikë dhe aty përfshihen të gjitha mbetjet e prodhuara nga ndërtimi apo prishja e ndërtesave dhe infrastrukturës, shto këtu planifikimin dhe mirëmbajtja e rrugëve.

Sipas Direktivës së BE-së, shtetet anëtare duhet të marrin masa për të nxitur prishjen selektive për të mundësuar heqjen dhe trajtimin e sigurt të substancave të rrezikshme dhe për të lehtësuar ripërdorimin dhe riciklimin me cilësi të lartë. ( Neni 11 i direktivës).

Kjo bëhet duke hequr selektivisht materialet, për të siguruar vendosjen e sistemeve të klasifikimit për mbetjet e ndërtimit dhe demolimit në më së paku për dru, fraksione minerale (betoni, tulla, pllaka dhe qeramika, gurë), metal, qelq, plastikë dhe suva (llaç).

Direktiva e Parlamentit të BE-së për parandalimin e mbetjeve të ngurta

Në Direktivën e Bashkimit dhe Këshillit Evropian nr. 2008/98/KE për mbetjet thuhet se, mbetjet e ndërtimit dhe demolimit përbëjnë më shumë se një të tretën e të gjitha mbetjeve të gjeneruara në BE. Këto mbetje përmbajnë një gamë të gjerë materialesh si beton, tulla, dru, qelq, metale dhe plastikë dhe aty përfshihen të gjitha mbetjet e prodhuara nga ndërtimi apo prishja e ndërtesave dhe infrastrukturës, shto këtu planifikimin dhe mirëmbajtja e rrugëve.

Sipas Direktivës së BE-së, shtetet anëtare duhet të marrin masa për të nxitur prishjen selektive për të mundësuar heqjen dhe trajtimin e sigurt të substancave të rrezikshme dhe për të lehtësuar ripërdorimin dhe riciklimin me cilësi të lartë (neni 11 i direktivës).

Kjo bëhet duke hequr në mënyrë selektive materialet, për të siguruar vendosjen e sistemeve të klasifikimit për mbetjet e ndërtimit dhe demolimit në më së paku për dru, fraksione minerale (betoni, tulla, pllaka dhe qeramika, gurë), metal, qelq, plastikë dhe suva (llaç).

Për të dhëna të detajuara dhe monitorimin dhe parashikimin e cilësisë e ajrit mund të informoheni duke klikuar në portalin e IHMK-së: airqualitykosova.rks-gov.net

Po ashtu për informata rreth ndikimit të ajrit në shëndetin tuaj mund të klikoni në portalin e IKShPK-së: ajri.niph-rks.org/sq/airquality-sq

Ju mund ta shkarkoni në pajisjen tuaj smart edhe aplikacionin për monitorimin dhe parashikimin e cilësisë ajrit Air Quality in Kosovo në platformat iOS App Store dhe Android Play Store.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.